Hartimi i strategjisë për trajtimin e lëndëve të krimeve të luftës në Kosovë nga Prokuroria e Shtetit të Kosovës është vlerësuar si një hap i duhur, por i vonuar.
Pas votimit të kësaj strategjie në Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) njohës të çështjeve të drejtësisë presin që organet gjegjëse të arrijnë të zbardhin krimet e kryera në luftën e fundit në Kosovë.
Ndërkaq, zyrtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) pohojnë se përmes kësaj strategjie do të arrihet një zgjidhje e mirë për zbardhjen e këtyre krimeve.
Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Bahri Hyseni, në një prononcim për arbresh.info, beson se kjo strategji që është publikuar, do të arri të hetoj dhe zbardhë afro nëntëqind (900) lëndë të krimeve të luftës, të cilat i janë dorëzuar nga prokurorët e EULEX-it dhe UNMIK-ut.
“Ne si Këshill Prokurorial i Kosovës, kemi bërë mirë që kemi publikuar këtë strategji sepse me punë dhe përkushtim mendojmë dhe besojmë që do të arrihet një zgjidhje e mirë për zbardhjen e krimeve të luftës”, ka thënë Hyseni.
Hyseni e pranon se kjo që është bërë tani është dashur të bëhet më herët, mirëpo ai thotë se zbulimi i rasteve merr kohë, duke e ditur edhe faktin se Kosova ende nuk është pjesë e Interpol-it dhe Europol-it.
“Kosova nuk është ende pjesë e Interpol-it dhe Europol-it, dhe normalisht se kemi vështirësi për arrestimin dhe dorëzimin e personave të kërkuar nga Prokuroria e Shteti, për krimet që i kanë bërë gjatë luftës në Kosovë, dihet se mos bashkëpunimi i autoriteteve të Beogradit me ato të Kosovës në këtë fushë, do të merr kohë dhe ne besojmë që do të gjejmë një ndërmjetësim me shtetin serb dhe gjithmonë besojmë që do të kemi zgjidhje sa i përket kësaj çështjes”, është shprehur Hyseni, për arbresh.info.
Në anën tjetër njohës të çështjeve të drejtësisë këtë nismë të Prokurorisë së Shtetit e shohin si një vendim të duhur. Madje, ata pohojnë se Prokuroria duhet të sqarohet pse është vonuar kjo strategji deri tani.
IKD: Kjo strategjie nuk do të ketë sukses nëse nuk ka vullnet për trajtimin e këtyre lëndëve
Ehat Miftaraj nga Institucioni i Kosovës për Drejtësi (IKD), pohon se vendimi për miratimin e kësaj strategjie është i duhur. Sipas tij, KDI kishte kërkuar vazhdimisht nga institucionet përgjegjëse, për të përmbushur misionin e tyre për hetimin e rasteve për krimet e luftës.
Megjithatë sipas tij ky hap i Prokurorisë së Shtetit është pak i vonuar.
“Instituti i Kosovës për Drejtësi në vitet e fundit në vazhdimësi ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse për të përmbushur misionin e tyre në hetimin, ndjekjen dhe gjykimin e rasteve të krimeve të luftës në Kosovë. Në këtë drejtim edhe miratimi i strategjisë pa hyrë në analizë të përmbajtjes është një vendim i duhur dhe i domosdoshëm. Hetimi, ndjekja dhe gjykimi i rasteve të krimeve të luftës është pa dyshim kompleks, e kur kësaj i shtohet fakti se kanë kaluar mbi 20 vite nga mbarimi i luftës, dhe nga koha e kryerjes së këtyre veprave penale sigurisht se kërkon në radhë të parë vullnet, përkushtim dhe mobilizim te të gjithë akterëve kompetent”, ka thënë Miftaraj për arbresh.info.
Ai, shprehet se sistemi prokurorial duhet të sqarohet para familjarëve të viktimave se pse nuk është hartuar më herët kjo strategji, kur sipas tij dihet që kompetencat ishin transferuar nga Eulex-i, tek vendoret në vitin 2015.
“Edhe përkundër rëndësisë së madhe që ka miratimi i kësaj strategjie, sistemi prokurorial duhet të sqarohet para publikut e veçanërisht para familjarëve të viktimave të krimit pse iu është dashur kohë kaq e gjatë në miratimin e kësaj strategjie, kur dihet mirëfill se që nga viti 2015, këto kompetenca janë transferuar tek vendoret nga Eulex-i. KPK përmes komunikatave për media promovon Kryeprokurorin e Shtetit si iniciator në hartimin e kësaj strategjie, përderisa i njëjti sistem nuk kërkon përgjegjësi nga Kryeprokurori i Shtetit për dështimet e deritanishme në këtë fushë. Në këtë drejtim, për IKD-në, miratimi i strategjive të tilla nuk do të ketë sukses nëse përnjëmend nuk ka vullnet dhe guxim në trajtimin e këtyre lëndëve”, i shpreh Miftaraj, për arbresh.info.
Ai thotë se miratimi i kësaj strategjie nuk do të ketë sukses nëse nuk ka vullnet për trajtimin e këtyre lëndëve.
Tutje, Miftaraj thekson se arsyetimi i organeve të ndjekjes dhe të drejtësisë për vështirësinë e arrestimit të personave që janë të dyshuar për krime lufte në Kosovë, është arsyetuar me faktin se Kosova nuk është ende anëtare në “Interpol” dhe “Europol”.
“Në radhë të parë duhet të ketë vullnet për të hetuar dhe ndjekur penalisht të gjithë personat që janë të dyshuar për krime lufte në Kosovë. Fatkeqësisht, deri më sot ky vullnet ka munguar dhe dështimet e tyre institucionet i kanë arsyetuar me mungesë anëtarësimi në Interpol dhe mos bashkëpunim nga Serbia. Edhe përkundër faktit se Kosova nuk është në Interpol si Republikë e Kosovës, Kosova ka shfrytëzuar dhe ende shfrytëzon praktikat e ndërtuara që nga koha e UNMIK-ut, dhe ka shfrytëzuar mundësinë që të lëshoj fletë arreste ndërkombëtare kundër personave të kërkuar në Kosovë, e cila ndodh edhe sot”, ka deklaruar ai.
Anëtarësimi i Kosovës në Interpol si Republikë e Kosovës, sipas Miftarajt do ta lehtësonte punën e organeve që zbatojnë ligjin në Kosovë, po ai shton se nuk mund të keqpërdoret ky fakt për shkak të mungesës së rezultateve në trajtimin e lëndëve për krime lufte në Kosovë.
Blakaj: Për të shqyrtuar 900 lëndë duhet një armate e tërë hetuesish dhe prokuroresh
Miratimi i kësaj strategjie është mirëpritur edhe nga Fondi për të Drehjtat Humanitare (FDH). Zyrtarë të kësaj organizate pohojnë se nuk kanë shumë informacione rreth përmbajtjes së kësaj strategjie, mirëpo shprehet skeptik sa i përket arritjes që mund të bëjnë organet e drejtësisë kosovare për hetimin dhe zbardhjen e rreth 900 lëndëve për krime lufte.
Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH), thotë se duhet një armatë e tërë hetuesish dhe prokurorësh për të arritur në zbardhjen e 900 rasteve .
Sipas tij, numri i prokurorëve dhe hetuesve që do të merren me rastet e krimeve të luftës duhet të jetë disa herë më i madh.
“Në fakt mua ende nuk me ka rënë në dorë strategjia e Prokurorisë së Shtetit për trajtimin e lëndëve për krime të luftës. Është e pamundur për një Prokurori me resurse te kufizuara, me numër të vogël te prokuroreve dhe stafit ndihmës, që të shqyrtojë një numër aq të madh të lëndeve. Për të shqyrtuar kaq shumë lëndë do duhet një armate e tërë hetuesish dhe prokuroresh që të punojnë intenzivisht në këto 900 raste”, u shpreh Blakaj, për Arbresh.info.
Edhe Blakaj pohon se kjo strategji është dashur të hartohet më herët.
“Nuk e di se sa është numri i paraparë i prokuroreve dhe hetuesve në ketë strategji, por mendoj se numri do duhej te ishte disa herë me i madh se ai ekzistues për të arritur një sukses të dukshëm në lëndet për krime lufte. Strategjia do duhej te hartohej me herët, mirëpo edhe tani nuk është tepër vonë dhe me një vullnet më të madh shumë krime mund të zbardhen dhe shumë viktima mund të gjejnë drejtësi”, është shprehur ai.
Sigurimi i personave të dyshuar për kryerjen e krimeve të luftës, sipas Blakajt do të jetë një ndër sfidat kryesore të drejtësisë kosovare.
“Sigurisht se është tepër e vështire që të sigurohet prezenca e të dyshuarve për krime lufte në rrethana ku Kosova nuk është pjesë e Interpol-it dhe Europol-it dhe ku nuk ka ndonjë bashkëpunim me organet gjegjëse në Serbi. Prandaj ne në FDH Kosovë kemi kërkuar që një kohë të gjatë që në dialogun me Serbinë të kërkohet që Serbia të pranoje një bashkëpunim juridik me Kosovën dhe palët ta arrijnë një marrëveshje për bashkëpunim në procedimin e lëndeve për krime lufte. Kjo do rriste dukshëm efikasitetin e gjyqësorit në lëndët për krimet e luftës”, ka thënë Blakaj.
Ndryshe, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) në mbledhjen e mbajtur më 21 shkurt të këtij viti, kanë aprovuar Strategjinë për trajtimin e lëndëve të krimeve të luftës.
Kjo strategji, hartimi i së cilës është iniciuar nga Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, synon t’i hetojë dhe ndjekë penalisht të gjithë personat, të cilët kanë kryer krime lufte në kundërshtim më të drejtën humanitare ndërkombëtare gjatë viteve 1998-1999 në tërë territorin e Republikës së Kosovës, si dhe vendosjen e drejtësisë për viktimat./ arbresh.info
Ndahen pagat për shërbyesit publikë, si dhe shtesat për fëmi...
KQZ-ja hap thirrjen për akreditimin e vëzhguesve për zgjedhj...
Zelensky: Ukraina do ta ndihmojë Sirinë
“Po edhe shumë”, Driloni më në fund pranon pëlqimin për Sarë...
Real Madridi ende synon transferimin e Haaland – gjithçka va...
Pacienti vdiq, tre mjekë në Fier hetohen për trajtim jo të d...