Në vazhdim të fjalimit të tij në Këshill të Sigurimit të OKB-së presidenti, Hashim Thaçi ka thënë se është krenar që është presidenti i vendit më pro NATO dhe më pro BE në botë.
“Pavarësisht vështirësive dhe pavarësisht padrejtësive që po na bëhen, posaçërisht në procesin e liberalizimit të vizave, ne si vend qëndrojmë të palëkundur në orientimin tonë. Nuk kemi dhe as nuk kërkojmë alternativë tjetër, rrugë tjetër. E ardhmja e Kosovës dhe e ardhmja e rajonit tonë është në strukturat Euro-Atlantike. Andaj, të nderuar të pranishëm, kjo pashmangshëm na shpie tek esenca e çështjes në fjalë”, ka thënë ai.
Problemi të cilin kanë fqinjët tanë verior sot nuk është ushtria e Kosovës, ka thënë Thaçi, por ekzistenca e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran.
“Këto rrethana e bëjnë dialogun ndërmjet dy vendeve tona proces kyç. Pa dialog dhe pa marrëveshje finale, ne shndërrohemi në vende që prodhojnë drama të pafund dhe të panevojshme për konsum të brendshëm elektoral. Por të dëmshëm për të ardhmen e vendeve tona”, ka thënë Thaçi.
Ju lutem, ka shtuar Thaçi, vetëm hidhni një sy fushatës së ndyrë që Serbia udhëhoqi kundër anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL.
“Më thoni ju lutem kush përfiton nga mosanëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë? Përfiton vetëm krimi i organizuar. Përfiton terrorizmi. A thoni që unë duhet ta denigroj tani këtë forum duke përdorur gjuhën dhe metodat e përdorura nga Serbia kundër Kosovës? Të them të drejtën, unë sinqerisht ndjej keqardhje për sjelljen e tyre. Është më se e natyrshme që një sjellje e tillë të pasohet me masa të marra nga institucionet e Kosovës për produktet serbe të cilat hyjnë në Kosovë. Pra, Kosova nuk e ka provokuar këtë situatë. Ky reaksion është pasojë e veprimeve agresore të Serbisë.
Unë dua të besoj që kjo gjendje do të tejkalohet në një të ardhmen e afërt. Prishtina dhe Brukseli janë duke komunikuar intensivisht për këtë çështje”, ka thënë ai.
Presidenti flet për dialogun: Paqja është detyrim yni ndaj brezave të rinj, që të jetojnë pa konflikte
Në Këshill të Sigurimit të OKB-së, presidenti Thaçi ka thënë se Kosova mbetet e vendosur për paqe dhe dialog me Serbinë.
Për këtë qëllim, ai ka thënë se Kuvendi i Kosovës javën e kaluar miratoi rezolutën për dialog dhe strukturën e ekipit negociator, me përfshirje pozitë-opozitë dhe shoqëri civile.
“Për sa kohë që ne nuk kemi një marrëveshje përfundimtare dhe të implementueshme, situatat e tilla do të përsëriten vazhdimisht. Unë dhe populli i Kosovës nuk e mbështesim konfliktin. Në fakt, ne asnjëherë në historinë tonë nuk e kemi shkaktuar asnjë konflikt. Gjithmonë kemi qenë viktimë.
Gjithmonë kemi luftuar për mbijetesë. Paqja nuk nënkupton mungesën e mospajtimeve, por ky cikël i dhunshëm duhet të marrë fund. Andaj, është detyra e gjeneratës sime që të lëmë pas një rajon pa konflikte, një rajon në paqe të qëndrueshme. Një Ballkan funksional në të cilin Kosova dhe Serbia, si dy vende të pavarura, aspirojnë të ardhmen evropiane”, ka thënë Thaçi.
Ai ka shtuar se e di shumë mirë se ndërtimi i paqes për liderët është shumë më sfidues e madje edhe më i rrezikshëm sesa të bërit e luftës, por paqja është detyrimi ynë ndaj fëmijëve tanë dhe ndaj brezave që pasojnë.
“Atyre ua kemi borxh një të ardhme pa konflikte. Kosova është gati. Ne jemi gati për dialog.
Ne jemi gati për vendime të vështira. Por edhe jemi njëkohësisht të vetëdijshëm se nëse nuk e shfrytëzojmë këtë moment historik, do të pësojnë të gjitha palët e përfshira”, ka thënë Thaçi./arbresh.info/
https://www.facebook.com/arbresh.info/videos/288706765119299/
Zelensky: Dy civilë u vranë në Sumy nga një sulm rus
Muja: Opozita bën propagandë ndaj Qeverisë Kurti për kontrat...
Netanyahu i kërkon kabinetit të tij ta pranojë marrëveshjen ...
Abdixhiku falënderon qytetarët për mbështetjen: Prezenca jua...
Atletico bindëse pas pjesës së parë, Milani në baraspeshë
Sinani i bashkohet thirrjes së Kamberit për vendosjen e flam...