Google ADS

Thaçi për qëndrimet e Metës dhe Berishës: Politikanët në Shqipëri të bashkëpunojnë, ta lënë Kosovën rehat

23:06 | 31 Janar 2019
Arbresh.info

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, ka komentuar edhe qëndrimet e politikanëve në Shqipëri lidhur me marrëveshjen potenciale Kosovë-Serbi.

Gazetari Ylli Rakipi e ka pyetur presidentin Thaçi veçanërisht në lidhje me qëndrimet e presidentit Ilir Meta dhe ish-kryeministrit Sali Berisha.

Thaçi ka thënë se lidershipi politik në Shqipëri duhet të bashkëpunojë më shumë dhe duhet “ta lënë Kosovën rehat”.

“Unë kam punuar në kohë të ndryshme dhe në rrethana të ndryshme. Kemi pasur angazhime të përbashkëta, të relacioneve. Nuk kemi qenë çdo herë në pajtueshmëri. Për shembull, unë kam nënshkruar Rambujenë, të tjerë kanë qenë kundër. Kosova sot ka institucionet e veta të zgjedhura, institucione që kanë shpallur edhe pavarësinë, Kosova është autonome në vendimarrje. Këshilla ime për lidershipin në Shqipëri është të afrohen më shumë me njëri-tjetrin dhe Kosovën ta lënë rehat. Sigurisht, duhet të punojmë ngushtë për integrimin evropian, integrime edhe kombëtare. Shqipëria në pozicionin e saj duhet të jetë e qartë dhe do të jetë, të jesh i sigurtë”, u shpreh Thaçi.

Presidenti Thaçi është pyetur nëse po e organizon largimin e kryeministrit Haradinaj nga pushteti, duke qenë se ky i fundit nuk është dakord me idenë e korrigjimit të kufijve Kosovë-Serbi.

Thaçi u shpreh se një gjë e tillë nuk është e vërtetë dhe se Qeveria është e qëndrueshme.

“Kjo është temë krejt kot, unë e kam nominuar. Është çështje e partnerëve të koalicionit. E di që Qeveria është shumë e qëndrueshme”, u shpreh Thaçi.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme