Serbët po ndihen të fuqishëm pas deklaratës së Thaçit se s’mund ta bindim Beogradin të na njohë

13:15 | 17 Shtator 2018
Arbresh.info

Editoriali i Presidentit të Kosovës Hashim Thaçit ku është deklaruar përsëri për korrigjimin e kufijve ka bërë jehonë në mediat serbe. Mediat serbe janë fokusuar në deklaratën e tij ku thekson se as Perëndimi as Kosova nuk mund ta bindin Beogradin që ta njohë Kosovën.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, dje ka bërë përsëri thirrje për një korrigjim paqësor të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai ua ka dërguar mediave, në pasditen e së dielës, një shkrim, nëpërmjet të cilit ka thënë se fati i Kosovës nuk mund të vuloset pa një marrëveshje me Serbinë.

Ai ka vlerësuar se “stabiliteti afatgjatë i shtetit të Kosovës është pashmangshëm i lidhur me anëtarësimin e Kosovës si shtet në OKB, në Paktin NATO dhe në BE”.

Në këtë mënyrë, sipas Thaçit, “Kosova do të jetë përjetë e mot shtet i qëndrueshëm, anëtare e familjes së kombeve paqedashëse në OKB, anëtare e aleancës më të fuqishme ushtarake në botë, NATO-s, si dhe në fund edhe anëtare e Bashkimit Evropian”.

“Nuk mund t’i arrijmë këto qëllime, nuk mund ta vulosim njëherë e përgjithmonë fatin e Kosovës si shtet, nëse në muajt e ardhshëm nuk do ta bëjmë marrëveshjen ligjërisht obliguese me Serbinë”, është shprehur ai.

Sipas Thaçit, “marrëveshja paqësore e bazuar në korrigjimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në rast se arrihet, do të jetë krejtësisht në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme