Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Shemsi Syla, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se vendi po zbrazet derisa Qeveria po merret me sistemimin e militantëve partiakë në institucionet shtetërore.
Sipas tij, Kosova i ka hapur derën injorantëve dhe mashtruesve, duke krijuar një kategori njerëzish si “derra të kënaqur” të korrupsionit e të konformizmit, kurse mësuesit dhe edukatorët e kombit, intelektualët dhe njerëzit e dijes e të shkencës, sipas tij, janë bërë shtresë e njerëzve të përvuajtur e të pashpresë.
” Kështu, Kosova i ka hapur derën injorancës, servilitetit, mashtruesit, servilit, duke krijuar një kategori njerëzish si “derra të kënaqur” të korrupsionit e të konformizmit, kurse mësuesit dhe edukatorët e kombit, intelektualët, njerëzit e dijes e të shkencës janë bërë shtresë e njerëzve të përvuajtur e të pa shpresë, duke i shndërruar në shërbyes të vobektë të pushtetit politik”.
Syla ndër të tjera ka thënë se korrupsioni e krimi i organizuar po bëhen mënyrë jetese, ndërkaq e mashtrimet e gënjeshtrat po bëhen fjalor i përditshëm i liderëve politikë.
Shkrimi i plotë i Sylëst:
Të korruptuarit e pandëshkuar
“Sa më shumë një shtet bëhet i korruptuar, aq më shumë shtohen ligjet” (G.C. Tacito)
Gjithandej Kosovës njerëzit janë të dëshpëruar. Të dëshpëruar nga zhgënjimi i madh që pësuan nga “pushtetarët e korruptuar”. Të revoltuar nga “pushtetarët e pandëshkuar”. Të neveritur nga qetësia e mospërfillja e zhgënjimit qytetar nga liderët.
E në këtë vorbull politik të shoqërisë tonë, ku papunësia shënon rritje bashkë me korrupsionin e nepotizmin, po vjen koha që e vetmja mundësi për të kundërshtuar këto pakënaqësi, të mbetet protesta qytetare.
Të dëshpëruar, të revoltuar e të zemëruar me udhëheqjen institucionale në Kosovë që e çoi këtë popull drejt zhgënjimit të madh, qytetarët e Kosovës kanë humbur ndjesinë ndaj shtetit që u ndërtua me kaq shumë sakrifica dhe shpëtimin po e kërkojnë jashtë vendit. Kështu, Kosova po zbrazet e Qeveria me të madhe po sistemon militantët partiakë në institucione shtetërore duke forcuar kështu votën klienteliste e duke e mundur edhe reagimin qytetar që përmes votës do të duhej ta dënonte këtë keq qeverisje.
Koha për ta dërguar këtë udhëheqje politike në koshin e historisë po vjen.
Këta njerëz të vuajtur, të nëpërkëmbur, të vjedhur, të shtyrë e të pështyrë nuk do ta lejojnë këtë gjendje dëshpëruese ku mediokriteti e vulgariteti ka pllakosur çdo institucion të shtetit.
Korrupsioni e krimi i organizuar po bëhen mënyrë jetese, kurse mashtrimet, gënjeshtrat, premtimet sociale, arsimore e shëndetësore së bashku me përgjegjësitë e shtet ndërtimit po bëhen fjalor i përditshëm premtimesh të rrejshme nga liderët politikë.
Pas 11 vitesh që nga shpallja e pavarësisë, tani ka dalë për fushe maska që na kanë vënë dhe vazhdojnë të na vënë bandat politike dhe sektet partiake në emër të demokracisë liberale, që në fakt, është totalitarizëm demokratik, sepse politika ka pushtuar çdo fushë e çdo anë të jetës shoqërore, ku si ideologji kanë luksin, babëzinë e lakminë për pasurim marramendës, duke vjedhur e abuzuar me buxhetin e shtetit.
Qytetarët po e vërejnë përditë e më shumë hipokrizinë dhe demagogjinë ku i korruptuari dhe i pandëshkuari përpiqen të krijojnë iluzionin se përfaqësojnë popullin dhe “punojnë” për mirëqenien e tij, kurse vota qytetare për një demokraci substanciale po përdoret për autokraci për të cilën partnerët e koalicionit qeverisës i kanë shpallur luftë njëri-tjetrit, sepse, sa më shumë autokraci do të thotë aq më shumë biznese të paligjshme e klane mafioze.
Kështu, Kosova i ka hapur derën injorancës, servilitetit, mashtruesit, servilit, duke krijuar një kategori njerëzish si “derra të kënaqur” të korrupsionit e të konformizmit, kurse mësuesit dhe edukatorët e kombit, intelektualët, njerëzit e dijes e të shkencës janë bërë shtresë e njerëzve të përvuajtur e të pa shpresë, duke i shndërruar në shërbyes të vobektë të pushtetit politik.
A nuk ka ardhur koha për ndryshimin e madh? Të atij ndryshimi, për përmbysjen e këtij realiteti të trishtueshëm? Të atij ndryshimi, të raportit ekstrem midis të pasurve dhe të varfërve? Të atij ndryshimi, që ia sekuestron pasurinë gjyqtarëve, prokurorëve, politikanëve, pushtetarëve të çdo niveli e nuk e justifikon me të ardhurat e tyre?
Kush duhet të jetë në ballë të këtij ndryshimi që t’ua bëjë të qartë njerëzve të varfër e të pa shpresë se nuk jetohet ndershëm në këtë vend? Padyshim që Lëvizja Vetëvendosje! Ajo është e gatshme që të bëjë reforma të thella në të gjitha fushat e jetës në mënyrë që qytetarit t’i kthehet pronësia mbi përfaqësuesit e tij. Deputetët të mos njohin si padron të tyre kryetarët e partive, por qytetarin dhe votën e tij. Qytetarëve patjetër duhet t’u kthehet ajo që i është rrëmbyer me premtime, gënjeshtra, mashtrime e manipulime – PRONËSIA MBI DEMOKRACINË. Kjo është kauza e vërtetë e Lëvizjes Vetëvendosje!
E ardhmja nuk është ende e shkruar. Jemi ne që do ta shkruajmë duke bërë fillimisht diferencën se i korruptuari dhe i pandëshkuari ka çmim, kurse i ndershmi ka vlerë.
Duke promovuar vlerat, ndërtojmë edhe sistemin demokratik të shtetit. Duhet të çrrënjoset modeli që kanë ndërtuar të gjitha qeveritë e deritashme në Kosovë ku aktet nënligjore janë më të fuqishme se ligji. Sot, në institucionet e Kosovës ligjet që i aprovon Kuvendi. Qeveria, përmes Udhëzimeve Administrative i bën “paçavure” ato dhe zyrtarët e shtetit nuk e zbatojnë ligjin, por këtë Udhëzim Administrativ të aprovuar nga Qeveria. Ky paradoks i demokracisë e ka shndërruar shtetin në pronë të oligarkëve dhe klaneve mafioze që menaxhojnë me politikën sot.
Pse vallë s’pati kënduar Horaci: ”O baballarë, më burracakë se stërgjyshërit tanë, falnani edhe neve që jemi edhe më burracakë se ju e që do të sjellim në jetë një brez akoma edhe më të degjeneruar”.
Tre persona vdesin në një aksident pasi GPS-i ia huqi rrugës
Vdes personi i cili ishte duke u trajtuar jashtë vendit pas ...
Murati: Afati për përditësimin e aplikimeve për subvencionim...
Zhduket një grua në Podujevë
Rrahen mes vete shtatë persona në Lipjan, dy përfundojnë në ...
Kina dislokon forca ajrore e detare, pasi SHBA-ja dërgoi një...