Thaçi nuk e ktheu Ligjin për paga për hakmarrje, por ka edhe një prapavijë tjetër

08:14 | 22 Shkurt 2019
V. S.

Ndonëse kanë kaluar 8 ditë, koha kur presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pasur në dispozicion për ta dekretuar ose jo ligjin për paga i cili bëri zhurmë në Kosovë, hyrja e tij në fuqi do të bëhet pa miratimin e të parit të vendit.

Kjo për faktin se presidenti nuk e ka dekretuar e as kthyer mbrapa këtë ligj. Afati i fundit për një vendim nga ana e presidentit ka qenë orët e fundit të 20 shkurtit. Për njohësit e çështjeve politike, heshtja e presidentit të Kosovës, po bëhet për hakmarrje.

Analisti, Leon Duhanaj, thotë se presidenti Thaçi nuk ka pasur asnjë arsye për mos dekretimin e këtij ligji. Duhanaj, për arbresh.info, ka thënë se qëllimi i vetëm është hakmarrja e Presidentit ndaj Kryeministrit për shkak të kundërshtimeve që i kanë karshi parimeve të dialogut më Serbinë.

“Pas aprovimit të ligjit mbi pagat, pati disa pakënaqësi të shprehura, megjithatë mendoj që ligji ka qenë në përgjithësi mirë  dhe me së i domosdoshëm. Asnjë ligj nuk është perfekt dhe si i tillë me vonë mund edhe të amandamentohet ( ndryshohet). Bazuar në  ketë, mendoj se  hezitoi i Presidentit për ta nënshkrua, nuk ka të bëj asgjë me parime politike, pos me pengesë të qëllimshme për t’iu hakmarrë Kryeministrit për qëllimet diametralisht të kundërta karshi situatës rreth dialogut me Serbinë. Unë mendoj që ky ligj do të kaloj, sepse nuk ka asnjë arsye të mos ndodhë”, ka përfunduara ai.

Edhe Faik Krasniqi mendon se arsyeja e vetëm e heshtjes së Presidentit ndaj këtij ligji është konfliktet e tij më kryeministrin shkaku i dialogut dhe taksës.

Madje për Krasniqin, mos dhënia e verdiktit final për këtë ligj nga presidenti mund të ketë edhe një prapavije tjetër.

“Mos dekretimi i ligjit për paga nga Presidenti, është bere me arsyetimin se Zyra e Presidencës ka marre premtime nga sponsorët e këtij projektligji, se do t’i marrin parasysh te gjitha shqetësimet e paraqitura dhe në të ardhmen e afërt do t’i bëjnë plotësimet dhe ndryshimet e nevojshme. Gjë që nuk besoj do të ndodh. Edhe pse projektligji për paga nuk është dekretuar nga Presidenti Thaçi, por pas përfundimit të afatit ligjor ka hyrë në mënyrë të heshtur në fuqi. Prandaj nuk do t’i kthehet prapë Kuvendit. Pse Presidenti nuk e dekretoi këtë ligj? Presidenti dhe Kryeministri ka kohë që janë në një “luftë” për shkak të taksës dhe korrigjimit të kufijve. Ky Projektligj për paga gllabëron 70 përqindje të buxhetit të Kosovës. Mos dekretimi ka edhe prapavijën që Presidenti ta heqë barrën nga vetja se unë nuk e kam dekretuar, në mënyrë që faji i tëri t’i ngelet kryeministrit Haradinaj, sepse miratimi i këtij projektligji shtetin e dërgon në kolaps financiar”, ka shtuar Krasniqi.

Në bazë të Kushtetutës se Kosovës, nëse Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda tetë (8) ditësh pas marrjes së ligjit, nuk merr asnjë vendim për shpalljen ose kthimin e tij, ligji konsiderohet i shpallur, pa nënshkrimin e tij dhe publikohet në Gazetën Zyrtare.

Ky ligj është miratuar në Kuvendin e Kosovës më 2 shkurt, ndërsa në Zyrën e Presidentit ka arritur më 12 shkurt, por gjatë hartimit u ndryshua disa herë, pasi u shtuan pakënaqësitë sociale, nga punonjës në sektorë të ndryshëm publikë, të cilët kërkonin rritjen e koeficientit, përkatësisht rritjen e pagave.

Kujtojmë se udhëheqës të Fondit Monetar Ndërkombëtar kanë shprehur shqetësimin lidhur me këtë ligj. Sipas tyre Ligji i Pagave nuk do të ketë ndonjë ndikim buxhetor gjatë këtij viti, megjithatë në 2020, do të jetë pothuajse e pamundur që ndarja buxhetore për paga të jetë në përputhje me kufizimet sipas rregullit./Vlora Selimi/Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme