S’ka pikë kthese për vizat

08:07 | 2 Maj 2019
V. S.

Qytetarët e Kosovës do të vazhdojnë të presin edhe më tej për heqje të vizave.

As gjatë Samitit të Berlinit shtetet e BE-së nuk dhanë ndonjë sinjal se së shpejti mund të ndodhë vendimmarrja sa i përket liberalizimit. Pas takimit të Berlinit presidenti e kryeministri dolën me qëndrime të ndryshme rreth çështjes së vizave. Ekspertët e integrimeve evropiane konsiderojnë se aktualisht nuk ekziston momentumi për ta shtyrë përpara çështjen e vizave, shkruan “Zëri”.

Pavarësisht pritshmërive të krerëve institucionalë se në Samitin e Berlinit do të merrej sinjali pozitiv për liberalizimin e vizave, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Përkundrazi, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi u shfaq i zhgënjyer pas takimit të Berlinit. Në një deklaratë për medie kreu i shtetit tha se çështja e vizave hasi në një pozicion injorues gjatë takimit. Rrjedhimisht, për mosfinaliizm të këtij procesi Thaçi fajësoi Bashkimin Evropian, duke thënë se BE-ja dha premtime mashtruese lidhur me liberalizimin.

Por ndryshe u paraqit kryeministri Ramush Haradinaj. Pas një takimi që pati me ministrin e Brendshëm gjerman, Horst Seehofer, shefi i ekzekutivit tha se Kosova e mori “Po”-në e Gjermanisë për vizat. Por pavarësisht kësaj njohësit e integrimeve evropiane konsiderojnë se momentalisht nuk ekziston momentumi për ta shtyrë përpara çështjen e vizave.

Sipas tyre, në kuadër të Samitit nuk ka pasur asnjë deklarim publik prej zyrtarëve të BE-së lidhur me vendimmarrjen rreth vizave për Kosovën./Zëri/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme