Me gjithë kërcënimet dhe sulmet ndaj pjesëtarëve serbë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të rinjtë e këtij komuniteti po shfaqin interesim që të jenë pjesë e FSK-së.
Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka bërë të ditur për KALLXO.com se shumë të rinj nga pakica serbe kanë shprehur dëshirën t’i bashkohen kësaj Force.
“Përkundër kërkesave për demobilizim, po ndodhë edhe dukuria tjetër, ku shumë të rinj nga komuniteti serb, kanë shprehur dëshirën për t`u bërë pjesëtarë të FSK-së. Për shifra konkrete nuk mund të flasim se është herët dhe dëmtojmë procesin e ardhshëm të rekrutimit kur do që ndodhë ai”, thuhet në përgjigjen e MFSK-së.
Sipas Ministrisë, të rinjtë serbë që duan të jenë pjesë e Ushtrisë së ardhshme të Kosovës, janë nga të gjitha viset e Kosovës.
Ndërkaq, MFSK-ja thotë se deri më tani janë proceduar 71 kërkesa të pjesëtarëve serb për demobilizim nga FSK-ja.
Pjesëtarët serbë të FSK-së, në vazhdimësi janë pre e sulmeve dhe kërcënimeve të ndryshme, kryesisht në veri të Kosovës.
Dy ditë më parë, një mjet shpërthyes është gjetur në oborrin e shtëpisë të një pjesëtari të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Mitrovicën e Veriut. Rasti kishte ndodhur në “Lagjen e Boshnjakëve”.
Lidhur me këtë çështje, komandanti i FSK-së, Gjeneral Lejtnant Rrahman Rama, në një intervistë për KALLXO.com, javën e kaluar ka thënë se presioni ndaj pjesëtarëve serb të FSK-së dhe ndaj familjeve të tyre, është i vazhdueshëm.
“Shkak i largimit të pjesëtarëve serbë kanë qenë presionet që kanë ardhur nga jashtë. Presionet nuk kanë qenë vetëm mbi pjesëtarët e FSK-së, por edhe mbi familjet e tyre. Ne kemi kërkesa mjaftueshme të aplikacioneve që ata janë të gatshëm të shërbejnë në Forcën e Sigurisë. Dyert tona janë të hapura kur është koha e përshtatshme ne do t`i rekrutojmë”, deklaroi ndër të tjerash gjeneral Rama.
Forcës së Sigurisë së Kosovës, pritet që së shpejti t’i shtohen kompetencat, pasi Kuvendi i Kosovës i ka votuar në parim tri projektligje të saj: Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes, ai për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Projektligji për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës./kallxo.com/
Vdekja e 25-vjeçarit në Prizren, Haradinaj bën thirrje për r...
Osmani takoi Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, fl...
Kumbaro publikon fotografi unike: Lezeti i këtyre ditëve në ...
Presidenti ukrainas bën thirrje për forcimin e mbrojtjes ajr...
Haradinaj takon qytetarët në Istog, premton investime të shu...
Hamza takohet me Xhakën, e quan kampion dhe shembull për të ...