Google ADS

Terreni për rrëzimin e Qeverisë

08:02 | 6 Mars 2019
V. S.

Ndonëse nuk kanë kaluara më shumë se një vit që kur kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, vendosi të bashkëqeverisë vendin me kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, liderin e NISMA Socialdemokrate, Fatmir Limaj, dhe liderin e Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, duket se jo çdo gjë ishte e llogaritur mirë.

U desh vetëm një vendim për taksën ndaj Serbisë dhe të vihen në pah  mendimet kundërthënëse nga partnerët  e koalicionit.

Këmbëngulësia e kryeministrit Haradinaj, duket se do të jetë  edhe shkaku i përgatitjes së një tabori për rrëzimin e qeverisë nga vetë kumbara i koalicionit PAN.

Tashmë kjo nuk mund të fshihet dhe po shihet qartë çdo ditë e më shumë ka deklaruar Mazllum Baraliu, profesor universitar.

“Po përgatitet një teren për rrëzimin e kësaj Qeverie. Nëse deri tash kanë shkuar tërthorazi, tashmë po thonë troç se një Qeveri që s’i kultivon marrëdhëniet me të tjerët siç janë Amerika duhet të shkojë. Kjo është shprehja më e drejt nga diçka që po përzihet brenda koalicionit mbase edhe presionet e qarta, edhe dje nga përfaqësuesi në Shkup, po del qartazi se mund të prishet ky koalicion dhe të rrezohet kjo Qeveri”, është shprehur Baraliu për arbresh.info.

Sipas tije, mjafton vetëm edhe një parti t’i bashkëngjitet PDK-së, rreth kësaj ideje dhe kjo Qeveri do të bie.

“Kjo qeveri mund të bie me mocion të mosbesimit të shprehur në bazë të këtyre trendëve që po dalin në sipërfaqe nga PDK-ja sepse po shihet në bazë të deklaratave. Vetëm këta s’mund ta bëjnë, por mund ta iniciojnë dhe ta marrin mbështetjen edhe nga partitë opozitar siç ka ndodhur kur ra Qeveria e LDK-së ose dhe me ndonjë deputet nga NISMA ose AAK-ja,  pasi po shihet që ka indikacione brenda për një çështje të tillë. Shumë lehte mundet që dikush t’i ndihmoj PDK-së  për një mocion votëbesimi dhe ta rrezoj këtë Qeveri”, ka përfunduara ai.

E nga të gjitha këto  zëra dhe pa pajtueshmërinë rreth  taksës, nuk do të ishte çudi nëse ndonjë nga partnerët e koalicionit të kërkojnë ndonjë zëvendësim për koalicionin Qeverisës, thotë Artan Murati nga KDI.

Murati për arbresh.info, ka thënë se kjo mund të vërehet edhe në tendencat për përfshirjen e LDK-së, në një qeveri më të gjerë.

“Tanimë është mëse e qartë se nuk ka pajtueshmëri për disa nga temat kryesore në vend në radhët e koalicionit qeverisës. Problemi kryesor i shpërfaqur së fundi është pikërisht tarifa e vendosur ndaj mallrave serbe e boshnjake dhe hapat e mëtutjeshëm për këtë tarifë. Nuk do të ishte çudi nëse do të kishte lëvizje nga ndonjëri nga partnerët e koalicionit për të kërkuar ndonjë ‘zëvendësim’ në koalicionin qeverisës, dhe kjo dëshmohet me tendencat për përfshirjen e LDK-së në një qeveri më të gjerë dhe gjithëpërfshirëse. Megjithatë, nuk e shoh se disa subjekte politike janë të gatshme për zgjedhje, sidomos jo tani. Rast konkret është PDK-ja, dhe qëndrimi pro pezullimit të taksës. Ky do të mund të ishte një momentum i disfavorshëm për këtë subjekt, dhe rrjedhimisht kjo edhe mund t’i kufizoj lëvizjet potenciale për zgjedhje të reja”, ka thënë Murati.

Se prapa gjithë këtyre zhvillime mund të ketë edhe një përgatitje tereni për rrëzimin e Qeverisë, e thotë edhe Emrush Ujkani, njohës i çështjeve politike.

Sipas tij çështja e taksës, ka bërë që në këtë drejtim të ketë lëkundje edhe nga vetë partneret e koalicionit.

“Këto janë zhvillime që tregojnë se s’ka stabilitet të qëndrueshëm ky koalicion . Kjo mazhorancë po shihet se jo vetëm që ka probleme me ndërkombëtarët por po kanë probleme edhe mes veti, pasi që po shihen qëndrimet e tyre dhe kjo mund të tregojë se po shkojnë kah zgjedhjet. Interes për të shkuara në zgjedhje ka ma shumë opozita, por nuk përjashtohen edhe koalicioni pasi që ndikimi i taksës dhe qëndrimet e kundërta mund të jenë vetëm disa nga arsyet për të rrezuar Qeverinë”, ka përfunduara Ujkani.

Ndryshe kërkesat e vazhdueshme dhe vizitat që po bëhen nga përfaqësuesit e lartë amerikanë në Kosovë, kanë nxitur edhe deklarimet kundër njeri-tjetrit tek partnerët e koalicionit. /V.Selimi/arbresh.info/

 

 

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme