Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, fillimisht ka lavdëruar punën e kësaj organizate shumë kombëshe, duke thënë se “kurrë nuk do të harroj që në ditët më të rënda për mua dhe qytetarët e Kosovës, nga ky forum jehuan zëra shprese dhe thirrje për paqe. Unë dhe populli im kurrë nuk do të harrojmë se kur po përballeshim me momentet më të rënda për ne, ju u shndërruat në zërin tonë”.
Presidenti Thaçi u ka thënë shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara se falë tyre u mësua për dhunën sistematike, spastrimin etnik, mijëra qytetarë të pafajshëm që sot nuk janë më në mesin tonë, mijëra që ende janë të zhdukur, dhe për mbi 20.000 gra që ende jetojnë me dhimbjen dhe stigmën e dhunës seksuale të përjetuar gjatë luftës, nga Serbia.
“Ju ishit zëri ynë, kur ne na mungonte një i tillë. Por, ne sot ndodhemi këtu 2 dekada pas luftës së përgjakshme dhe mbi 10 vite pas pavarësisë së Kosovës. Jemi të thirrur në një seancë të jashtëzakonshme në kohën e një situate krejt normale dhe progresi substancial në Kosovë. Kur angazhimi i misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë kërkon rishqyrtim serioz dhe vëmendja e juaj është e nevojshme për të adresuar probleme te vërteta me të cilat përballet bota sot”, ka thënë Thaçi.
Presidenti i Kosovës ka thënë në Këshill të Sigurimit para shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara, se asgjë e jashtëzakonshme nuk ka ndodhur në Kosovë javën e kaluar.
Në fakt, sipas presidentit Thaçi, ajo që ka ndodhur është një vendim krejt normal, i drejtë në mision dhe qëllim.
“Nëse Kosova ka bërë gabim është sepse ka pritur pesë vite pa nevojë për themelimin e ushtrisë. Vendimi për ushtrinë është i vonuar e assesi i gabuar. Është i vonuar sepse kemi pritur, vullnet të mirë nga ata që kurrë deri më sot, nuk e treguan në raport me shtetin e Kosovës. Por tani, Republika e Kosovës, si shtet sovran dhe i pavarur, ka ndërmarrë një hap të natyrshëm për themelimin e ushtrisë së saj. Më thoni ju lutem çka ka të jashtëzakonshme këtu? Nuk ka asgjë të jashtëzakonshme, asgjë fare, që është në kundërshtim me Rezolutën 1244, pakon e presidentit Ahtisari, Kushtetutën e Kosovës, apo të drejtën ndërkombëtare”, ka thënë Thaçi.
Pikë së pari, Thaçi ka thënë se Rezoluta 1244, përkatësisht paragrafi 15, i referohet vetëm demilitarizimit të UÇK-së, proces ky i përmbyllur në kohë rekorde dhe pa asnjë incident në shtator të vitit 1999, si dhe i vlerësuar lartë edhe nga Këshilli i Sigurimit dhe Sekretari i atëhershëm Kofi Annan.
“Ishte vlerësuar lart edhe nga NATO dhe kjo mbështetet nga dëshmitë dhe raportet ekzistuese të NATO-s, por edhe të UNMIK-ut në atë kohë”, ka thënë Thaçi.
Së dyti, sipas tij, pakoja gjithëpërfshirëse e presidentit Ahtisari, i cili ishte edhe i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të KB-së për negociata lidhur me statusin final të Kosovë, në nenin 52 nënvizon qartë të drejtën e Kosovës për të pasur ushtri.
“Për më tepër, rishikimi i sektorit të sigurisë, i realizuar në bashkëpunim të ngushtë me NATO-n, thekson shumë qartë të drejtën e Kosovës për transformimin e FSK-së në ushtri. Dhe në fund fare, vijon më e rëndësishmja, vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, që duhet theksuar se është marrë me kërkesën e shtetit serb, nënvizon qartë si loti se Kosova nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare me shpalljen e pavarësisë së saj. Dhe rrjedhimisht, është e drejtë e pakontestueshme e Kosovës që të ketë ushtrinë e saj”, ka thënë Thaçi.
Themelimi i ushtrisë, sipas presidentit Thaçi, është vullnet i qytetarëve të Kosovës me mbështetje unanime politike nga të zgjedhurit e popullit, pavarësisht nëse i pëlqen kjo dikujt apo jo.
“Shteti i Serbisë është paraqitur i zemëruar. Por, jo edhe qytetarët serbë të Kosovës”, ka thënë Thaçi./arbresh.info/
MPB miraton vendimin për regjistrimin e fakteve të gjendjes ...
Diana shoqe me Veronën e Bucit, ndanë momente të lumtura së ...
Gresa dhe Xheneta komentojnë provokimin që ia bënë Drilonit
Kush po i bie mësysh Realit, lëndohen edhe Mbappe, Bellingha...
Gresa dhe Xheneta komentojnë provokimin që ia bënë Drilonit
Vrasja në Florida të ShBA-së, dyshohet se çifti që humbi jet...