Google ADS

Thaçi pretendon se Macron e mbështet korrigjimin e kufirit

13:49 | 12 Tetor 2018
Arbresh.info

Presidenti Hashim Thaçi i Kosovës pretendon se presidenti francez Emmanuel Macron mbështet propozimin e tij për një “korrigjim” kufiri me Serbinë, pavarësisht kundërshtimit të madh të kësaj ideje në Kosovë.

Thaçi ka thënë të enjten për televizionin publik të Shqipërisë, TVSH, se presidenti francez, Emmanuel Macron, mbështet idenë e tij për një “korrigjim” të kufijve me Serbinë që mund t’u mundësojë shqiptarëve etnikë që jetojnë në Serbinë jugore t’i bashkohen Kosovës.

“Presidenti Macron mbështet fuqishëm dialogun Kosovë-Serbi, mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje brenda një periudhe të shkurtër kohore dhe mundësinë reale të korrigjimit të kufirit, që nënkupton se Presheva, Medvegja dhe Bujanovci hyjnë në Kosovë,” tha Thaçi për TVSH.

Thaçi tha se kjo do të hapte rrugën për integrimin euroatlantik të Kosovës – duke shtuar se kufiri nuk do të korrigjohet përgjatë vijave etnike dhe se do të ruante multietnicitetin e Kosovës.

“Presidenti Macron mbështet fuqishëm dialogun dhe një korrigjim të mundshëm kufitar,” u citua të ketë thënë Thaçi.

Ai ka deklaruar më parë se do të sjellë idenë e një korrigjimi kufitar me Serbinë në tryezën e negociatave në Bruksel, si pjesë e një marrëveshjeje të mundshme përfundimtare me Beogradin, pavarësisht kundërshtimit të fortë në vend për çdo shkëmbim territorial.

Ideja ka shkaktuar një përplasje serioze midis presidentit Thaçi dhe kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Pasi Haradinaj e deklaroi idenë “të vdekur” të hënën, Thaçi i bëri thirrje atij që “të korrigjojë” deklaratat e tij, duke e quajtur atë “jo serioz dhe të papërgjegjshëm”.

“Deklarata interesante e bërë nga kryeministri tregon se ai ose është në humor të mirë ose ndihet komod në postin e tij,” tha Thaçi.

Qeveria franceze ende nuk e ka konfirmuar pretendimin e Thaçit.

Europa dhe Shtetet e Bashkuara kanë dërguar sinjale të përziera rreth propozimit, me Angela Merkelin e Gjermanisë që i quajti të papranueshme ndryshimet kufitare në Europë. Përgjigjja e Uashingtonit ka qenë më me ngjyrim.

Shumë ekspertë e kanë dënuar idenë e ndryshimit të kufirit duke pretenduar se kjo ka gjasa të hapë një sërë mosmarrëveshjesh të tjera territoriale në Europë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme