Google ADS

Shala i vendosur, thotë se Kosova nuk do ta tërheqë taksën ndaj mallrave serbe

22:39 | 6 Nëntor 2018
Arbresh.info

Sot, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj ka miratuar propozimin e ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, për masën tarifore prej 10 për qind për produktet që importohen nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. Ky vendim ka ngjallur reagime të shumta. Por, edhe përkundër kësaj ministri Shala thotë se nuk do të tërhiqen.

“Këtë vendim e kemi marr për të treguar se Kosova është shtet dhe ne do të veprojmë si të tillë. Me këtë vendim ne do t’i tregojmë Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës së vendin tonë nuk do të trajtojnë më siç e kanë trajtuar deri tash”, ka thënë Shala për Express.

Ai ka thënë se para se të merrte këtë vendim ka bërë kontroll në tregun e Kosovës. I pari i MTI’së ka bërë me dije se nuk do të tërhiqen nga ky vendim pavarësisht reagimeve.

“Ne nuk do të tërhiqemi derisa Serbia dhe Bosnje e Hercegovina do ta trajtojnë Kosovën si çdo shtet tjetër. Këto masa nuk përbëjnë asnjë shkelje të CEFTA po diçka të tillë” , ka thënë ai.

Shala ka thënë se me këtë vendim nuk do të rriten çmimet e produkteve në Kosovë.

Kurse, pak orë më parë zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijancic, ka thënë se BE-ja kërkon sqarime të menjëhershme për vendimin që mori Qeveria e Kosovës sot në mbledhjen e saj për tarifën e 10 për qindëshit për importet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme