Google ADS

Turqia po e zvarrit ndërtimin e xhamisë në Prishtinë

15:14 | 4 Qershor 2019
A. B.

Drejtorati për Cështje të Religjonit i Republikës së Turqisë (Diyanet), i cili ka marrë përsipër ndërtimin e xhamisë kryesore në Prishtinë duke premtuar miliona për të, po e zvarrit ndërtimin e saj. Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka thënë mbrëmë se Bashkësia Islame e Kosovës ende nuk ka aplikuar për leje me arsyetimin se Diyanet ende nuk ua ka sjell projektin nga Ankaraja.

Rreth shtatë vite më parë në një ceremoni në të cilën morën pjesë zyrtarët më të lartë të Shtetit, Bashkësisë Islame Ipeshkvisë së Kosovës, u vu guri i themelit për ndërtimin e Xhamisë Qendrore në kryeqytet.

Në hapësirën që deri vonë shfrytëzohej si parking për veturat e PTK’së, tullat e para u vendosën nga ish- presidentja Atifete Jahjaga, ish kryeparlamentari Jakup Krasniqi, Myftiu Naim Tërnava, ish kryeministri Hashim Thaçi dhe kryetari i atëhershëm i Prishtinës, Isa Mustafa.

Por, edhe pas kaq vitesh gjendja në të nuk ka ndryshuar. Përveç që hapësira ku pritet të ndërtohet kjo xhami është rrethuar, asnjë tullë tjetër nuk është vendosur.

Në gjendje të tillë pritet të mbetet edhe për një kohë. Në Komunë e Prishtinës fajin për mos ndërtimin e xhamisë ia lënë Bashkësisë Islame të Kosovës.

Kryetari Shpend Ahmeti ka thënë se Bashkësia Islame ende nuk ka aplikuar për leje ndërtimore në komunë. Ahmeti ka thënë se ata vetëm i kanë lëshuar kushtet ndërtimore.

“Është shumë i thjeshtë. Nuk mund të japim leje për dikënd që s’ka apliku. Dmth Bashkësia Islame hala nuk ka apliku për leje. Ne ia kemi lëshu kushtet, kur të ia lëshon kushtet, në bazë të atyre kushteve mundesh me kërku leje. Na i kemi dhanë kushtet që një vit, nashta ka një vjet e ma shumë dhe nuk ka apliku ende për leje”, ka thënë Ahmeti në DPT me Fidanin në T7.

Ahmeti thotë se atij i është thënë që Bashkësia Islame e Kosovës është duke e pritur projektin për ndërtimin e xhamisë nga Turqia. Derisa ka thënë se ata kanë bashkëpunim shumë të mirë me BIK’un.

“Merrne këndo të Bashkësisë Islame dhe pyeti se me cilën komunë keni bashkëpunim tepër të mirë për kërkesa të Bashkësisë Islame. Kur i merr kushtet ke të drejtë me marr leje prej komunës për me e rrethu hapësirën për me kriju kushtet e punës dhe ne i lejojmë. Se a kanë pas problem me Dyanetin e Turqisë nuk e di vec më kanë thanë se janë tu e prit Projektin prej Turqisë”, ka thënë Ahmeti.

Ndërkohë, në Bashkësinë Islame të Kosovës kohë më parë kanë thënë se ndërtimi pritet të fillojë në fillim të 2019’ës.

Kështu kishte bërë të ditur zëdhënësi i Bashkësisë Islame të Kosovës, Ahmet Sadriu.

Sa i përket vonesave të këtij projekti, Sadriu kishte thënë se nuk ka shumë informata, pasi që përgjigjet që BIK i ka pranuar nga Ankaraja e cila është edhe financuese e projektit, nuk kanë qenë bindëse.

“Ata ende nuk e kanë sjellë projektin detal. Kemi pasur disa çalime dhe vonesa në këtë aspekt. Kemi kërkuar përgjigje, i kanë ata arsyet e veta, për të cilat, megjithatë nuk janë ndoshta bindëse. Ne kemi insistuar pse kjo vonesë kaq e madhe, por ata i kanë dhënë përgjigjet e veta rreth projektit, jo nuk kemi mundur ta bëjmë, arsye të ndryshme, po them” kishte thënë Sadriu.

Ndryshe, jo shumë kohë më parë një kërkesë për ndalimin e procesit të dhënies së lejes për këtë objekt fetar, u ishte drejtuar Bashkësisë Islame të Kosovës, Komunës së Prishtinës dhe Këshilltarëve të Kuvendit Komunal në Prishtinë.

Ky peticion fillimisht ishte nënshkruar nga 30 persona, pasi sipas tyre, xhamia e cila pritet të ndërtohet nuk është në harmoni me objektet e zonës dhe se objekti nuk është në përputhje me kriteret e konkursit.

Këtë peticion, Bashkësia Islame e kishte quajtur të kotë dhe kishte thënë se projekti për ndërtimin e xhamisë është votuar nga vetë qytetarët.

“Kërkojmë nga Bashkësia Islame e Kosovës, Komuna e Prishtinës dhe Institucionet Qendrore që këto procese ti bëjnë në përputhje me planin rregullues të lagjes, me transparencë të plotë karshi qytetarëve dhe në përputhje me kriteret e paracaktuara të konkursit. Së këndejmi, ne si nënshkrues të këtij dokumenti, nuk jemi kundër ndërtimit të xhamisë në këtë parcelë të Prishtinës, por jemi gjithsesi të interesuar për një proces ligjor, gjithëpërfshirës dhe profesional për kryeqytetin tonë. Përderisa Prishtina është në fazë të përmirësimit të infrastrukturës së saj, në respektim të ligjeve dhe të harmonizimit të planeve dhe rregullave, kërkojmë që ato të aplikohen pa përjashtim edhe në procesin e ndërtimit të Xhamisë Qendrore në Prishtinë”, thuhej ndër të tjera në peticionin për ndalimin e ndërtimit të xhamisë, drejtuar Bashkësisë Islame të Kosovës, Komunës së Prishtinës dhe Institucioneve Qendrore.

Ndryshe, ndërtimi i kësaj Xhamisë Qendrore parashihet që të kushtojë rreth 20 milionë euro dhe më parë BIK-u, për ndërtimin e saj kishte kërkuar edhe përkrahje materiale nga qytetarët e Kosovës dhe kishte hapur disa xhirollogari në banka të vendit./Gazeta Express

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme