Senati i UP-së avancoi kandidaten Rozafa Koliqi

15:01 | 15 Tetor 2018
V. S.

Senati i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” në mbledhjen e 43-të shqyrtoi dhe vendosi për zgjedhjen e personelit të rregullt akademik në Fakultetin e Mjekësisë.

Njëra ndër kandidatet të cilët u avancuan në këtë mbledhje ishte edhe kandidatja Rozafa Koliqi-Lila e cila është doktor shkence në Farmaci Klinike dhe e vetmja specialiste e kësaj fushe në Kosovë.

Emisioni “Jeta në Kosovë”, vitin e kaluar kishte publikuar hulumtimin për mënyrën e avancimit të asistentëve në këtë fakultet.

Në vitin 2015, Rozafa Koliqit i ishte mohuar e drejta për t’u bërë pjesë e stafit të rregullt akademik në UP, pavarësisht se kishte përmbushur të gjitha kushtet dhe kriteret të parapara për pozitën e asistentes me statut të UP-së.

Në vend të saj, rektorati kishte zgjedhur kandidatin Naim Morina, i cili nuk kishte doktoratë, vlerësim pozitiv, punime shkencore dhe as specializim.

Komisioni Vlerësues dhe Këshilli i Fakultetit e kishte propozuar Koliqin për asistente në lëndën “Farmaci Klinike me Farmakoterapi”.

Pas publikimit të këtij hulumtimi nga emisioni “Jeta në Kosovë”, rektori i Universitetit, Marjan Dema, ishte marrë në pyetje më 15 mars të vitit 2017-të nga hetuesit e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion të Policisë së Kosovës në cilësinë e dëshmitarit.

E për këto masa që ishin ndërmarrë pas këtij raportimi, Dema kishte thënë se i merr lakmi Rozafa Koliqi-Lilës, e cila pas ankesave për rastin e saj kishte arritur që ta filloi hetimin në Rektorat nga Policia e Kosovës dhe Departamenti për Krime të Rënda Ekonomike dhe Korrupsion.

Më 7 mars të këtij viti, KALLXO.com kishte raportuar për hetimet që kishte filluar Prokuroria Themelore e Prishtinës lidhur me rastin në fjalë.

Prokurori Arian Gashi kishte treguar se janë intervistuar 20 persona, ku disa prej tyre kanë qenë në cilësinë e të dyshuarve dhe disa në atë të dëshmitarëve.

Por, ende nuk është marrë një vendim nga prokuroria në lidhje me këtë rast./kallxo.com/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme