Google ADS

Të ndalet mosndëshkimi i krimeve ndaj gazetarëve

12:58 | 2 Nëntor 2018
Arbresh.info

Më 2 nëntor shënohet dita ndërkombëtare për eliminimin e mosndëshkimit për krimet ndaj gazetarëve përmes së cilës bëhet fushatë globale dhe kërkohet nga institucionet shtetërore që të parandalojnë dhunën ndaj gazetarëve.

Mosndëshkimi i krimeve ndaj gazetarëve ka efekte negative të shumta në punën e gazetarëve dhe në mjedisin se ku ata punojnë.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka theksuar në vazhdimësi se autorët e krimeve duhen të sillen gjithmonë para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar.

Mosndëshkimi i krimeve ndaj gazetarëve inkurajon të tjerët që të sulmojnë fizikisht dhe kërcënojnë gazetarët të cilët me punën e tyre informojnë publikun e gjerë, thuhet në komunikatën e AGK-së.

AGK rithekson se duhen krijuar mekanizma specifik për mbrojtjen e gazetarëve dhe se institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë duhen të tregohen më efikase në trajtimin e rasteve të sulmeve, kërcënimeve,
frikësimeve dhe presioneve ndaj gazetarëve dhe punëtorëve medial.

Në këtë ditë, po ashtu AGK përkujton vrasjen dhe zhdukjen e 14 gazetarëve në Kosovë për të cilat raste asnjë kryerës i veprave kriminale nuk është sjellur para drejtësisë.

Vrasja e fundit ka ndodhur në vitin 2005 kur gazetari Bardhyl Ajeti është vrarë në një pritë gjatë rrugës për në shtëpi dhe që nga atëherë vrasësi i tij ka mbetur pa u ndëshkuar.

Më poshtë sjellim listën e plotë të gazetarëve që janë vrarë dhe zhdukur që nga viti 1999 e për të cilët asnjë autor i krimit nuk është sjellur para drejtësisë.

1. Enver Maloku, themelues i Qendrës Informative të Kosovës, i vrarë më 11 janar 1999 afër banesës së tij në Prishtinë.

2. Shefki Popova, gazetar shumëvjecar në gazetën “Rilindja”, i vrarë më 10 shtator 2000 në hyrje të baneses së tij ne Vushtrri.

3. Xhemajl Mustafa, i vrarë më 23 nëntor 2000 në hyrje të banesës së tij në Prishtinë.

4. Bekim Kastrati, gazetar në “Bota Sot”, i vrarë më 19 tetor 2001 në pritë afër fshatit Llaushë, Skenderaj.

5. Bardhyl Ajeti, gazetar i së përditshmes “Bota Sot”, i vrarë më 3 qershor 2005 në pritë në afërsi të fshatit Bresalc, Gjilan.

6. Ranko Perenic dhe Djuro Slavuj, gazetarë në Radio Prishtinë, të rrëmbyer dhe zhdukur më 21 gusht 1998 derisa ishin duke shkuar për në fshatin Zoqishtë të Rahovecit për të bërë një lajm në lidhje me kthimin e një murgu
të rrëmbyer.

7. Ljubomir Knezevic, gazetar i “Jedinstvo” dhe korrespondent i gazetës beogradase “Politika, i rrëmbyer dhe i zhdukur më 6 maj 1999 në afërsi të Vushtrrisë.

8. Milo Buljevic, gazetar i RTV Prishtinës është rrëmbyer më 25 qershor 1999, jo larg qendrës së refugjatëve ku ka jetuar. Mbetet person i pagjetur.

9. Krist Gegaj, punëtor në Radiotelevizionin e Prishtinës, i vrarë më 12 shtator 1999.

10. Momir Stokuca, fotoreporter në gazetën e përditshme “Politika”, i vrarë më 21 shtator 1999 në shtëpinë e tij në Prishtinë.

11. Afrim Maliqi, gazetar i së përditshmeve “Rilindja” dhe më pas “Bujku”, i vrarë më 2 dhjetor 1998 në Prishtinë.

12. Marjan Melonasi, gazetar në redaksinë e Radio Kosovës në gjuhën serbe, i rrëmbyer më 9 shtator 2000, aktualisht i zhdukur.

13. Aleksandar Simovic, i zhdukur më 21 gusht 1999. Mbetjet mortore të tij, janë gjetur në fshatin Obri afër Drenasit.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka shpallur 2 nëntorin ditën ndërkombëtare për përfundimin e mosndëshkimit të krimeve ndaj gazetarëve duke iu bërë thirrje shteteve anëtare që të zbatojnë masa që të
luftojnë kulturën aktuale të mosndëshkimit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme