Ndonëse ka gati pesë muaj që kur Qeveria e Kosovës ka vendosur taksë 100% ndaj produkteve serbe dhe boshnjake, çmimet e këtyre produkteve nuk kanë shënuar rritje, njofton Indeksonline.
Pothuajse me çmim dhe sasi të njëjta ato mund të gjenden kudo në marketet e Kosovës. E një gjë e tillë, sipas njohësve të ekonomisë është shqetësuese.
Përveç se dyshojnë se mallrat serbe janë duke u kontrabanduar, ata kanë ngritur shqetësimin se pas gjithë kësaj qëndrojnë vet institucionet e vendit.
Njohësi i çështjeve ekonomike Lulzim Beqiri për Indeksonline ka thënë se taksa nuk e ka arritur efektin e saj ashtu siç është duke pretenduar Qeveria e Kosovës.
Sipas Beqirit, është e pamundur që edhe pas vendosjes së taksës 100% bizneset të kenë sasi të mëdha të mallrave nga Serbia.
“Po bëhen disa muaj që Qeveria e Republikës së Kosovës i ka vënë taksë Serbisë dhe Bosnjës, duke rritë edhe mundësinë e shitjeve për kompanitë vendore, çka në fakt edhe ka ndodh. Mirëpo shqetësuese mbetet situata e prezencës së produkteve serbe në sasi kaq të mëdha, pra efekti i taksës nuk ka arrit, siç pretendon qeveria e vendit, nuk ka mundësi që bizneset të kenë pas stoqe në kaq sasi të mëdha”, tha ai.
E vetmja mundësi, sipas tij, është se në doganë është duke u bërë “kontrabandë me letra”.
“Prandaj i vetmi dyshim që kam është se ato produkte janë kontrabandë me letra, pra, dikush nga institucionet e vendit ka gisht në legalizimin e mallrave, prandaj këtu sipas rrethanave janë dy mundësi, e para që ka rritje të kontrabandës në mënyrë enorme, çka jep mesazh negative për ekonominë dhe bizneset e vendit në mos efikasitetin e organeve kompetente, dhe e dyta që dyshojë shumë është ndihmesa e individëve në institucione të shtetit që ato mallra të hynë pa pengesë duke i legalizuar edhe përmes doganës”, tha Beqiri.
Ai ka thënë se lidhur me këtë çështje, duhet të bëhet një hetim urgjent.
Në anën tjetër, ekonomisti Mustafë Kadrijaj, ka shpalosur disa mundësi se si produktet serbe mund të kenë çmim të njëjtë edhe pas vendosjes së taksës.
Sipas tij, produktet serbe janë duke hyrë ilegalisht nga pjesët që nuk administrohen nga Kosova, dhe e dyta është që sasia e tyre të ketë qenë aq e madhe në tregjet kosovare sa që ka arritur të mbulojë gjithë këta muaj.
“Duke marrë parasysh që Kosova ende nuk administron territorin e vet si tërësi, produktet serbe hyjnë ilegalisht dhe furnizohet tregu. Aq më keq tani produktet serbe janë edhe më konkurrente sepse nuk paguajnë asnjë taksë. Ka mundësi që këtë sasi para hyrjes në fuqi të taksës por kjo mund të verifikohet lehtë nëse do të ketë vullnet të institucioneve relevante”.
Kadrijaj bën thirrje që kryeministrit t`i bëhet me dije se taksa 100% nga tani e tutje do të ketë efekt negativ.
Kjo pasi sipas tij, përveç humbjes së partneritetit me aleatët ndërkombëtar, futja ilegale e produkteve serbe në Kosovë dëmton ekonominë e vendit.
“Duhet t`i bëhet me dije kryeministrit aktual se tani e tutje taksa do te ketë efekte negativ për Kosovën si në aspekt ekonomik dhe politik. Këtë e them sepse në aspektin politik Kosova është duke u përballur nga miqtë më të afërt si ShBA dhe BE e Serbia po tenton të paraqitet si partner para miqve ndërkombëtar. Po ashtu me futje në mënyrë ilegale të produkteve serbe për Kosovën është humbje ekonomike, tani e tutje Serbia po fiton ekonomikisht dhe politikisht ndaj Kosovës”, përfundoi Kadrijaj.
I të njëjtit mendim me njohësit e çështjeve ekonomike është edhe Selatin Kaçaniku, kryetar i Organizatës “Konsumatori”.
Ai në një prononcim për Indeksonline, ka ngritur dyshimin se biznese të caktuara kanë qenë të paralajmëruar për vendosjen e taksës dhe janë përgatitur për krijimin e rezervave.
“Ka shumë dyshime se disa biznese ishin ‘paralajmëruar/përgatitur’ për aplikimin e taksës. Dyshohet se këto biznese importuan sasi enorme të mallrave – për të krijuar rezerva të cilat, më pastaj, do të mund t’i shitnin pa barrën e 100 %-shit”, tha Kaçaniku.
Kaçaniku tha se “kontrabandohet çdo gjë, duke filluar nga medikamentet, mishi, mëlmesa, derivatet, shërbimet postare, energjia elektrike, interneti, medikamentet, shërbimet shëndetësore, shërbimet financiare e bankiere, transporti, lënda e parë…me lëndë të parë mbi të cilën ‘rëndon’ taksa 100 % paketohen, ambalazhohen, procedohen…shumë ‘prodhime vendore; fabrikat e të cilave u vizituan nga delegacionet e shumta të institucioneve dhe të zyrtarëve te lartë të Republikës së Kosovës”.
Kaçaniku ka kritikuar liderët institucional për takime me asociacion me bizneset e jo edhe me konsumatorin.
Ndryshe në nëntor të viti të kaluar, Qeveria e Kosovës, nga 10% sa e kishte vendosur fillimisht, ka rritur në 100% taksën ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës. /Indeksonline/
Fonseca insiston se Milani mund ta fitojë titullin kampion p...
Palestinezët e konsiderojnë moment historik urdhër arrestin ...
“Ose do bëhet multiplanetare, ose do zhduket”, paralajmërimi...
Çka i shkakton dhimbjet e kokës në mëngjes?
A Kane karbohidrate kartotat dhe barishtet jeshile?
A është tradhtia një sëmundje apo një zgjedhje?