Shteti është duke bërë të pamundurën për ri-integrimin në shoqëri të të kthyerve nga zonat e konfliktit në Siri dhe Irak.
Divizioni për Parandalim dhe Ri-integrim në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme është duke punuar për ri- integrimin në shoqëri të 110 kosovarëve të kthyer në prill të këtij viti nga Siria.
Kështu ka thënë koordinator nacional kundër ekstremizmit dhe terrorizmit në Qeverinë e Kosovës, Fatos Makolli.
Ai, për arbresh.info ka pohuar se institucionet e shtetit të Kosovës kanë bërë përgatitjet e duhura për trajtimin e të gjithë personave të kthyer nga zona e konfliktit në Siri.
“Divizioni për Parandalim dhe Ri-integrim në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme (si bartës i këtij procesi), i përkrahur edhe nga institucionet tjera relevante, është duke punuar në vazhdimësi në ri-integrimin e tyre në shoqëri. Ky proces është duke u realizuar përmes programeve ekzistuese”, është shprehur Makolli.
Sipas tij, shteti ka ngritur dhe fuqizuar mekanizma institucional për trajtimin e të gjithë personave të kthyer nga zona e konfliktit, e posaçërisht për trajtimin e grave dhe fëmijëve.
“Institucionet e zbatimit të ligjit dhe ato të drejtësisë janë duke ndërmarr të gjitha masat e parapara sipas legjislacionit në fuqi, megjithatë krahas këtyre masave, institucionet e Republikës së Kosovës në kuadër të planifikimeve të tyre kanë ngritur edhe grupin ndërinstitucional të udhëhequr nga Divizioni për Parandalim dhe Ri-integrim në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilët vazhdimisht janë në terren duke u angazhuar maksimalisht për ri-integrimin në shoqëri të personave që tanimë janë kthyer në Kosovë”, ka thënë ai.
Sipas tij, ndihmë të madhe në këtë aspekt kanë dhënë edhe familjarët e të kthyerve, të cilët kanë siguruar strehim për të gjithë të kthyerit.
“Institucionet e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim edhe me familjet e personave të kthyer nga zona e konfliktit kanë siguruar strehim për të gjithë të kthyerit. Institucionet dhe familjarët janë në kontakt të vazhdueshëm me të kthyerit me qëllim që të ju ofrojnë përkrahje të vazhdueshme”, ka pohuar Makolli.
Njohësit e çështjeve të sigurisë: Ka rrezik që të kthyerit të ndikojnë në radikalizmin e familjarëve të tyre
Ndryshe nga , koordinatori nacional kundër ekstremizmit dhe terrorizmit në Qeverinë e Kosovës, Fatos Makolli, i cili pohon se është duke u punuar për ri- integrimin e të kthyerve nga zonat e konfliktit, njohësit e çështjeve të sigurisë thonë se duhet të bëhet më shumë në ri-integrimin dhe deradikalizimin e tyre.
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi pohon se pavarësisht përgatitjeve në aspektin e politikave Kosova duhet bërë edhe më tepër për personat e kthyer. Sipas tij, atyre duhet t’u sigurohen sociolog dhe psikolog, si dhe shkolla të veçanta për fëmijët.
“Tash po ballafaqohemi me një situatë të re, pasi që ata kanë jetuar në Irak dhe Siri. Mendoj që sa i përket aspektit të planeve të strategjisë dhe politikave, jemi përgatitur, mirëpo në aspektin praktik mendoj që ende ka punë për tu bërë, në kuptimin e asaj që ne nuk kemi as punëtor social, përveç imamëve që janë caktuar nëpër qendrat qoftë në burgun e sigurisë së lartë, qoftë në Dyz, në Dubravë, apo në Lipjan. Qeveria e Kosovës nuk ka kapacitete të duhura që mundet ti pranoj këta njerëz që janë përfshirë në forma të ndryshme duke filluar, nga luftëtarët gra që mund të jenë edhe të shtyra edhe të detyruara në një formë tjetër”, ka thënë ai.
Ibishi, ka thënë se ka rrezik që të kthyerit të ndikojnë në radikalizimin e familjarëve të tyre.
“Ne duhet të kërkojmë edhe ndihmë nga një ekspertizë e jashtme, që të merren më shumë me çështjen e rehabilitimit dhe riintegrimit. Por edhe ata që janë në arrest shtëpiak që kanë kontakte me familjarët e tyre mund të ndikojnë në radikalizmin e familjeve, miqve, farefisit, që ata komunikojnë, e ne nuk jemi të përgatitur në atë aspekt sepse kemi mangësi”, ka thënë ai.
Njohësi tjetër i çështjeve të sigurisë, Avni Islami thotë se institucionet vendore kanë bërë një veprim të duhur sa i përket kthimit të kosovarëve nga Siria.
Ai ka thënë se kthimi i tyre në Kosovë ka qenë i domosdoshëm dhe human.
“Institucione e Kosovës mendoj që janë duke kryer një punë të mirë. Ky është një veprim human e në të njëjtën kohë ligjor e kushtetues, ku të gjithë ata që janë kthyer nga Siria, janë qytetarë të Republikës së Kosovës, pavarësisht asaj që është e ndaluar që të shkojnë në vatrat e luftës, por pjesa dërmuese e tyre nuk janë shkuar me dëshirë”, ka thënë Islami.
Por, sipas Islamit shteti nuk ka para të mjaftueshme të investojë në risocializimin e tyre, ku përfshihen shkollimi i fëmijëve që kanë mbetur pa arsimim si dhe deradikalizimi i atyre personave të radikalizuar.
Ai pohon se duhet të punohet në largimin e tyre nga ideologjitë idealiste fetare.
“Unë kam thënë edhe më herët që nëse shteti nuk ka para të mjaftueshme të investojë në risocializimin e tyre, këtu hyjnë shkollimi i fëmijëve që kanë mbetur pa arsimim, e nëse është e nevojshme të shkollohen në shkolla të veçanta, pastaj ata të cilat janë të radikalizuar, duhet të paguhen me propaganda të veçanta që të largohen nga ideologjitë idealiste fetare, gjithashtu edhe nëse është e nevojshme të kërkojnë fonde shtesë nëpër organizata të ndryshme edhe prej shteteve të tjera në mënyrë që të ndikoj edhe në risocializimin e tyre. Po ashtu duhet angazhim i madh i psikologëve i sociologëve për të kthyerit nga Siria, sepse ata kanë probleme botën reale, investim në riedukim të tyre, që ti kthehen jetës dhe normalitetit, për shkak se atyre ju ka shpërlarë truri, dhe ai është një investim”, ka thënë ai.
Prokuroria: Rasti i grave të kthyera nga Siria është ende në fazën e hetimeve
Në anën tjetër, Prokuroria Speciale e Kosovës ende është në fazën fillestare të hetimit të 32 grave të kthyera nga Siria tre muaj më parë.
Zëdhënësi i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Ekrem Lutfiu, ka deklaruar se rasti i grave të riatdhesuara nga Siria, është ende në fazën e hetimeve nga ana e prokurorëve.
“Rasti i grave të riatdhesuara nga Siria, është ende në fazën e hetimeve nga ana e prokurorëve të PSRK-së”, ka deklaruar ai.
Sipas Lutfiut, ato po hetohen për vepra penale që ndërlidhen me terrorizëm.
“Këto po hetohen për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist” nga neni 143 paragrafi 2 i KPRK-së, përkatësisht nga neni 3 paragrafi 3, “Bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose para policore, në organizimet grupore apo individualisht”, jashtë territorit të Republikës së Kosovës”, është shprehur ai.
Avokatja Gashi- Bytyqi: Shteti ndihmoi në riparimin e shtëpisë për gruan e kthyer nga Siria
Avokatja Fehmije Gashi- Bytyqi, e cila mbron njërën nga 32 gratë e kthyera nga zonat e luftës, pohon se shtetit ka bërë mjaftueshëm për klienten e saj.
Ajo ka se shteti i Kosovës i ka ndihmuar asaj në rinovimin e kulmit të shtëpisë së saj.
“Shteti i Kosovës për klienten time që ka katër fëmijë dhe burrin, e ka përkrahur shumë. Ia ka riparuar shtëpinë ku po rrinë te shtëpia e burrit të saj”, ka thënë Gashi-Bytyqi.
Ajo ka treguar se masa e arrestit shtëpiak ndaj klientes së saj dhe grave të tjera është vazhduar, ndërsa ka shtuar se ende nuk ka ndonjë aktakuzë të ngritur.
“Është vazhduar masa e arrestit shtëpiak shtëpiak të klientes sime, po ashtu edhe të grave që kanë qenë në Siria, e sa i përket aktakuzës nuk është ngrit ende”, është shprehur ajo.
Ndryshe, në prill të këtij viti, autoritetet kosovare me ndihmën e aleatëve ndërkombëtar patën kthyer nga Siria gjithsej 110 kosovarë, në mesin e tyre 35 gra dhe 74 fëmijë, përfshirë këtu nëntë fëmijë që i kishin humbur prindërit në luftë.
110 kosovarë, në mesin e tyre, katër luftëtarë, 32 gra dhe 74 fëmijë ishin nëpër duke qëndruar në kampe që kryesisht kontrolloheshin nga forcat kurde.
Katër luftëtarët u arrestuan menjëherë, ndërkohë që 32 gratë u intervistuan nga hetuesit për dyshimet për bashkim apo pjesëmarrje në organizata terroriste.
Shteti i Kosovës që nga viti 2015 është rreshtuar përkrah aleancës globale kundër terrorizmit. Në po të njëjtin vit, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar edhe ligjin, me të cilin ua ndalon qytetarëve të Kosovës të marrin pjesë në konfliktet e armatosura jashtë territorit të vendit./Arbresh.info/Elmedina Ballazhi
Sara për Drilonin: Nuk i falet, më thoshte jam prapa teje
Konjufca: Luftimi i dhunës në familje dhe bazë gjinore është...
Sara për Drilonin: Nuk i falet, më thoshte jam prapa teje
Kurti: Puna për një shoqëri gjithëpërfshirëse po vazhdon, ar...
Pasivizimi i adresave në Luginë drejt Gjykatës së Strasburgu...
Gjuajtje me armë zjarri në Prishtinë – arrestohen katë...