Thaçi i përgjigjet ashpër ambasadorit britanik, thotë se po flet fjalë të çmendura

07:34 | 15 Gusht 2018
Arbresh.info

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i është kundërpërgjigjur Ambasadorit të Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruari O’connell, i cili në një intervistë në T7 ka deklaruar që qeveria e Britanisë është kategorikisht kundër idesë së presidentit për ndarje të territorit. “Kufijtë shkruhen me fjalë, por ndërrohen me plumba”, ka thënë O’connell.

Presidenti Thaçi në një postim në Twiter ka thënë se  korrigjimi i kufijve do të bëhet me dialog dhe me procese paqësore.

“Demarkimi/ korrigjimi i 400km gjatësi kufitare në mes të Kosovës dhe Serbisë do të bëhet me dialog, do të jetë i shënuar në fjalë dhe proces paqësor. Larg nga fjalët e çmendura, dhe plumbat e luftës”, ka shkruar Thaçi.

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruari O’connell në një intervistë dhënë për Frotnal Live në T7 u deklarua kategorikisht kundër idesë për korrigjim kufijsh.

Derisa ai nuk sheh dallim në mes të korrigjimit dhe ndryshimit të kufijve, thotë se gjërat e tilla nuk kryhen në mënyrë paqësore.

“Kufijtë shkruhen me fjalë, por ndërrohen me plumba”, tha O’Connel.

Kjo nuk është hera e parë që Thaçi dhe O’Connell përplasen.

Dhjetorin e vitit të kaluar, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar kishte reaguar ashpër pas mbledhjes së nënshkrimeve për shfuqizimin e ligjit për Gjykatën Speciale.

“Sonte, mund të jetë nata më e rrezikshme për Kosovën që nga lufta”, kishtë thënë O’Connell në një prononcim për mediat.

Drama për Gjykatwn Speciale filloi më 22 dhjetor, kur tre liderët e vendit, presidenti Hashim Thaçi, kryeparlamentari Kadri Veseli dhe kryeministri Ramush Haradinaj ndërmorën nismën për ta shfuqizuar gjykatën e cila pretendon t’i gjykojë krimet e pasluftës në Kosovë.

Ndërkohë idenë për ndryshim e korrigjim kufijsh e ka nisur Presidenti Thaçi menjëherë pasi kishte dështuar të shfuqizonte Gjykatën Speciale. Në janar të këtij viti Zyra e Thaçit e kishte lënë të hapur idenë e bisedimeve me Serbinë, duke përfshirë edhe temën e kufijve.

Deri tash vetëm Gjermania e Britania kanë dalë krejtësisht kundër, ndërsa, vendet tjera kanë lënë të hapur mundësinë e çfarëdo marrëveshje me të cilën palët mund të pajtohen.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme