Edita Tahiri, ish-kryenegociatore në dialogun me Serbinë, ka thënë se nëse presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pajtohet që me Serbinë dialogu të mbyllet me këmbim territoresh, do t’i bënte favor Sllobodan Millosheviqit, Aleksandar Vuçiqit e Vladimir Putinit.
Sipas Tahirit, nëse Serbia do të merrte veriun, do të plotësohej dëshira e kamotshme për krijimin e Serbisë së Madhe dhe të destabilizimit të Ballkanit.
“Mirë është bë që nuk është hap kjo ide në dialog. Po të hapej debati i tillë, në politikë quhet hapje dere. Kosova lindi si shtet pas 100 vitesh. 100 vjet kemi luftuar. Ne s’u bashkuam me Shqipërinë që ishte e drejtë e jonë e natyrshme. Pavarësia ishte kompromisi që zgjodhëm. Tani kur Kosova është realitet, Gjykata Ndërkombëtare për Drejtësi e njohi si të ligjshme. Mbi 100 vende na kanë njohur. Çdo cenim i territorit është për t’i dhënë fitore Millosheviqit. Vënia në pikëpyetje e kësaj arritje është dështim gjeopolitik dhe hapje e rrugës për të kthyer ndikimin rus në Ballkan. Serbia e madhe bëhet duke marrë veriun e Kosovës, sepse ka tashmë Bosnjën. Përsëri do të kthehej hegjemonia serbe dhe destabilizim i ri. Rusinë nuk e duam, e lëre më të hapim dyer për të bërë Serbinë e madhe e të rehatojmë nacionalistët serbo-rusë. Çdo këmbim territori, i bën favor Millosheviqit, Putinit e dëmton interesat e shqiptarëve”, ka thënë Tahiri në Interaktiv të KTV-së.
Ajo ka komentuar përbërjen e Ekipit negociator që udhëhiqet nga Shpend Ahmeti dhe Fatmir Limaj. Ka thënë se janë dy probleme. Sipas saj, problemi i parë është mungesa e platformës dhe i dyti është mungesa e legjitimitetit të këtij ekipi.
Tahiri ka thënë se duhet patjetër që platforma të jetë e qartë se kufijtë nuk preken dhe se shtetet duhet të njohin njëra-tjetrën me kufijtë aktualë.
“Njohja reciproke mes dy shteteve është njohje mes dy shteteve aktuale që kanë lindur nga ish-Jugosllavia me këta kufij. Kosova është shpallur e pavarur më 2008 me këta kufij, e Serbia i ka kufijtë e vet. S’ka të bëjë me paqartësi. Paqartësia bëhet kur flitet për të dhënë tokë për njohje. Bëhet kontradiktë, ku shihen propaganda ‘e çka nëse bëhet shkëmbimi e pastaj bashkohemi me Shqipërinë’. E çka nëse bashkohemi me Shqipërinë, pse na duhet njohja? S’na duhet ulësja në OKB. Ka shumë kundërshti në këto ide, e për të pasur më shumë qartësi te populli duhet të ketë qartësi në platformë: Njohja e dy shteteve duke mbrojtur kufijtë e Kosovës. Kryeministri po e thotë, por duhet të shprehet në platformë e të miratohet në Kuvend”, ka shtuar ajo.
Tahiri ka folur edhe për fusnotën apo “fjollën e borës” siç e kishte quajtur ajo.
Ka thënë se Kosova ka pasur fusnotë edhe para dialogut, por se në kohën e saj “pati avancim”.
“Kosova ka pasur fusnotë edhe para dialogut. Ishte edhe më e keqe. Kosova ishte para dialogut me fusnotën Kosova nën rezolutën 1244. Ne i kemi shtuar vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që avancon ligjshmërinë e shtetit. Pse e kemi tash? Sepse s’kemi njohje nga pesë shtete të Evropës. Në momentin që pesë vende të BE-së e njohin Kosovën do të shkrihet fjolla e borës”, ka thënë ajo. “Fjolla e borës, fusnota hiqet kur të na njohin pesë vende, por po shoh se diplomacia jonë është e paaftë. Jo vetëm nga ky ministër, por edhe më përpara. Ka potencial të madh Kosova e nuk po e shfrytëzon”.
Tahiri ka thënë po ashtu se dialogu ka ndikim të madh që Kosova u anëtarësua edhe në sport e në fusha tjera në organizata ndërkombëtare.
Duke folur për partneritetin me PDK-në, Tahiri ka thënë se nuk ka kërkuar ministri pasi ka parë se nuk dolën mirë në zgjedhje. Sa i përket vazhdimit të koalicionit ajo ka thënë se “nëse PDK mbron kufijtë e Kosovës unë mbes me ta në koalicion deri të kryhet ky koalicion. Nëse jo, unë i braktis menjëherë”.
Në Leposaviq vendoset gurthemeli i objektit të ri të nënstac...
Rama: Shqipëria Turistike, në gjigantin mediatik amerikan Wa...
Chelsea kthehet te fitorja, triumfon në udhëtim te Leicester...
Sulmet izraelite në Gazë, shkon në 189 numri i gazetarëve të...
Gjendet pa shenja jete një 61-vjeçar në Shtërpcë, policia ni...
Osmani takohet me ministren kanadeze, diskutojnë për situatë...