Me miliona euro shpenzohen çdo muaj nga kuleta e shtetit për përfituesit e skemave sociale në vend. Pensionet bazike të moshës dhe ato kontribut-dhënëse del të jenë kategoritë që i kushtojnë më së shumti buxhetit të Kosovës.
E kategoria që e rëndon buxhetin më së shumti është ajo e veteranëve të UÇK-së. Brenda një muaji për ish-luftëtarët e UÇK-së shkojnë hiç më pak se 6 milionë euro.
Numri i madh i veteranëve të luftës ka qenë temë debati për një kohë të gjatë në Kosovë. Madje, janë ngritur edhe dyshime se ky numër është i fryrë, pasi llogaritet se numri i vërtetë i tyre është shumë më i vogël.
Në vazhdimësi është tërhequr edhe vërejtja se kishte keqpërdorime me listat e veteranëve të luftës, ku besohet se janë përfshirë edhe persona të cilët nuk kanë qenë asnjëherë pjesë e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Por, se sa është saktësisht numri i veteranëve që marrin pensione nga shteti. Ketë numër duket se nuk e kanë të saktë institucionet kompetente, pasi MPMS dhe OVL e UÇK-së nuk kanë shifra të njëjta.
Ka rënie të numrit të veteranëve, sivjet janë 128 më pak
Në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale kanë treguar për FaktePlus se në muajin shkurt të këtij viti pensione kanë marrë 38 mijë e 217 veteranë.
“Në muajin shkurt 2019 në listën e veteranëve të luftës së UÇK-së kanë qenë 38 mijë e 217 përfitues, kurse shuma e paguar ka qenë 6 milionë e 423 mijë 148 euro”, ka thënë për FaktePlus zyrtari për media në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Musa Demiri.
Ai ka treguar se në muajin dhjetor të vitit të kaluar numri i veteranëve që kanë marrë pensione ka qenë 38 mijë e 345.
Nga këta të dhëna shihet se nga dhjetori i viti të kaluar e deri më tash, numri i veteranëve ka rënë së paku për 128 persona.
Ndërkohë nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) thuhet se për gjithë vitin 2019 për këtë kategori është paraparë që të ndahen 57 milionë e 911 mijë e 776 euro.
Mirëpo, në Organizatën e Veteranëve të UÇK-së kanë një shifër tjetër të përfituesve të pensioneve.
OVL e UÇK-së: Nuk ka rënie të numrit, janë 38 mijë e 400 veteranë
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati ka treguar për FaktePlus se numri i veteranëve nuk ka lëvizur fare. Ai thotë se numri i tyre është 38 mijë e 400.
“Numri i veteranëve është po ai që ka qenë nuk është reduktuar. Pra, janë rreth 38.400 veteranë që vazhdojnë të marrin paga nga buxheti”, ka thënë Gucati.
Llogaritet se gjatë vitit 2018 rreth 300 mijë kosovarë kanë marrë pensione të ndryshme nga shteti. E gjithë këto pensione, sipas Ministrisë së Punës i kushtojnë buxhetit të shtetit mbi 300 milionë euro në vit.
Në bazë të statistikave të MPMS-së përveç për veteranë, shteti ka ndarë edhe rreth 40 milionë euro për pensionet e familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës. Derisa 268 mijë e 875 euro të tjera janë shpenzuar për viktimat e dhunës seksuale.
Në kategorinë e familjeve të dëshmorëve, përfitues po del të kenë qenë mbi 13 mijë persona, derisa përfitues të pensioneve për viktimat e dhunës seksuale ishin rreth 150 persona çdo muaj.
Por, këto nuk janë kategoritë e vetme për të cilat shteti ka ndarë gjatë vitit 2018. Vetëm gjatë vitit që kemi lënë pas, shteti ka ndarë mbi 260 milionë euro për skemat e tjera pensionale.
Hidhet tritol në biznesin e personazhit të njohur të TikTok,...
E rëndë, vdes një foshnje e posalindur në QKUK
Lëndohen gjashtë persona në një aksident në Mitrovicë
Shala publikon fotografi të rrallë me Thaçin, Veselin dhe Kr...
Haxhiu kujton Astrit Deharin në përvjetorin e tetë të vdekje...
Hoti: I katërti vit me radhë i humbur në investime kapitale,...