Shumë institucione arsimore në Kosovë ende funksionojnë pa psikologë e kjo nga njohësit e arsimit shihet si problem i produktivitetit në shkolla.
Kosova ka më shumë se 700 institucione arsimore e në të cilat janë të punësuar jo më shumë se 90 psikologë.
Në shumë raste, në pozitën e psikologut në shkolla punësohen pedagogë e logopedë të cilët në kushte normale do të duhej të ushtronin detyrën e tyre dhe jo të psikologut.
Njohësi i çështjeve të arsimit, Rinor Qehaja për lajmi.net është shprehur se mungesa e psikologëve në shkolla është tregues i neglizhencës së institucioneve karshi mirëqenies së nxënësve në arsimin para universitar në Kosovë.
“Mungesa e psikologëve në shkolla është tregues i neglizhencës së institucioneve karshi mirëqenies së nxënësve në arsimin para universitar në vend. Përtej kësaj, aty ku ka prezencë të psikologeve, psikologu më shumë shihet si një pozitë administrative sesa që ofron diçka më thelbësore”, tha Qehaja për lajmi.net.
Më tutje, Qehaja është shprehur se domosdoshmëria nuk qëndron vetëm tek prezenca e psikologut në shkollë, por edhe tek punësimi sipas meritokracissë.
Eksperti Qehaja ka thënë se duhet të bëhet investim në ngritje të vetëdijesimit për rolin dhe përkrahjen që mund të ofroj psikologu.
“Andaj, domosdoshmëria qëndron jo vetëm në prezencë të psikologut në shkollë, por pikësëpari në punësim meritokratik të bazuar në kompetencë, që do të mundësonte që në shkollat tona të kemi psikolog të aftë për identifikim dhe përkrahje të kujtdo në nevojë brenda komunitetit të shkollës – kjo gjithherë e ndërlidhur me investim në ngritje të vetëdijesimit për rolin dhe përkrahjen që mund të ofroj psikologu”, tha Qehaja në fund.
Në anën tjetër, studiuesja e psikologjisë, Fatime Rrahmani për lajmi.net ka thënë se mungesa e psikologut në shkollë përcillet me probleme të ndryshme.
Rrahmani ka shtuar se elemente kyçe si mbarëvajtja mësimore, marrëdhëniet mes nxënësve dhe mësuesve, vështirësitë në mësim dhe probleme të ngjashme paraqiten pas mungesës së psikologëve në shkolla.
“Mungesa e psikologut në shkollë ka pasoja të ndryshme. Në kuadër të tyre përfshihen disa elemente kyçe në mbarëvajtjen e mësimit dhe sistemet e shkollës. Këto elemente përfshijnë marrëdhënien nxënës-nxënës, mësimdhënës-nxënës por edhe nxënësi si individ. Për të evituar vështirësitë që shfaqen si kriza mes këtyre marrëdhënieve është i rëndësishëm roli i psikologut, në trekëndëshin mësimdhënës-nxënës-prind. Vështirësitë e ndryshme mësimore apo edhe individuale të nxënësve nuk mund të mbulohen vetëm nga stafi bazik i shkollës. Psikologu ndihmon në përmirësimin e cilësisë mësimore të nxënësit duke punuar me familjen individualisht apo edhe në kuadër të komunitetit të shkollës”, tha Rrahmani.
Rrahmani gjithashtu është shprehur se disa nga problemet kryesore që shfaqen si pasojë e mungesës së psikologut janë ato në mësim-nxënie dhe ato të sjelljes së nxënësve.
“Disa nga problemet kryesore që shfaqen si pasojë e mungesës së psikologut në shkollë janë ato të tipit të mësim-nxënies. Vështirësitë e tilla te nxënësi mund të identifikohen nga mësimdhënësit pastaj të adresohen te psikologu për vlerësim dhe më vonë për punë dhe plan individual që stimulon zhvillimin e nxënësit dhe mirëqenien e tij në nivelet e duhura krahas stadit të tij zhvillimor. E dyta jo më pak e rëndësishme janë problemet e ndryshme në sjellje që shfaqen tek bashkëmoshatarët, fenomenet e ndryshme si ngacmimet apo edhe dhuna në forma të ndryshme – ku këtu përmes programeve intervenuese tek nxënësi por edhe te klasa si komunitet janë të rëndësishme në zbehjen e këtyre fenomeneve por edhe parandalimin e tyre si fokus i veçantë”, shtoi Rrahmani.
Duke folur për fondin e ulët të lëndëve sociale në shkolla, Rrahmani është shprehur se nëpërmjet këtyre lëndëve nxënësit mund të internalizojnë praktika dhe parime të mirëfillta dhe të shëndetshme ndërnjerëzore.
“Konsiderohet se përmes lëndëve sociale në shkolla fillore dhe të mesme, nxënësit mund të internalizjnë praktika dhe parime etike të mirëfillta dhe të shëndetshme ndërnjerëzore, rëndësia e këtyre lëndëve është e domosdoshme në krijimin e marrëdhënieve të shëndosha në shkolla por edhe për vetë mirëqenien e nxënësve që do iu ndihmonte në adresimin e problemeve eventuale dhe referimit tek personat adekuat”, tha anë fund Rrahmani.
Vlen të theksohet fakti se në institucione arsimore e sidomos të atyre të ciklit klasor nga klasa 1 deri në 5 paraqiten probleme të shpeshta tek nxënësit me të cilat psikologu do të ishte njeriu më kompetent të merrej.
Ndërkohë, problemi i numrit të psikologëve në shkolla është problem që paraqitet ndër vite dhe nuk po zgjidhet.
Sara dhuron spektakël, realizon vallëzim si dënim nga Xuxi
Akuzat e Pecit, Pacolli: Dikur mbante bluzën me emrin e firm...
A do ta ndaje ndonjërën prej banoreve nga partneri i saj bre...
Tare: Sjellja e futbollistëve të Kosovës tejet dinjitoze
Zarfi ngjyrë hiri shfaqet në ekran – banorët nisin hamendësi...
Papa ‘bekon’ lumturimin e 2 martirëve të krishterë në Shkodë...