Syla: Grevat e dërgojnë Trepçën në kolaps

23:43 | 13 Shkurt 2019
Arbresh.info

Kryesuesi i Bordit të Trepçës, Ardian Syla ka thënë se paralajmërimet për grevë nga minatorët e Trepçës, janë të paarsyeshme dhe me qëllime të këqija.

Sipas tij këto greva, mund ta çojnë Trepçën drejt kolapsit. Përderisa Syla ka bërë të ditur se pagat e mbetura do të paguhen ditëve në vijim.

“Pjesa e mbetur e pagave të janarit, do të kompenzohet ditëve në vijim pas shpërndarjes së subvencioneve nga Buxheti i Konsoliduar i Kosovës. Gjithsesi, ky buxhet i paraparë për paga dhe transfere do të jetë një ndihmesë vetëm për disa muaj në vijim. Prodhimi aktual në “Trepçë” nuk mbulon as pagat e puntorëve e lëre më shpenzimet tjera operative. Prodhimi duhet të ngritet në mënyrë që të sigurohet një stabilitet financiar”, ka shkruar Syla.

Ai gjithashtu ka folur edhe për grevat e tjera që kanë ndodhur gjatë muajve të kaluar, duke thënë se kanë shkaktuar humbje.

“Greva e muajit korrik 2018, dhe, greva e pa paralajmëruar dhe e pa arsyeshme e muajit janar 2019, i shkaktuan humbje financiare Ndërmarrjes “Trepça” mbi 1.2 milion euro. Prandaj, si pasojë e këtyre humbjeve financiare, pagat për muajin janar nuk janë siguruar në tërësi, dhe janë shpërndarë në masën prej 60%, po aq sa ka qenë edhe prodhimi”, ka thënë Ardian Syla.

Ndryshe, minatorët e Trepçës kanë dhënë ultimatum deri javën tjetër që t’u procedohet edhe pjesa e mbetur e pagës.

Në të kundërtën, do të hyjnë në grevë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme