Kompania e Sigurimit “Security Code” dhe kompania “Rojat e Nderit” janë përplasur rreth një tenderi për sigurimin e KEK’ut. Ka dyshime për korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare, shkruan Gazeta Express.
Kompania e Sigurimit “Security Code”, ka deponuar një kallëzim penal në Prokurorinë Themelore të Prishtinës ndaj Blerim Dinës si kryetari i Panelit Shqyrtues të OSHP-së, Isak Kerollit si zyrtar ekzekutiv i Prokurimit në KEK dhe disa zyrtarëve të tjerë për ‘keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar’.
Ky kallëzim penal ka ardhur pas pretendimeve të kompanisë “Security Code” se janë bërë rreth 12 shkelje kur është vendosur që tenderi 7 milionësh i Korporatës Energjetike të Kosovës “Ruajtja dhe Sigurimi i Objekteve të KEK-ut” , ti jepet kompanisë ‘Rojet e Nderit’.
Kompania ‘Security Code’, ankesën e tyre për parregullsitë e pretenduara ia kanë drejtuar Organit Shqyrtues të Prokurimit me datë 1 janar të vitit 2018.
Sipas kompanisë “Security Code’, kompania e cila është shpallur fituese e tenderit, ka bërë manipulime të shumta dhe ka fituar tenderin edhe përkundër faktit se nuk i ka plotësuar kushtet e kërkuara sipas tenderit të Korporatës Energjetike të Kosovës ‘Ruajtja dhe Sigurimi i Objekteve të KEK-ut’.
Në padinë e ngritur nga kompania “Security Code” në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, thuhet se kompania fituese e tenderit të KEK-ut ‘Rojet e Nderit’, kanë bërë edhe manipulime në pasqyrën financiare vetëm për të përmbushur kërkesën e parashtruar në dosjen e tenderit.
Përveç kësaj thuhet që kompania ‘Rojet e Nderit’ nuk ka përmbushur as kërkesën e KEK-ut për ofrimin e informatave për veshjet dimërore dhe ato verore.
Kriteret për veshje janë përcaktuar nga ana e KEK-ut, ku thuhet se uniforma dimërore duhet të përmbajë: xhaketën të trashë dimërore me emblema të shtypura të kompanisë, xhemper i trashë dimëror me emblema gjithashtu, këmishë me mangë të gjata, pantallona dimërore, kravatë me emblema të kompanisë. Ndërsa tek uniforma verore janë paraparë :këmishë verore me mëngë të shkurta, pantallona verore dhe kravata me embleme të kompanisë.
Gazeta Express ka siguruar dokumentet e dosjes së operatorit fitues “ Rojet e Nderit’, ku shihet se tek fatura për veshjet dimërore mungojnë xhemperi dhe kravata, të cilat kërkohen sipas standardeve së ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës.
Po ashtu edhe tek fatura e uniformës verore e kompanisë ‘Rojet e Nderit’, mungojnë këmisha dhe kravata të cilat kërkohen sipas standardeve të MPB-së.
Kompania ‘Security Code’, gjithashtu pretendon se kompania fituese e tenderit nuk ka plotësuar edhe kushtin tjetër të kërkuar në tender lidhur me pajisjen e mbikëqyrësve (menaxherëve) të zonave me ‘Licencë të Menaxherit për Shërbime Themelore të Sigurisë’, sipas Ligjit Nr. 04/L-004 që lëshohet nga Ministria e Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës.
Sipas tyre në Dosjen e Tenderit janë kërkuar gjithsejtë 6 menaxherë të zonave të pajisur me Licencë nga MPB-ja, ndërsa kompania fituese e tenderit ‘Rojet e nderit’ ka paraqitur vetëm 5 menaxherë të licencuar.
Për këto dhe të tjera pretendime kompania ‘Security Code’ është ankuar edhe në Organin Shqyrtues të Prokurimit.
Pas analizës dhe komentimit të ankesave të kompanisë ‘Security Code’, OSHP-ja kishte ardhur në përfundim se ankesa e kompanisë ankuese nuk është e bazuar dhe se kompania e rekomanduar në këtë rast ‘Rojet e Nderit’ i plotëson të gjitha kërkesat e parashtruara në dosjen dhe ofertë.
Në vendimin e Panelit Shqyrtues thuhet se oferta e kompanisë ‘Security Code’ prej 7 milionë e 252 mijë e 918 euro, është më e lartë për 1 milion e 173 mijë e 553 euro se sa oferta e kompanisë fituese ‘Rojet e Nderit’.
Prandaj sipas tyre lëshimet e vogla të cilat mund të jenë bërë janë të parëndësishme në raport me interesin publik dhe fondet publike. Sipas tyre këto fonde autoritetet kontraktuese janë të obliguara t’i përdorin në mënyrë më ekonomike.
Por Esat Tahiri pronar i kompanisë “Security Code”, në një prononcim për Gazetën Express, thotë se pas këtij vendimi për dhënie të tenderit për kompaninë “Rojet e Nderit” ka ndërhyrje politike dhe korrupsion.
“Nuk e di, OSHP-ja është e korruptuar apo nuk e di. Definitivisht në këtë rast ka pasur korrupsion, këtë Prokuroria do ta argumentojë. Ky tender është dhënë me vendime politike. Definitivisht ka ndërhyrje politike”, ka thënë ai për Express.
I pyetur nga Express edhe rreth çështjes së sigurimit të shujtës ditore për punëtorët e kompanisë ‘Rojet e nderit’, të cilët do të punojnë në sigurimin e objekteve të KEK-ut, Tahiri thotë se për ta është paraparë një shumë prej 2 eurove në muaj për ushqim, apo 0.09 cent në ditë për një punëtor.
“Një gjë e tillë është pa kurrfarë logjike”, ka thënë ai.
Lidhur me këto pretendime për parregullsi gjatë tenderimit, në një email të siguruara nga Gazeta Express, me 31 maj të vitit 2018 kishte reaguar edhe Ymer Dragusha, zyrtar i Prokurimit në Korporatën Energjetike të Kosovës.
Në shkresën e tij dërguar OSHP-së, Dragusha kishte evidentuar të gjitha parregullsitë, duke drejtuar kritika në drejtim të zyrtarëve të këtij institucioni.
“Ne mendojmë se kemi të bëjmë me një vendim të panelit shqyrtues i cili është plotësisht i padrejtë”, kishte shkruar ai në letrën drejtuar OSHP-s”, kishte shkruar ai në letrën drejtuar OSHP-së.
Dragusha në këtë letër kishte shprehur shqetësimet e tij se si OSHP-ja e kishte miratuar nënshkrimin e një kontrate, me një operator ekonomik i cili në nuk ka propozuar shpenzimet për mbulimin e kontratës. Sipas ti një gjë e tillë do t’i shkaktojë dëme të mëdha operatorit kontraktues ‘KEK-ut’.
Në letrën e tij, Dragusha kishte thënë se vendime të tilla të marra nga OSHP-ja po e dëmtojnë imazhin e institucionit, dhe po ndikojnë në krijimin e një perceptimi negativ edhe ndaj KEK-ut.
Gazeta Express lidhur me këtë kontratë dhe këto pretendime të kompanisë ‘Security Code’, ka kontaktuar edhe kompaninë fituese të tenderit ‘Rojet e Nderit’.
Ata nuk kanë dashur që të komentojnë pretendimet e ‘Security Code’, dhe se tashmë thonë se kanë filluar implementimin e kontratës së nënshkruar me KEK-un.
“Ne dëshirojmë të ju bëjmë me dije se ne si kompani nuk komentojmë pretendimet e tilla që nuk kanë të bëjnë me ne! Ne nuk jemi të autorizuar nga OSHP apo kushdo tjetër të komentojmë padinë ne fjalë. Ne jemi shpallur fitues mbi bazën e kritereve dhe kushteve të dosjes së tenderit, prandaj mbi këtë bazë, kompania jonë ka filluar të implementojë kontratën e nënshkruar me KEK-un ne afatin e paraparë kohorë”, thuhet në përgjigjen e tyre për Express.
Express ka dërguar edhe disa pyetje në drejtim të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, për të marrë informacione rreth padisë së ngritur nga kompania ‘Security Code’, por deri sot nuk ka marrë asnjë përgjigje./GazetaExpress/
Arrestohet personi që vodhi automjetin që u përdor në atenta...
Rusia pretendon se ka marrë kontrollin e fshatit Kopanky të...
Trajneri i Empolit flet për largimin e mundshëm të Ardian Is...
Dështon mbledhja e Komisionit për Ekonomi, shkak mungesa e k...
BE-ja i bën thirrje Izraelit të pranojë marrëveshjen e armëp...
Raportohet se dy persona nga Podujeva janë arrestuar nga Ser...