Google ADS

Skandali me mishin e prishur, Komuna e Pejës pa inspektor të veterinarisë

14:36 | 18 Janar 2019
V. S.

Gjatë ditës së djeshme është janë publikuar lajme dhe fotografi rreth skandalit me mishin e prishur i cili është gjetur në Pejë, dhe po bëhej gati të nxirrej në treg dhe t’u servohej qytetarëve për konsum.

Kallxo.com ka kontaktuar sot me drejtorinë e Drejtorisë së Inpeksionit në Pejë për të pyetur nëse kanë filluar inspektimin e mishtoreve dhe byrektoreve në Komunën e Pejës.

Leutrim Murtezaj, drejtor i Drejtorisë së Inpekcionit ka thënë se Komuna e Pejës për momentin nuk ka asnjë inspektor të veterinarisë i cili mund të bëjë inspektimet në këtë rast.

“Nuk kemi inspektor të veterinarisë, ai që ka qenë është emëruar koordinator i projektit për trajtimin e qenëve endacak dhe në mungesë të inspektorëve nuk kemi mundur të bëjmë inspektime”, ka thënë Murtezaj.

Ai tutje ka shtuar se janë në përgatitje të një plan rreth këtij rasti me Agjencionin që është në kuadër të nivelit qendror, por i njëjti nuk ka dhënë afat se kur do të përfundoj ky plan.

Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona në Pejë  nën dyshimin për prodhim dhe vënie në qarkullim të artikujve të dëmshëm ushqimor.

Aksioni i policisë rezultoi me zbulimin e një kasaphane nën kushte të tmerrshme higjienike me sasi të mëdha të mishit të prishur, i cili po bëhej gati të nxirrej në treg dhe t`u servohej qytetarëve për konsum.

Brenda atij objekti u gjeten 1089.40 kg mish i prishur dhe një sasi e konsiderueshme e produkteve të mishit të ngrira, tymosura në kushte aspak të mira higjienike.

Prokuroria ndaj njërit prej tre personave të arrestuar kërkoi edhe masën e paraburgimit.

Fjala është për të dyshuarin S.Sh., i cili pritet të dalë sot para Gjykatës në Pejë për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit.

Mishi i prishur i cili u kap dje pas konstatimit nga Inspektorati  i veterinës është asgjësuar.

Dje u raportua se në skandalin me mishin e prishur në Pejë, një lopë e ngordhur, e cila ishte copëtuar në tentimin për t’u shitur si mish për suxhukë dhe mish për byrekë, ishte trajtuar nga një veterinar.

Burime të afërta me hetimet kanë thënë për kallxo.com se lopa e ngordhur ishte trajtuar pak ditë më parë nga veterinari.

 

Po ashtu, burimet e hapura në Pejë për rastin e mishit të prishur kanë sqaruar se personat e dyshuar se copëtuan lopën e ngordhur merreshin me furnizimin e disa byrektoreve me mish, prodhimin e suxhukut dhe proshutës.

Sipas këtyre informatave, proshuta terej në shtëpinë e të dyshuarit, ndërsa suxhuku në njërën prej mishtoreve të njohura të Pejës.

Burimet e afërta me hetimet sqarojnë se grupi furnizonte edhe byrektoret me mish të bluar.

Fotografitë e  siguruar të lopëve të ngordhura, tregojnë depon ku përpunohej mishi dhe gjendjen në të cilën ndodheshin frigoriferët.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme