Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka debatuar me analistin Andi Bushati lidhur me qëndrimet e ndërkombëtarëve në raport me marrëveshjen Kosovë-Serbi.
Bushati ka thënë se presidenti Thaçi nuk po u tregon të vërtetën qytetarëve kur flet për korrigjimin e kufijve dhe e përshkruan atë thjesht si një ndryshim teknik.
Ai ka thënë se fakti që ky proces ka shqetësuar disa prej kancelarive evropiane tregon se nuk bëhet fjalë për një korrigjim teknik, por për diçka më shumë dhe potencialisht të rrezikshme.
Nga ana tjetër, presidenti Thaçi shprehet se një gjë e tillë nuk është e vërtetë dhe se bashkësia ndërkombëtare është e unifikuar në qëndrimin pro marrëveshjes Kosovë-Serbi.
“Demarkimi teknik i kufijve duhet të përmbyllet sa më shpejt. Është edhe logjikë e negociatave përfundimtare. Demarkimi i kufijve do të ndodhë, unë kam idenë se duhet të përfshijmë Preshevën, Medvegjën dhe Bujanovcin. Unë mendoj se është një përmirësim i së drejtës historike për Kosovën. Marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbi, nuk do të përfshijë vetëm demarkimin e kufijve, por edhe gjendjen që jemi tash. Një status quo është e padurueshme, e pa qëndrueshme dhe e rrezikshme për Kosovën dhe tendencat e dobësimit të shtetit të Kosovës, në rrafshin e brendshëm dhe ndërkombëtar. Nga ana tjetër, konflkti i ngrirë, gjithashtu është i rrezikshëm për Kosovën, rajonin dhe Serbinë. Nëse shkrihet ky konflikt ka përmasa tragjike për të dy kombet. Kutia e Pandorës, se është bërë zhurmë e madhe, është e hapur në Ballkan. Marrëveshja përfundimtare e Kosovës me njohje reciproke e mbyll kutinë e Pandorës. Konflikti i Bosnjës është më i vjetër se i Kosovës dhe do të vazhdojë. Ne edhe para vitit të ri, në Bruksel, të gjithë liderët e rajonit, duke përfshirë të Kroacisë, të Bosnjës, të Serbisë, të Malit të Zi, Maqedonisë, kemi dalë me deklaratë të përbashkët nga Brukseli që e mbështesim dialogun Kosovë-Serbi dhe mundësinë e arritjes së një marrëveshje”, ka thënë Thaçi.
Andi Bushati: Përse ka shqetësim kur është thjesht rregullim teknik? Këta nuk flasin për rregullim teknik, këta flasin për rrezik.
Hashim Thaçi: Jo, jo, kjo është konspiracion. Kush flet për rrezik? E gjithë bota e do marrëveshjen paqësore Kosovë-Serbi.
Andi Bushati: Marrëveshjen patjetër, por këtu është futur koncepti i ndryshimit të kufijve.
Hashim Thaçi: Në instalimin dhe njohjen e kufijve ndërshtetëror, Kosovë-Serbi. Kufiri i Kosovës nuk është vullneti i qytetarëve të Kosovës, as kufiri shqiptar nuk është i vullnetit i qytetarëve shqiptarë. Kur kanë vendosur shqiptarët ndonjëherë për kufijtë e veta? Ma thuaj një herë në histori.
Andi Bushati: Ama, sa kanë patur në dorë, kanë luftuar të mos shesin copa të kufijve të tyre.
Hashim Thaçi: Unë vetë kam luftuar.
Andi Bushati: Padyshim, nuk e mohon njeri.
Hashim Thaçi: Në vitin 1912, a është shpallur Shqipëria e pavarur, a mbetën mbi pesëdhjetë përqind të territoreve jashtë? T’i akuzojmë Ismail Qemalin dhe Isa Boletinin për tradhëti?
Andi Bushati: Ky është modeli që duhet marrë? Nëse jeni me këtë model, dakord, lëmë një pjesë jashtë, që të bëjmë pavarësinë, jam dakord. Sapo e mora përgjigjen.
Hashim Thaçi: Unë jam me modelin që nuk dua konflikt të ngrirë. Unë punoj që ky konflikt të tejkalohet dhe të arrihet marrëveshje paqësore.
Andi Bushati: Po diskutojmë për mënyrën se si.
Hashim Thaçi: Përmes një procesi që ka mbështetjen e BE-së dhe SHBA-së. Të jesh i bindur, edhe sot bashkësia ndërkombëtare janë unike dhe kështu do të jenë deri në fund.
Andi Bushati: Jo, unë di të lexoj deklarata. Ju më thoni cfarë kam dëgjuar pas mureve, unë se cfarë është thënë publikisht.
Hashim Thaçi: Bashkimi Evropian dhe SHBA janë shumë unike në pozicionin e tyre për zgjidhjen e cështjes Kosovë-Serbi, në një marrëveshje paqësore.
Andi Bushati: Çdo njeri mund të krahasojë deklaratat.
Hashim Thaci: E ke lexuar qartë letrën e Presidentit Trump? I ke lexuar qëndrimet e Bashkimit Europian?
Andi Bushat: Po dhe nuk ju them që nuk e keni me vete administratën amerikane. E keni patjetër me vete, por ama nuk keni Londrën dhe Berlinin. Këto janë faktet.
Hashim Thaci: Këto janë konspiracione.
Andi Bushati: Jo, këto janë deklarata publike.
Hashim Thaçi: BE dhe SHBA janë unike në raport me procesin e dialogut. Përse ky hezitim në raport me administratën amerikane? Ju lexoni deklaratat e një njeriu që ka deficit patriotik.
Andi Bushati: Jo aspak, zero. Problemi është ky zoti Thaci, që nuk mund ti themi shqiptarëve, që Britania dhe Gjermania ngatërrohen, se këtu do bëhet thjesht një korrigjim i vogël teknik. Pra, duhet t’i shikojmë shqiptarët në sy dhe ti themi të vërtetën sepse ky është thelbi i problemit.
Hashim Thaçi: Unë shqiptarët i shikoj në sy, kam luftuar për ta dhe për vendin tim, i besoj shtetit të Kosovës, e di se dikush pretendon se do të gaboj, por Hashim Thaci nuk gabon në këtë drejtim.
Andi Bushati: Edhe ne shpresojmë shumë të mos gabosh.
WhatsApp po punon për ta bërë më të shpejtë dërgimin e fotov...
Fitorja e Trumpit, Kokalari: Hashim Thaçi dhe të tjerët së s...
Vaji i jargavanit – Ul temperaturën dhe lufton depresionin
Pacolli tregon për festën në Mar a Lago për nder të presiden...
Kosova mposhtet në ndeshjen e parë të fazës së dytë kualifik...
Amerikanët prezantojnë një bateri për automjetet elektrike m...