Testi i Koordinatorit Nacional ka shkaktuar edhe dëme, thotë Bytyqi

00:43 | 15 Maj 2019
Trina Galanxhi

Për numrin një të politikës së arsimit në Kosovë, Shyqiri Bytyqi, organizimi i garës së diturisë, nga Koordinatori Nacional i Arsimit, Rexhep Hoti, ka mundur të shkaktojë edhe dëme në sistemin arsimor në Kosovë.

Nuk ka folur as për madhësinë e dëmit e as për pasojat e tij, derisa ka thënë se kanë bërë thirrje për një raport të detajuar për mbarëvajtjen e testit, pas të cilës do të mund të dalin me një opinion më të saktë.

Në Interaktiv të KTV-së, ai ka thënë se Ministria e Arsimit e luan rolin kryesor në sistemin arsimor, derisa një pjesë shumë të rëndësishme të këtij menaxhimi e kanë edhe pushteti lokal, respektivisht Drejtoritë Komunale të Arsimit.

“Kjo që ka ndodhur është pjesë e koordinatorit nacional. Ministria e Arsimit nuk ka qenë pjesë e organizimit. Edhe ne si Ministri kemi marrë shqetësime për organizimin e testit. Kemi kërkuar raport për ecurinë dhe mbarëvajtjen e këtij procesi. Sapo të kemi një raport do të dalim me një deklaratë rreth kësaj çështje”, ka thënë Bytyqi, përcjell Koha.net. “Kemi shqetësime edhe nga prindërit edhe nga shkollat, por nuk kemi një opinion derisa të kemi raportin e detajuar”, ka thënë më tej.

Sipas tij, ideja për këtë garë ka qenë e mirë dhe ka pasur synim që të nxitë mendimin kritik te nxënësit, derisa ka shtuar se me këtë arsye i është dhënë edhe leja nga Qeveria e Kosovës që të mbahet ky testim.

“Por nëse ai ka dështuar, ne do ta shohim pasi që t’i marrim detajet e raportit”, ka thënë ai.

Ai ka folur edhe për thirrjen nga ana e Komisionit për Arsim në Kuvendin e Kosovës, për raportim.

“Rolin kyç në raportim në Kuvend do ta ketë Koordinatori. Unë jam i gatshëm që të raportojë sa herë që thirrem”, ka thënë ai.

Bytyqi ka thënë se MASHT-i ka pasur angazhimet e veta për ngritjen e cilësisë. Dhe në kuadër të tyre ata nuk kishin planifikuar një test të tillë.

“Në një të ardhme të afërt edhe do të mund të bënim jë test të tillë, por jo në përmasa të tilla. Sepse për këso përmasa duhet një përgatitje shumë më e madhe. Ndoshta kemi mundur ta bënim me përmasa më të vogla, me nxënës të përzgjedhur. Kështu si është bërë, ndoshta ka shkaktuar edhe dëme”, ka thënë ai.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme