Një prej emrave që figuron në listën prej 20 mijë veteranëve të rrejshëm është edhe ai i udhëheqësit të Zyrës së Veteranëve në Qeverinë e Kosovës, Gazmend Sylës. Ai po akuzohet se bashkë me rreth 20 mijë persona të tjerë ka përfituar jashtëligjshëm statusin e veteranit. Por, një gjë të tillë po e mohon vet ai. Deklaron se ai ka qenë luftëtar që nga fillimi i luftës dhe se për këtë duhet të përgjigjet vet Blakaj, shkruan Express.
Udhëheq më Zyrën e Veteranëve, por po akuzohet si veteran i rrejshëm.
Gazmend Syla është një prej 20 mijë veteranëve që në bazë të Prokurorisë janë cilësuar se kanë përfituar nga statusi i veteranit jashtëligjshëm.
Por, Syla, i cili e udhëheq Zyrën për Veteranë në Qeverinë e Kosovës dhe njëkohësisht është kryetar i degës së OVL-së në Pejë, po e mohon një gjë të tillë.
Syla i ka thënë Gazetës Express se ai ka qenë luftëtar që prej kur ka filluar lufta e deri në përfundim të saj.
Ndërsa për atë se pse emri i tij figuron në mesin e veteranëve të rrejshëm, ai ka thënë se për këtë duhet pyetur ish Prokurori Elez Blakaj. Gjersa, thotë se në këto lista ka parë edhe emrat e shumë bashkëluftëtarëve të tjerë.
“Nuk kam ndonjë koment, mendoj se për këtë çështje duhet ta pyesni prokurorin që më ka fut në atë listë, unë jam luftëtar prej kur ka filluar lufta dhe deri në përfundim të saj dhe nuk e di si ka përfunduar emri im në ato lista dhe jo vetëm i imi, sepse po të ishte vetëm i imi nuk do të kishte shumë telashe, por edhe i shumë të tjerëve, pasi që kam shumë emra të bashkëluftëtarëve të mi kanë qenë në luftë prej fillimit e deri në përfundim të saj, por që gjenden në ato lista”, ka thënë Syla për Express.
Deklaron se aktakuza e Blakat është tendencioze, ndërsa thotë se janë ftuar të gjithë bashkëluftëtarët e tij për të bërë padi.
“Po mendoj që kjo është shumë tendencioze prej një prokurori. Prandaj jo vetëm unë, por edhe gjithë ata bashkëluftëtarë që kanë luftuar si shoqata, ashtu edhe kryetari i degës në Pejë i kanë ftuar që të vijnë edhe për të bërë padi”, ka shtuar ai.
Ndërkohë ditë më herët, Syla e kishte quajtur Prokurorin Blakaj pioner jugosllav dhe kishte thënë se ai është qyqan. Kishte thënë se derisa ai kishte luftuar, Blakaj kishte ikur, derisa kishte thënë se askush nuk mund ta hedh poshtë kontributin e luftëtarëve të LDK-së.
“Elez, je 2 vite ma i vjetër se unë. Me 1998, unë u bashkëngjita me trimat e lirisë, ti ike. Tash unë jam në Kosovë, ti prapë ike. Doli “puna” që e paske ba. Po del që nuk je vetëm qyqan, por edhe pionier jugosllav. Kontributin tim e të shokëve të mi, nuk mundet me hedh poshtë askush, e me se paku ti”, kishte shkruar Syla në Facebook.
E ish-prokurori i Prokurorisë Speciale, Elez Blakaj, është përgjigjur publikisht pas publikimit të emrave të atyre që dyshohen si veteranë të rremë.
Blakaj ka thënë se në bazë të kësaj, vëren se listës së përpiluar nga ai i janë shtuar edhe rreth 2 mijë emra të rinj, për të cilët ai thotë se nuk mban përgjegjësi.
“Aktakuza paska pësuar ndryshime nga ajo që e kam përpiluar unë, sepse janë rreth 2.000 persona më shumë, për të cilët nuk kam as informacion se si janë selektuar dhe sesi janë përfshirë në aktakuzë.
Ndërsa, ajo që është më me rëndësi për të informuar publikun është se unë Elez Blakaj, tani ish-Prokuror i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, nuk mbaj përgjegjësi për aktakuzën e ndryshuar/plotësuar dhe nënshkruar nga një prokuror tjetër, e as për publikimin e emrave, sepse ekziston një parim i cili duhet respektuar-prezumimi i pafajësisë”, kishte thënë Blakaj.
Derisa kishte thënë se mënyra se si janë duke vepruar me aktakuzën përmes luftës speciale, duke publikuar pjesë të caktuara dhe duke i interpretuar ato, është rruga më e gabuar që kanë zgjedhur siç i ka quajtur ai “dashakqinjtë” e veteranëve të vërtetë dhe të Kosovës.
Gazeta Express kishte raportuar ditë më parë se si ishin fryrë listat e veteranëve, duke u shtuar së paku 100 persona për çdo muaj.
Tani benefite si veteranë marrin rreth 37 mijë e 771 persona. Ndërsa, prej vitit 2015, kur edhe filluan të ndaheshin këto pensione, nga buxheti i shtetit janë shpenzuar afër 120 milionë euro.
Për fyrje të listave të veteranëve, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ditë më parë ka ngritur aktakuzë ndaj 12 anëtareve të Komisionit për verifikimin e pjesëmarrësve të Luftës së UÇK-së.
Ata akuzohen se kanë fryrë listën e veteranëve të UÇK-së deri në 19 mijë më shumë.Të akuzuarit janë: Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari./Gazeta Express/
Burimi i përlotur lë shtëpinë, momenti që preku të gjithë
Sulmi në Ibër Lepenc, LDK: Të papranueshme këto akte terrori...
Shpërthimi në Ibër Lepenc, ambasadori britanik: Të hetohet s...
Ushtarët amerikanë me armë të gjata te vendi i shpërthimit n...
Hoxha: Për shkak të dy shpërthimeve në veri, kemi shtuar mas...
Bedri Hamza shkon në Zubin Potok, dënon aktin nga vendi i ng...