Te enjten që lamë pas, u mbajt takimi i radhës mes presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Gjuha e këtij të fundit nga Thaçi u komentua si e ashpër dhe agresive.
Duke komentuar këtë takim, analisti politik kosovar Imer Mushkolaj për Indeksonline tha se çdo gjë sa i përket dialogut po përcillet me mungesë transparence, derisa të dy presidentët duhet të dërgojnë mesazhe për qytetarët e tyre.
“Duhet pasur parasysh se ato që i thanë të dy presidentët për gazetarët nuk reflektojnë edhe atmosferën e përgjithshme të takimit në kuadër të dialogut. Natyrisht, edhe Vuçiq edhe Thaçi dërgojnë mesazhe populiste për qytetarët e tyre, por dialogu është duke vazhduar. Gjithçka po përcillet me mungesë transparence, pasi që nuk dihet se për çfarë po bisedojnë të dy presidentët dhe nëse takimet dhe diskutimet e tyre janë në kuadër të arritjes së një marrëveshjeje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
Imeri tutje shtoi se vazhdimi i dialogut nuk varet as nga Kosova, as nga Serbia, por nga BE dhe SHBA. Andaj, edhe reagimet e Vuçiqit më shumë duhet parë si një show mediatik, sesa si diçka thelbësore që do të ndikojë në rrjedhën e mëtejme të dialogut.
Ndërsa analisti tjetër politik, Përparim Kryeziu thotë se diskursi i komunikimit nga presidenti serb në raport me presidentin e vendit është reflektim i politikës së ashpër dhe agresive të shtetit serb kundrejt Republikës së Kosovës.
“Ky lloj i komunikimit përbuzës dhe agresiv ka qenë i vazhdueshëm, dhe për fat të keq nuk është arritur asnjëherë të adresohet as nga pala kosovare e as nga BE. Eliminimi i një ligjërimi të tillë gjatë komunikimit nga përfaqësuesit serbë do të duhej të përcaktohej si një parakusht themelor që garanton një nga kushtet bazike mbi të cilin dialogu do të mund dhe duhej të zhvillohej. Gjithsesi, më shqetësuese se gjuha konsiderojmë se janë veprimet e qeverisë serbe të shprehura me një ofensivë diplomatike skajshmërisht të intensifikuar kundër shtetësisë së Kosovës dhe konsolidimit të mëtutjeshëm të saj, atëherë kur dialogu po paraqitet të jetë në fazën përfundimtare”.
Ndërsa, Jeta Krasniqi nga KDI mendon se qasja arrogante dhe armiqësore e Serbisë tregon se ky shtet nuk është i gatshëm për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, e këtë sipas saj e tregon edhe lobimi i egër i shtetit fqinj kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.
“Serbia nuk është e gatshme për normalizim marrëdhëniesh me Kosovën në versionin e njohjes reciproke, por e konsideron normalizimin si një instrument të sajin me anë të së cilës vazhdon të mbaj kontrollin e saj mbi Kosovën, destabilizon Kosovën me anë të eksponentëve të saj në Kosovë përkatësisht Listën Serbe dhe konteston shtetësinë e Kosovës në arenën ndërkombëtare, ndërsa nga ana tjetër avancon perspektivën e saj evropiane. Këto dy element nuk mund të qëndrojnë së bashku. Prandaj këtu kërkohet një impenjim më i madh nga ana e BE-së që t’ia bëj të qartë Serbisë që qasja e saj destruktive ndaj shtetit të Kosovës duhet të marr fund njëherë e mirë nëse vërtet do të avancoj agjendën e saj evropiane. Nga ana tjetër skena politike në Kosovë duhet të këndellet nga diskutimet e politikave ditore dhe të marr përgjegjësit e saj për të ndërtuar qëndrimin e Kosovës në këto bisedime, për të mbrojtur dhe garantuar interesin e shtetit dhe qytetarëve të Kosovës në këtë proces dhe për të lobuar pareshtur mbi kërkesat e saj në kryeqendrat botërore”.
Krasniqi më tej thotë se pala serbe dhe ajo kosovare janë larg përafrimit të pritshmërive të tyre nga procesi i dialogut Kosovë-Serbi.
“Pala kosovare kërkon njohjen nga shteti i Serbisë, ndërsa pala serbe duket që nuk është e gatshme për të hedhur një hap të tillë ndërsa insiston pareshtur se përfitimet për Serbinë dhe për serbët duhet të bëhen të qarta. Raporti mes palëve në këtë dialog do të përcaktohet nga temat të cilat do të diskutohet dhe mbi të gjitha nga epilog që palët presin nga ky proces dhe sa do të arrijnë të gjejnë dakordim të palës tjetër për kërkesat që ato parashtrojnë”.
Ndryshe ende nuk është bërë e ditur se kur do të jetë takimi i radhës mes dy presidentëve derisa të dy këtë fundjavë kanë qenë të pranishëm në Paris në shënimin e 100 vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore.
Buffon: Neymar ka merituar t’i fitojë pesë Topa të Artë
“Nuk duhet me vendos lojën para teje!”, Xuxi dhe Rovena kësh...
Oda Amerikane mirëpret kthimin për rishqyrtim të Ligjit për ...
Borrell: Kërcënimet bërthamore të Rusisë janë të papërgjegjs...
Osmani: Të mbijetuarat e dhunës seksuale mishërojnë qëndrues...
”Ne e urrejmë atë”/ Reagojnë ashpër familjarët e Arionit pas...