Thaçi dekoron të dënuarin për rrëmbim e keqtrajtim të dëshmitarëve

19:29 | 5 Mars 2019
L G

Ish-komadanti i Shtabit të Përgjithshem te UÇPMB së dhe i dënuari me burgim për rrëmbim e tentim detyrim të dëshmitarëve, Shefket Musliu është dekoruar nga presidenti Hashim Thaçi me dekoratën “Urdhri i Pavarësisë”.

Më 5 tetor të vitit 2010, Gjykata e Qarkut në Gjilan e kishte dënuar Shefket Musliun me 10 vjet e 6 muaj burgim për veprat penale ‘rrëmbim’ dhe ‘tentim detyrim’, shkruan Insajderi.

Por kjo nuk i ka bërë përshtypje presidentit Thaçi. Për Thaçin, Shefket Musliu është person që kanë dhënë kontribut të lartë për pavarësinë e Kosovës.
Në vendimin e nënshkruar nga Thaçi, njoftohet se “Z. Shefket Musliu, dekorohet me Urdhrin e Pavarësisë”, dhe se “Urdhri i Pavarësisë u jepet personave që kanë dhënë kontribut të lartë për pavarësinë e Kosovës”.

Shefket Musliu u shpall fajtor për shkak të rrëmbimit të dëshmitarit AK më 8 nëntor të vitit 2001 në Novosellë të Vitisë. Ai, rrëmbimin e dëshmitarit e kishte kryer bashkë me Besnik Tahirin, i cili po ashtu ishte dënuar me burgim prej 6 vjet e 9 muaj.

Historia e rrëmbimit dhe keqtrajtimit të dëshmitarëve nga Shefket Musliu tingëllon si një skenë filmi.

Musliu e kishte urdhëruar dëshmitarin AK, i cili në atë çast gjendej në makinën e vet, që ta përcillte atë deri te një garazh. Kur kishin arritur atje, Musliu e kishte mbyllur dëshmitarin brenda dhe e kishte keqtrajtuar fizikisht për gjysmë ore. Musliu përpiqej ta detyronte atë që t’i jepte informacione se kush kishte dhënë urdhër për paraburgimin e tij.

Po ashtu, Musliu u shpall fajtor edhe për shkak të detyrimit të dëshmitarit 1, që u krye më 24 prill, 2002 në Gjilan, kur ai e ndali makinën në të cilën gjendej dëshmitari 1 dhe, duke mbajtur diçka në dorë që dukej si armë zjarri, i kishte kërkuar atij para.

Dhe në fund Musliu u dënua për shkak të rrëmbimit të dëshmitarëve 3 dhe 4 që u krye në muajin shtator të vitit 2000 në fshatin Dobërqan, në bashkëveprim me të akuzuarin Besim Tahirin, me ç’rast këta dy i mbanin dëshmitarë të mbyllur për disa ditë.

Përderisa Thaçi e vlerëson lart Shefket Musliun, edhe ky i fundit duket se e vlerëson presidentin e Kosovës. Musliu ishte prej të paktëve në mbështetje të Thaçit kur të tjerët e kanë kundërshtuar.

Në fillet e prezantimit të idesë së Thaçi për korrigjim të kufijve me Serbinë, përveç spektrit politik të Luginës, presidentit i kishin dalë në mbështetje edhe ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc. Ndër të parët në mbështetje të Thaçit doli ish-komandanti i UÇPMB-së, Shefket Musliu.
Idenë e korrigjimit të kufirit me Serbinë, Musliu e kishte vlerësuar si diçka të domosdoshme dhe që duhet të përkrahet.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme