Njohësit e rrethanave politike në vend vlerësojnë se kjo situatë po e rikonfirmon domosdoshmërinë e rinisjes së dialogut për të zgjidhur kontestin mes Kosovës dhe Serbisë sepse problemi i brendshëm nuk mund të zgjidhet tërësisht pa një marrëveshje përfundimtare.
Analisti politik Shkodran Ramadani, vlerëson se ky aksion i Policisë së Kosovës është përpjekje për të rikthyer rendin dhe ligjin.
Sipas tij për të arritur këto duhet edhe përpjekje politike nga Kosova, Serbia, KFOR-i dhe BE-ja.
“Si kundërmasë për vendosjen e taksës nga ana e Kosovës, Serbia ka radikalizuar aktivitetin e vet në veri-perëndim në dy drejtime: kriminal dhe politik. Ky radikalizim ka shkrirë dallimet mes krimit dhe politikës në veri-perëndim. Ato janë aq shumë të ndërlidhura, saqë është e vështirë të bëhet ndonjë dallim qenësor mes tyre. Në nivel kriminal, Serbia ka revitalizuar kanalet e kontrabandës së mallrave të ndryshme. Këtë e ka mbështetur me radikalizim të mjeteve në nivel politik përmes dorëheqjeve të kryetarëve të komunave në atë pjesë të vendit. Kjo lidhje e krimit me politikën nuk shihet askund më mirë sesa në figurën e Milan Radojçiqit, udhëheqës politik dhe kriminal. Ky aksion i Policisë së Kosovës është përpjekje për të rikthyer rendin dhe ligjin. Si i tillë është i mirëseardhur dhe i domosdoshëm, por i pamjaftueshëm për të garantuar qetësi dhe siguri të vazhdueshme. Për të arritur këto duhet edhe përpjekje politike nga Kosova, Serbia, KFOR-i dhe BE-ja”.
Tutje thotë se shteti i Kosovës duhet të kujdes se si e trajton veri-perëndimin e Kosovës, ai thotë se kjo situatë e rikonfirmon domosdoshmërinë e rinisjes së dialogut për të zgjidhur kontestin mes Kosovës dhe Serbisë.
“Kjo situatë e rikonfirmon domosdoshmërinë e rinisjes së dialogut për të zgjidhur kontestin mes Kosovës dhe Serbisë sepse problemi i brendshëm i veri-perëndimit nuk mund të zgjidhet tërësisht pa një marrëveshje përfundimtare. Veri-perëndimi nuk mund të zgjidhet vetëm nëpërmes mekanizmave të rendit dhe ligjit. Me këto mekanizma vetëm mund të menaxhohet situata. Madje përdorimi i vazhdueshëm i tyre pa i mbështetur këto mjete me përpjekje politike vetëm mund ta degjenerojë situatën në atë pjesë të vendit dhe të vështirësojë gjetjen e ndonjë zgjidhje të qëndrueshme. Kësisoj, shteti i Kosovës duhet të kujdes se si e trajton veri-perëndimin e Kosovës”, tha ai.
Ndërsa, analisti politik Ramush Tahiri, deklaron se Serbia nuk ka drejtë të kërcënojë në territor tjetër që e ka policinë, gjyqësinë dhe institucionet e veta, e që bashkëpunon me bashkësinë ndërkombëtare.
“Aksioni i Policisë së Kosovës në veri të Kosovës është aksion i drejtë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Që një kohë të gjatë kufijtë e veriut të Kosovës janë kufij jo të kontrolluar, dhe malli i Serbisë po vjen nëpër rrugë jo alternative. Disa herë i kanë gjetur edhe kamionët. Ky aksion nuk duhet të këqyret kundër popullatës, sepse edhe populli është gjithashtu i shtypur prej këtyre krimineleve dhe bandave kriminale dhe është e kontrollume dhe e frikësume prej këtyre. Ndërsa kërcënimet e Serbisë janë komplet të pabaza sepse nuk mundet me u perzi në Kosovë dhe nuk mundet me kërcënu në territor tjetër që e ka policinë, gjyqin dhe institucionet e veta dhe që bashkëpunon me bashkësinë ndërkombëtare. Gjithashtu edhe KFOR-i e dha komunikatën që po e përcjell aksionin që është e drejtë dhe legjitim”, deklaroi Tahiri për arbresh.info.
Policia e Kosovës në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës, si dhe nën asistimin e njësiteve tjera relevante në zbatim të urdhëresës së Gjykatës Themelore Prishtinë, realizoi një operacion i cili ka rezultuar me ndalimin e disa zyrtarëve policor dhe disa qytetarëve.
Këtij operacioni policor i ka paraprirë një hetim disa mujor i IPK-së, PK-së i udhëhequr nga Prokuroria Speciale e Kosovës, i cili ka rezultuar me dyshimin e bazuar të përfshirjes së disa zyrtareve policor dhe të disa qytetarëve në; “Pjesëmarrje ose Organizim i Grupit Kriminal”, në lidhje me veprat tjera penale si; “Kontrabandim me Mallra”, “Keqpërdorim i Pozitës Zyrtare”, “Dhënie e Ryshfetit”, “Tregti e Ndaluar” etj./arbresh.info/
Rriten rastet e norovirusit në ShBA
Haradinaj e çon Specialen në Gjykatën e Strasburgut
Ronaldo këshillon lojtarët e Man Cityt se si ta tejkalojnë k...
Vendoset gurthemeli i çerdhes së re në Rekë-Vatë të Komunës ...
Rama: Plan strategjik për integrimin në BE, negociatat i mby...
Një 38-vjeçar në Prizren hedhet nga ballkoni i shtëpisë, pës...