Tahiri: Mbetem i përkushtuar për fuqizimin e pozitën juridike të gruas në shoqërinë tonë

16:44 | 8 Mars 2019
A. B.

Ditën Ndërkombëtare të Gruas e ka shënuar edhe ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Tahiri ka shkruar për ndryshimet legjislative që ndërmori, të cilat fuqizuan pozitën juridike të gruas në shtetin dhe shoqërinë tonë, përmes ligjeve më të avancuara në rajon

“E drejta e barabartë në pronë fuqizon familjet tona, gratë shtyllë e domosdoshme e saj!

Kapitulli më i veçantë i punës time si Ministër i Drejtësisë lidhet me avancimin dhe materializimin e të drejtave meritore të grave dhe vajzave, përmes sponzorizimit të politikave që fokus të veçantë kanë fuqizimin dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre. Jam i lumtur që brenda një periudhe të shkurtër bëmë ndryshime të mëdha legjislative të cilat fuqizuan pozitën juridike të gruas në shtetin dhe shoqërinë tonë, përmes ligjeve më të avancuara në rajon, si në të drejtat e tyre civile dhe të barabarta ashtu edhe në mbrojtjen sociale dhe penale në anën tjetër.

Duke përmendur ligjet e reja të ndryshuara, i pari i drejtësisë në Qeverinë e Kosovës theksoi se krenohet që një pjesë të madhe të energjisë e ka përqendruar tek fuqizimi i grave dhe vajzave.

” Sot, të drejtat e grave në trashëgimi, në rolin e tyre në marrëdhëniet familjare dhe ekonomike kanë avancuar dukshëm dhe janë të garantuara. Ligjet e reja për Trashëgiminë, për Procedurën Jo-Kontestimore, Ligji për Ndërmjetësim, Ligji për Noterinë dhe së shpejti edhe Kodi Civil, janë shembulli më i mirë i përkushtimit për t’i dhënë zgjidhje meritore ligjore këtyre të drejtave të pa tjetërsueshme. Po ashtu, mbrojta e dinjitetit dhe integritetit të grave me legjislacionin penal, respektivisht me Kodin Penal i cili javën e ardhme do të hyj në fuqi, është garancia së shoqëria jonë ndanë dhe promovon vlerat më të larta humane, të ruajtjes dhe mbrojtjes së jetës, integritetit, dinjitetit të tyre, si dhe sigurisë juridike në marrëdhëniet shoqërore dhe ekonomike. Si Ministër i Drejtësisë, sot krenohem që një pjesë të madhe të energjisë time, e kam përqendruar tek fuqizimi i grave dhe vajzave.

Urime Festën e 8 marsit’ ka shkruar Tahiri.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme