Google ADS

Sherifi: Reagimi i UNMIK-ut për arrestimet është i gabuar

22:08 | 28 Maj 2019
A. B.

Shefi i grupit parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi i ka shkruar përfaqësuesit të UNMIK-ut në Kosovë, Zahir Tanin se trajtimi i institucioneve të drejtësisë dhe të rendit në Kosovës “si palë” në raport me strukturat kriminale, është në kundërshtim me vlerat demokratike.

Sherifi, përmes një postimi në Facebook, thotë se “në deklaratën e shefit të UNMIK-ut në Kosovë, z. Zahir Tanin jo vetëm që nuk përmendet qëllimi i aksioneve të Policisë së Kosovës në luftën kundër krimit të organizuar, por përkundrazi vëmendja përqendrohet në ndalimin e dy punonjësve të këtij misioni. Heshtja e arrestimit të një grupi kriminal në të cilën ishin të përfshirë pjesëtarë të komunitetit serb, shqiptar dhe boshnjak dhe përqendrimi i vëmendjes në ndalimin e dy pjesëtarëve të këtij misioni është i qëllimshëm dhe krijon huti te shtetet anëtare të OKB-së që nuk kanë mundësi të informohen drejtë rreth asaj që ka ndodhur në Kosovë gjatë këtyre operacione të luftës kundër krimit të organizuar”.

Postimi i Sherifit në Facebook:

“Zoti Tanin! Trajtimi i institucioneve të drejtësisë dhe të rendit në Kosovës “SI PALË” në raport me strukturat kriminale është në kundërshtim me vlerat demokratike!

Opinioni publik i Kosovës dhe ai ndërkombëtar u njoftuan sot se pas procesit hetimor disamujor kundër një rrjeti kriminal, ku ishin të përfshirë edhe zyrtarë të Policisë së Kosovës, Prokuroria Speciale e Kosovës urdhëroi ndalimin e të gjithë atyre ndaj të cilëve kishte dyshime të bazuara se ishin të implikuar në krim të organizuar.

Operacionet e policisë u zhvilluan njëkohësisht në disa komuna si në Mitrovicën e Jugut, në Mitrovicën në Mitrovicë Jug, në Mitrovicë Veri, në Zubin Potok, Leposaviç, Zveçan, Drenas dhe Skenderaj, gjatë të cilave u ndaluan 11 persona të përkatësisë etnike serbe, 4 shqiptarë dhe 4 boshnjakë.

Në përpjekje për të penguar kryerjen e këtij operacioni në disa lokacione të komunave të pjesës veriore të Kosovës u ngritën barrikada dhe u përdorën forma të ndryshme të dhunës kundër Policisë së Kosovës, me ç’rast u plagosën me armë zjarri dhe me mjete të ndryshme pesë policë të Policisë se Kosovë.

Nga reagimet e shumta lidhur me aksionin kundër krimit të organizuar dallojnë reagimet e pushtetit të Serbisë dhe ai i UNMIK-ut. Për të gjithë njohësit e rrethanave në Kosovë është e qartë se reagimi i pushtetit të Serbisë ka për funksion të fshehë implikimin e vet në krimin e organizuar edhe në këtë pjesë të vendit tonë.

Ajo që është e paqartë ka të bëjë me mënyrën e reagimit të UNMIK-ut për ngjarjet e sotme . Reagimi i UNMIK-ut është i gabuar për disa arsye:

Së pari, në deklaratën e shefit të UNMIK-ut në Kosovë, z. Zahir Tanin jo vetëm që nuk përmendet qëllimi i aksioneve të Policisë së Kosovës në luftën kundër krimit të organizuar, por përkundrazi vëmendja përqendrohet në ndalimin e dy punonjësve të këtij misioni. Heshtja e arrestimit të një grupi kriminal në të cilën ishin të përfshirë pjesëtarë të komunitetit serb, shqiptar dhe boshnjak dhe përqendrimi i vëmendjes në ndalimin e dy pjesëtarëve të këtij misioni është i qëllimshëm dhe krijon huti te shtetet anëtare të OKB-së që nuk kanë mundësi të informohen drejtë rreth asaj që ka ndodhur në Kosovë gjatë këtyre operacione të luftës kundër krimit të organizuar;

Së dyti, kjo deklaratë shtrembëron të vërtetën për përmasat e operacioneve policore duke e kufizuar vetëm në komunën e Mitrovicës Veri dhe duke e lënë në heshtje ndërhyrjen në komunat tjera të Kosovës;

Së treti, është e pa dinjitetshme për një mision si ky i UNMIK-ut që në këtë deklaratë nuk përmenden fare policët e plagosur në luftë kundër krimit të organizuar dhe ende pa u informuar hollësisht nga autoritetet zyrtare për rrethanat e ndalimit të punonjësve të vet kërkon me ultimatum lirimin e menjëhershëm të tyre;

Dhe së katërti, shefi i UNMIK-ut në Kosovë, z. Zahir Tanin në këtë deklaratë “kërkon nga të gjitha palët të respektojnë parimet e sundimit të ligjit”. Z. Zahir Tanin duhet ta dijë se institucionet e drejtësisë dhe të rendit në Kosovë kanë një mision të qartë në luftën kundër krimit të organizuar: të zbatojnë ligjin. Përpjekja që institucionet e drejtësisë dhe të rendit në Kosovës të konsiderohen “SI PALË” në raport me strukturat kriminale mund të interpretohet si inkurajim për të penguar zbatimin e ligjit!”, ka shkruar Sherifi.

Të ngjashme