SHBA u dërgon letër liderëve të Kosovës: Hiqeni taksën

17:54 | 12 Shkurt 2019
Arbresh.info

Tre zyrtarët më të lartë të shtetit të Kosovës, Presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryeparlamentari Kadri Veseli kanë marrë një letër të ashpër nga SHBA-të me kërkesë për heqje të taksës së vendosur në nëntor të vitit 2018, ndaj produkteve të Serbisë.

Siç merr vesh Radio Televizioni Dukagjini, letra është jashtëzakonisht serioze. Ajo është dërguar nga tre zyrtarë të lartë amerikanë dhe mban nënshkrimin e zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë, Departamentit të Shtetit dhe Departamentit të Mbrojtjes.

Letra bënë thirrje që mos të shkelet mbi sakrificën e Shtetit Amerikan dhe të ushtarëve amerikanë për Kosovën. Liderëve u është tërhequr vërejtja që nëse taksa nuk hiqet “sanksionet”, do të thellohen.

Letra dramatike që është përcjellë nga Ambadadori Amerikan, i nënshkruar nga tre personalitetet e larta, konfirmon çarjen serioze të mardhënieve mes Kosovës dhe SHBA-së.

LETRA ORIGJINALE:

I dashur President Thaçi:

I dashur Kryeministër Haradinaj:

I dashur Kryeparlamentar Veseli:

Ashtu siç u ka shkruar edhe Presidenti Trump në letrën e tij në dhjetor të 2018, ky është momenti i mundësisë së Kosovës, që duke normalizuar marrëdhëniet me Serbinë të ndërmarr një hap të rëndësishëm përpara drejt integrimeve Euro-Atlantike si dhe të avancojë si një vend stabil, prosperues dhe i sigurt. Që atëherë ne kemi shprehur shqetësimet tona që veprime të caktuara, përfshirë këtu vendosjen e taksës ndaj produkteve serbe dhe boshnjake, do të mund të rrezikojnë këtë qëllim. Këto veprime minojnë mundësinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të vazhdojnë bashkëpunimin me ju në një fushë të gjerë objektivash të përbashkëta.

Pasiqë pamë që kërkesat tona për të pezulluar taksën, nuk u morën parasysh, kemi vendosur të ndërmarrim hapa që do të shfaqin shqetësimin tonë, përfshirë këtu edhe partneritetin në fushën e sigurisë. Fillimisht, kemi vendosur të anulojmë vizitën e planifikuar të Gjeneralit Orr nga Garda Kombëtare e Ioëa-s, në Kosovë. Vizita e tij kishte për qëllim të përqendrohej në bashkëpunim bilateral në fushën e sigurisë. Duke pasur parasysh veprimet e padobishme të qeverisë tuaj, do të ishte e pavend që një vizitë e tillë të ndodhte. Do të shikojmë me kujdes aspektet e tjera të bashkëpunimit tonë dhe do të shqyrtojmë nëse edhe ato do të pakësohen/shkurtohen/cungohen.

Kosova nuk ka mik më të mirë sesa Shtetet e Bashkuara. Ne kemi punuar për kaq shumë vite për të realizuar një të ardhme për popullin e Kosovës, në mënyrë që ai të jetojë ashtu siç ka zgjedhur, në paqe. Lufta e Kosovës për liri ka mbetur në mendjen e Amerikanëve. Mijëra diplomatë amerikane dhe ushtarë janë përfshirë personalisht në përpjekjet për të ndërtuar një të ardhme për Kosovën. Është e pabesueshme që pas gjithë çfarë kemi bërë bashkë, Kosova e vlerëson miqësinë tonë aq ulët sa të injorojë këshillat tona. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë të gatshme të ndihmojnë Kosovën për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse e normalizuese me Serbinë, e cila do të përqëndrohej në njohje reciproke, gjë që do të ishte e implementueshme, jetëgjatë dhe në të mirë të të dyja palëve. Në njëzet vitet e fundit, ky ka qenë një qëllim i paarritshëm. Edhepse ende e vështirë, është një rrugë që duhet ndërmarrë, në mënyrë që të arrijmë në sigurinë dhe prosperitetin që sjell e ardhmja. Qëllimi ynë është që të shohin Serbinë dhe gjithashtu Kosovën, të veprojnë me përgjegjësi dhe që t’i kthehen dialogut. Hapi i parë drejt këtij qëllimi do të ishte pezullimi i taksës. Derisa nuk e bëni një gjë të tillë, ne nuk mund të kemi raportet e fuqishme që kishim më parë me ju.

Përzemërisht, Matthew Palmer Zëvendës Asistent i Sekretarit të Shtetit. Laura Cooper, Zëvendës Assistentja e Sekretarit të Mbrotjtjes, John Erath, Zëvendës Drejtori për Çështje të Evropës në Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme