Selmanaj për Delegacionin shtetëror: Ekip turistik që do të harxhojnë shumë para

00:03 | 18 Janar 2019
Trina Galanxhi

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ka folur për ftesat që po vijnë nga koalicioni PAN e kryesisht nga kryekuvendari Kadri Veseli, i ka quajtur ftesa të kota, tragjiko-komike, dhe ka thënë se LDK-ja e ka qëndrimin që s’do ta ndryshojë.

“Ftesa për konsum të brendshëm, asnjëherë s’i kemi marrë seriozisht. Ne vazhdojmë me qëndrimet tona të qarta. Në situatën që e kemi, kemi thënë se kjo qeveri nuk ka legjitimet, qasja e tyre nuk mund të kuptohet”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.

Selmanaj tha se ky koalicion qeverisës (PAN) ashtu siç ka nisur me ‘kontrabandim’ e sekser në kafe, ashtu po vazhdojnë të bëjnë politikë.

“Kjo qeveri duhet rrëzuar. Ne s’kemi pasur numrat e mjaftueshëm. Jemi vonuar për ta rrëzuar por duhet sa më shpejtë”, tha tutje, duke shtuar se shteti është afër një kolapsi.

Letrën e Trumpit, tha se LDK-ja nuk e kuptojnë si presion por të gjitha deklaratat e tij i marrin si sugjerime.

“Ftesa e Trumpit ka qenë për gjithë spektrin publik, por ata që janë në pushtet nuk kanë interesim”, tha ai.

Për Ekipin Shtetëror, Selmanaj tha se është veçse ekip turistik.

“Janë zgjedhur për t’ia dhënë një bajpas presidentit Hashim Thaçi. Thaçi duke parë që partitë opozitare po e kundërshtojnë, legjitimitetin e tij e pa se po i bie për toke, prandaj tha se duhet bërë diçka, kështu ua dha mundësinë atyre. Nuk e di çfarë ekipi është ky. Çfarë Ekipi Shtetëror është ky?, nuk e di as çfarë kapacitete ka”, tha ai.

“Ekip turistik që do të harxhojnë shumë para. Do të kenë kosto të udhëtimit, të qëndrimit, shkuan edhe në Shqipëri, pse shkuan atje? Shpenzime marramendëse me rezultat zero”, tha tutje.

Në diskursin e tyre, tha Selmanaj, ka kontradiktë themelore. “I shtrojnë tema që do të marrin vite. S’mundem për dy muaj. Për ta arsyetuar veten dalin me ide se do të themelojnë edhe Gjykatë Speciale për Serbinë”, tha tutje Selmanaj.

Selmanaj tha se zgjedhjet janë ato që duhen patjetër tani në Kosovë.

E për gjithë ata që janë në krye të shtetit, për Veselin, Haradinajn e Thaçin, Selmanaj tha se s’do t’ua linte të “merreshin as me një organizatë “Ta pastrojmë Kosovën, e lëre më me Dialogun”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme