Google ADS

Thaçi: Po i kërkohet Kosovës të bëjë atë që nuk arriti ta bëjë për 20 vjet UNMIK e EULEX

11:07 | 29 Maj 2019
arbresh.info

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, thotë se edhe pse kaluan 20 vjet të një storie të suksesit të Kosovës ballafaqohemi me reforma në legjislacion, politike e ekonomi.

“Tash jemi duke kaluar në një fazë të një udhëkryqi që duhet të marrim vendime jo të lehta. Kosova është storie e suksesit, por nuk është storie e përfunduar.  Ende pesë vendet e BE nuk e kanë njohur Kosovën, ende nuk e kemi arritur marrëveshjen e paqes që do të sillte njohjen ndërkombëtare mes Kosovës dhe Serbisë. Ende nuk jemi anëtarë të OKB. Jemi në gjendje të status quo dhe paraqet rrezik për regres dhe mundësi minimale të anëtarësimit në OKB pa e hequr veton Rusia. Nuk shihet në horizont ndonjë faktor që Rusia të ndryshojë qëndrim,” është shprehur Thaçi, shkruan arbresh.info.

Sipas tij, Kosova ka sfida të brendshme në ekonomi, legjislacion, rend dhe ligj, themelimin e ushtrisë.

“Dhe shtrohet një nevojë e lëvizjes më të shpejtë pasi që e kemi popullatën më dinamika dhe më pro amerikane, evropiane dhe pro NATO-s.”

Presidenti Thaçi shton se po i kërkohet Kosovës të bëjë atë që nuk arriti ta bëjë për 20 vjet UNMIK e EULEX.

“Sot BE-ja ka mbyllur dyert për Kosovën. Kemi përmbushur të gjitha kushtet për liberalizim ndërsa nuk ka vendim nga shtetet anëtare dhe po mbetemi vendi më i izoluar në Evropë. Vendet e tjera për marrë liberalizimin e vizave kanë patur 55 kritere, e Kosova ka patur 95 kritere. 20 vjet bashkësia ndërkombëtare e ka pasë drejtësinë në Kosovë me mandat ekzekutiv, dhe tash atë që se kanë bërë ata, kërkojnë që institucionet e Kosovës ta bëjnë. Është e pamundur,” është shprehur Thaçi.

Këto komente ai i ka bërë në konferencën “Njëzet vjet pas: Perspektivat dhe sfidat për Ballkanin Perëndimor”, organizuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) dhe Grupi Ballkanik për Hulumtime të Politikave./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme