Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka thënë se mungesa e përgjegjësisë dhe llogaridhënies është një prej shqetësimeve për sistemin e drejtësisë në Kosovë. Në një intervistë për portalin arbresh.info, Tahiri ka folur për disa çështje të cilat kanë karakterizuar fushën e drejtësisë gjatë vitit 2018. Ai ka folur për Kodin e ri Penal që do të hyjë në fuqi në vitin 2019, për sinjalizuesit dhe mbrojtjen e tyre, për numrin e vogël të gjyqtarëve dhe prokurorëve, për buxhetin e vitit 2019, për statusin e shërbimit korrektues, si dhe për rastin e Astrit Deharit se çfarë është bërë deri më tani për këtë.
Arbresh.info: z. Tahiri, Kodi i ri Penal që do të hyjë në fuqi nga viti tjetër, sa keni arritur t’i njoftohen qytetarët për këto ndryshime?
Abelard Tahiri: Ne e kemi bërë një punë jashtëzakonisht të mirë së bashku me partnerët tanë strategjik, në këtë rast edhe me Bashkimin Evropian dhe me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara. Ka qenë një punë që ka zgjatur më shumë se një vit në angazhimin e ekspertëve tonë të përbashkët dhe nga shoqëria civile si nga Universiteti i Prishtinës në Prokurorë, Gjyqtarë dhe ekspertë të huaj. Me këtë punë të përbashkët kemi arritur të bëjmë një transformim të këtij Kodi dhe një fuqizim të Politikave kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ky kod është votuar në Kuvendin e Kosovës dhe pritet që sapo ta kaloj afatin e ankesave, ky projekt kod të nënshkruhet nga Presidenti i Kosovës dhe nga momenti që nënshkruhet mbas tre muajve të hyj në fuqi. Këta tre muaj ne do t’i shfrytëzojmë për njoftim sa më të gjerë të qytetarëve, për masat që i kemi ndërruar dhe që janë marr në këtë kod penal, dhe për punën e gjyqtarëve dhe prokurorëve, sepse duhet edhe ata i referohen këtij kodi, dhe do t’i njoftojmë edhe ata për ndryshimet që ka pësuar gjatë kësaj periudhe.
Arbresh.info: Pjesë e këtij kodi janë edhe sinjalizuesit, të cilët shpeshherë ju drejtohen gazetarëve për ndonjë keqpërdorim, para se t’i drejtohen institucioneve, sa besoni se do të luftojë keqpërdorimet në sektorë të ndryshëm?
Abelard Tahiri: Sinjalizuesit edhe në shumë vende të ndryshme të Bashkimit Evropian dhe në shumë demokraci të zhvilluara kanë dhënë një kontribut jashtëzakonisht të rëndësishëm, dhe kjo ka bërë që të ndërtohet me ligj kjo çështje. Ne e kemi ndërtuar një bazë ligjore jashtëzakonisht të mirë në favor të atyre që sinjalizojnë keqpërdorimet që ndodhin brenda institucioneve të Republikës së Kosovës. Konsideroj që ligji që pritet të hyj në fuqi, është prej ligjeve më të avancuara në Bashkimin Evropian. Jam shumë krenar që në mandatin tim kjo çështje u rregullua mirë, dhe mendoj që sinjalizuesit do të kenë rol kyç në detektimin dhe gjetjen e të gjitha keqpërdorimeve që ndodhin në institucionet e Republikës së Kosovës, por edhe në sektorin privat. Do të kenë një rol të rëndësishëm, tani e tutje do të mbrohen me ligj, është çështje që është rregulluar mjaft mirë, dhe kjo do ta sjell në një nivel tjetër luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Arbresh.info: Shoqëria civile në vazhdimësi ka kritikuar për numrin e vogël të gjyqtarëve dhe të prokurorëve, për më tepër ekzistojnë ankesa edhe për mos profilizimin e tyre në fusha të caktuara, sa do të angazhoheni për t’i mundësuar profilizimin?
Abelard Tahiri: Kam pasur angazhim konkret sidomos për numrin e gjyqtarëve sepse me numër të prokurorëve kemi qenë mirë. Republika e Kosovës pothuajse i përmbush të gjitha nevojat sa i përket çështjes së numrit të prokurorëve, mirëpo për numër të gjyqtarëve kemi punuar mjaft shumë gjatë kësaj periudhe, që të sigurojmë buxhet, që Këshilli Gjyqësor të filloj të rekreutoj numër të rinj të gjyqtarëve. Që nga vitit 2017, periudha kur jam emëruar ministër dhe deri në përfundimin e tre mujorshit të vitit të ardhshëm 2019, që i bie pothuajse për 1 vit e gjysmë, Kosova do t’i ketë rreth 162 gjyqtarë të rinj, përfshirë edhe 42 gjyqtarë që vijnë nga komuniteti jo shumicë, pra komuniteti serb, që janë në katër komunat veriore të Republikës së Kosovës. Mendoj që po arrijmë t’i plotësojmë kapacitetet brenda institucioneve tona. Kjo është një arritje jashtëzakonisht e madhe. Përpos kësaj ne kemi ngritur kapacitet edhe sa i përket bashkëpunëtorëve profesional, zyrtarëve ligjor, zyrtarëve mbështetës për gjyqtarë dhe prokuror. Për vitin 2018 kemi pasur buxhet dikund për 300 zyrtarë shtesë, bashkëpunëtorë profesional, zyrtarë ligjor për gjyqtarë dhe prokuror dhe në masë të madhe ky numër ka arritur të rekreutohet, dikund 250 janë rekreutuar prej 1800 sa janë aktualisht që punojnë në adminsitratën e Gjyqësorit, dhe Prokurorisë. Ka qenë çështje që me të drejt është ngritur si shqetësim, dhe ne si MD nuk menaxhojmë direkt me Gjyqësorin dhe Prokurorinë, kemi avokuar që të ndahet buxhet i mjaftueshëm nga Qeveria e Kosovës pastaj të votohet në Kuvend për numër të mjaftueshëm për gjyqtar, prokurorë dhe mbështetës profesional.
Mestitull: Gjyqtarwt dhe Prokurorwt e Kosovws mw tw paguarit nw rajon
Arbresh.info: Mungesa e përgjegjësisë dhe llogaridhënies është një prej shqetësimeve për sistemin e drejtësisë në Kosovë, çfarë mekanizma do të përdoren për këtë çështje?
Abelard Tahiri: Për herë të parë për çështjen e llogaridhënies e kemi bërë një reformë rrënjësore, kemi adresuar me një ligj të veçantë, ligji për përgjegjësi disiplinore për gjyqtarë dhe prokurorë. Kjo është një praktikë komplet e re, dhe një ndryshim i ri, që jam i bindur që do ta jap efektin e vetë në çështjen e llogaridhënies për gjyqtarë dhe prokurorë. Pra ligji për përgjegjësi disiplinore, ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve është për herë të parë një praktikë e re në Republikën e Kosovës. Kemi gjyqtarët dhe prokurorët më të paguarit në rajon. Në 6 vendet e Ballkanit perëndimor, Kosova paguan më së miri gjyqtarët dhe prokurorët. Në anën tjetër po rriten kapacitetet, është rritur numri i bashkëpunëtorëve profesional. Nuk ka asnjë arsye që të mos jemi më efektiv në vitin 2019 si në luftën kundër korrupsionit, si në adresimin për shumë çështje që lidhen me drejtësinë.
Arbresh.info: Buxheti i kufizuar në sistemin e drejtësisë ka shtuar shqetësimet për ndikime politike në sistemin gjyqësorë, çfarë janë planet buxhetore për vitin 2019?
Abelard Tahiri: Çështja e parë që kam adresuar kur mora mandatin ka qenë çështja e buxhetit për Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin Prokurorial. Jam shumë i lumtur që kemi arritur t’i plotësojmë nevojat, jo ta rrisim buxhetin, por t’i plotësojmë nevojat karshi këtyre dy Këshillave. E njëjta gjë do të ndodh edhe për vitin 2019. Besoj që shumë shpejt do të kaloj buxheti dhe tash kemi adresuar në përpikmëri edhe planet e të hyrat buxhetore për vitin 2019, dhe çështja e buxhetit nuk do të jetë më problem për Këshillin Gjyqësorë dhe atë Prokurorial.
Arbresh.info: Ka pasur “akuza” për kontrabandë në Shërbimin Korrektues të Kosovës, ju edhe vetë jeni zotuar se do të angazhoheni për të eliminuar parregullsitë brenda këtij institucioni, në çfarë parregullsi të tjera keni hasur?
Abelard Tahiri: E para, shërbimi korrektues ndoshta ka vuajtur pak edhe në mungesë të kapaciteteve korrektuese. Këtë çështje e kam adresuar dhe tashmë janë në rekreutim e sipër 120 gardian shtesë në kuadër të shërbimit korrektues të Kosovës, prej afër 1600 sa janë aktualisht. Po i rrisim kapacitetet, edhe gjatë vitit 2018 është ngritur niveli i përgjegjësisë dhe llogaridhënies nëpër qendrat korrektuese. Gjatë vitit 2018 kontrollat dhe bastisjet e Policisë, nuk kanë qenë të pakta në qendrat korrektuese, pikërisht edhe me kërkesën time, edhe me kërkesën e drejtorit të ri të Shërbimit Korrektues. Jam shumë i lumtur që kemi arritur ta zgjedhim një person kredibil, dhe një drejtor shumë të mirë në menaxhimin e kësaj Qendre Korrektuese, që ka pasur jo pak sfida, jo pak telashe në të kaluarën. Shumë prej tyre kemi arritur t’i evitojmë, do ta rrisim efikasitetin padyshim edhe gjatë vitit 2019. Shumë prej problemeve që kanë qenë i kam adresuar, por natyrisht nuk pres që brenda një vitit të ndodh mrekullia, dhe të rregullohet gjithçka, sepse parregullsitë dhe problemet kanë ndodhur vite me radhë, por iu premtoj që do të vazhdojmë me rritjen e efikasitetit edhe për vitin 2019. Por, jeni të bindur që drejtori i ri i Shërbimit Korrektues që tashmë po i bënë 6 muaj punë, do të vazhdojë ta rris efikasitetin në këto qendra.
Arbresh.info: Gardianët kanë kërkuar të përfshihen edhe në Projektligjin për pagat, dhe çfarë do të jetë statusi i tyre me këtë ligj, si staf civil apo i unifromuar, sepse ata nuk duan të cilësohen si staf civil?
Abelard Tahiri: Tashmë është në nivel të komisionit duke u diskutuar, dhe besoj që do ta kemi përkrahjen e tyre që të jenë pozita të barabarta me agjencitë tjera, siç është sidomos Policia e Kosovës, sepse kemi të bëjmë me një punë të ndjeshme të gardianëve, dhe mendoj që duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë siç trajtohet Policia e Kosovës. Besoj që këtë do ta arrijmë. Padyshim ata janë staf i uniformuar.
Arbresh.info: Dhe në fund, z.Tahiri qytetarët duan të dinë se çfarë ka ndodhur me zbardhjen e rastit të Astrit Deharit, dhe kur do të ketë përfundimisht drejtësi për këtë rast?
Abelard Tahiri: Çështjen e parë që e kam ngritur në mbledhjen e parë të Qeverisë së Kosovës, ka qenë ndarja e mjeteve buxhetore për përkrahjen e një ekspertize të re në institutin ku ka kërkuar familja e zotit Dehari. Kjo ka ndodhur tashmë, lënda është bartur nga prokurori i rastit komplet në Institutin që ka kërkuar familja e Astrit Deharit. Tashmë jemi në pritje të rezultateve që do të vijnë nga ky institut për çështjen se a përputhen këto rezultate me atë që është bërë në Republikën e Kosovës./arbresh.info/
Katër shenjat e zodiakut që do të takojnë dashurinë e re në ...
“Lidhje fallco, për të qëndruar edhe 1 javë në shtëpi” – Sar...
Broja deklarohet pas ndeshjes ndaj Nottingham Forestit
”Sa e falëm bashkë jacinë”, hoxha thotë se çiklisti që u për...
Kurti tregon arsyen pse nuk ishte për vizitë tek ish-krerët ...
OBSH-ja i bën thirrje Kinës t’i japë qasje në të dhënat orig...