Tahiri tërthorazi hedh poshtë mundësinë e largimit nga Qeveria

14:54 | 3 Tetor 2018
Arbresh.info

Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri, emri i së cilit është lakuar së fundi për largim nga ekzekutivi, përmes një publikimi ka shprehur përkushtim për dinamikë të shtuar të punës dhe shtim të rezultateve.

Sado që Tahiri shprehimisht nuk u referohet zërave për largimin e tij nga Qeveria e Ramush Haradinajt, ai përmes zotimeve për të ardhmen, ka hedhur poshtë mundësinë e largimit nga kabineti qeveritar.

“Kryefjala e angazhimit tim politik e institucional është fuqizimi i sundimit të ligjit dhe kontributi për një shtet dhe shoqëri moderne që udhëhiqet nga parimet më të ndritura të demokracisë dhe mundësive e trajtimit të barabartë për të gjithë. Sfidat janë evidente, mirëpo me përkushtim dhe dinamikë të shtuar do të shtojmë edhe rezultatet”, ka shkruar Tahiri.

Gjatë ditës së djeshme, ishte kreu i PDK-së Kadri Veseli, i cili ka thënë se Tahiri është ndër ministrat më të suksesshëm, dhe nuk ka pse të largohet, duke shtuar se brenda kësaj partie nuk mund të merren veprime nga individët.

Abelard Tahiri në fundjavën që lamë pas shoqëroi Presidentin Hashim Thaçi në vizitën në Ujman, mirëpo nuk ishte i pranishëm në mbledhjen e djeshme të Qeverisë Haradinaj.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme