Shënohet Dita Botërore e Ujit në Kosovë

11:46 | 22 Mars 2019
Arbresh.info

Ministria e Mjedisit, OJQ-të mjedisore “Lets Do it Kosova”, “Green Art Center” e të tjera shënuan 22 Marsin– Ditën Ndërkombëtare të Ujit tek Liqeni i Batllavës në Orllan.

Me këtë rast ata filluan me pastrimin e vendit pastaj për të shënuar këtë ditë ata organizuan një varg aktivitetesh siç është “lake festival”, gara, lojëra, ese të ndryshme, ekspozita, raporton arbresh.info.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Fatmir Matoshi, tha se është momenti që ujin ta trajtojmë ashtu si duhet.

“Ujin e përdorim të gjithë po ndoshta vetëm një pjesë e duan dhe e trajtojnë si duhet. Është momentin që ujin ta trajtojmë ashtu si e meriton, sepse nënkupton jetë dhe si vend kemi nevojë shume të madhe që të ruajmë sasinë e ujit, të shfrytëzojmë në mënyrë racionale të kujdesemi si institucione të kemi rezerva sepse vendi ynë është vendi me rezerva të pakta ujore në gjithë Evropën”, tha Matoshi.

Ministri u shpreh i lumtur që shumë organizata, përfaqësues të institucioneve janë në liqenin e Batllavës për të kontribuuar.

Matoshi tha se janë në proces të mirë të sigurimit të fondeve për krijimin e akumulacioneve të reja.

“Jemi në një proces të mirë të sigurimeve të fondeve të mëdha sidomos nga baka botërore dhe donatorë të tjerë për të krijuar akumulacione të reja si ky në Batllavë.  Ndërtimi i rezervuarëve të ri nuk nënkupton që rezervat aktuale t’i lëmë pas dore”.

Matoshi tha se ministria e mjedisit dhe planifikimit hapësinor është e përkushtuar që të mbështet zhvillim e Orllanit dhe të turizmit të kësaj zone, por në mënyrë konkrete zhvillimin e infrastrukturës për këtë zonë.

Luan Hasanaj, drejtor i organizatës ‘Let’s do it Kosova’ tha se është bërë traditë që këto ditë t’i shënojmë me institucione.

“Është bërë traditë që këto ditë t’i shënojmë me institucionet dhe falë një bashkëpunimi me ministrinë e mjedisit që i jep mundësi shoqërisë civile të japë kontributin e vet”, tha Hasanaj.

Ai ftoi të gjithë që të ruajmë këtë pjesë dhe mos të hedhin mbeturina.

“Prej sot ti thërrasim të gjithë së pari banorët që banojnë këtu dhe ata që e vizitojnë mos të hedhin mbeturina andaj ‘Let’s do it’ këtë vit e ka fokus punën e lumenjve dhe liqeneve”, tha ai.

Ministri Matoshi së bashku me drejtoreshën e Green Art Center ndau mirënjohje për shkollat që kanë dhënë kontribut./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme