Google ADS

Shoqëria civile i shkruan Presidentit Thaçi, “Idetë tuaja janë të rrezikshme”

14:31 | 31 Gusht 2018
Arbresh.info

Shoqëria civile në Kosovë i është drejtuar me një letër të hapur presidentit të vendit, Hashim Thaçi, me të cilën kundërshton idenë e korrigjimit të kufirit me Serbinë dhe e quan atë të rrezikshme.

Në vazhdim, letra e plotë e shoqërisë civile

Letër e hapur për Presidentin e Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi

I nderuar z. President,

Organizatat e shoqërisë civile në Kosovë po ndjekin me shqetësim të gjitha deklaratat e juaja për ndryshimin ose korrigjimin e kufirit të Kosovës me Serbinë në baza etnike.

Përmes kësaj letre, ne kundërshtojmë fuqishëm ide të tilla të rrezikshme që nxisin konflikte, konfuzion dhe urrejtje në mestë qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë, ndërkohë që komuniteti serb që jeton në Kosovë po dekurajohet edhe më tej për t’u integruar në shoqërinë dhe institucionet e vendit. Gjithashtu, deklaratat e juaja mund të ndikojnë edhe në qytetarët e rajonit, duke besuar se agjenda të tilla nacionaliste mund të jenë të suksesshme edhe pas një historie të errët të luftrave në Ballkan.

Duke pasur parasysh të kaluarën tonë të afërt, një ndryshim i kufijve do të destabilizonte dhe kërcënonte sigurinë në Kosovë dhe Serbi, poredhe në rajon. Kjo mund të na kthejë prapa dy dekada më parë, duke hedhur poshtë të gjitha përpjekjet e deritanishme për pajtim në mes të dy shteteve.

Ne ju kërkojmë që të mos bëni deklarata konfliktuoze, por të fokusoheni në dialog dhe normalizimin e marrëdhënieve, si dhe në trajtimin e çështjeve të pasluftës si ajo e personave të pagjetur, e të mbijetuarve/viktimave të dhunës seksuale dhe viktimave civile të të gjitha etnitve nga lufta e fundit në Kosovë, gjë që është thelbësore për stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e të dy vendeve. Ne jemi të bindur se dialogu është e vetmja rrugë drejt arritjes së pajtimit dhe paqes së qëndrueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Institucionet kosovare duhet të mbrojnë dhe respektojnë të drejtat e të gjithë qytetarëve pa dallim,duke ndërtuar besimin e ndërsjellë, duke çmuar diversitetin dhe duke garantuar mirëqenie dhe siguri për të gjithë.

Z. President, Kushtetuta e Republikës së Kosovës ju obligon të punoni me dhe për të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike. Prandaj, ju duhet të inkurajoni komunikim dhe bashkëpunim më të mirë midis njerëzve që jetojnë në Kosovë duke u bazuar në respekt, tolerancë dhe mirëkuptim për njëri-tjetrin.

Si përfundim, ne kërkojmë nga ju që ta respektoniobligimin tuaj kushtetues si President i Republikës së Kosovës dhe të tërhiqni deklaratat tuaja që krijojnë izolim të mëtejshëm dhe që rrezikojnë të ardhmen e gjeneratave të reja. Ne ju inkurajojmë që të angazhoheninë bërjen e Kosovës një vend paqësor dhe të begatë për të gjithë.

Sinqerisht,

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës

Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore

Center for Equality and Liberty

Community Building Mitrovica

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë

Qendra Kosovare për Studime Gjinore

OJQ INTEGRA

Lëvizja FOL

The Balkan Forum

Rrjeti i Grave të Kosovës

Organizata ÇOHU!

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme