Rasim Selmanaj, deputet i AAK-së, ka thënë se taksa nuk do të hiqet derisa kryeministër do të vazhdojë të jetë Ramush Haradinaj.
Në Interaktiv të KTV-së ai ka thënë se takimet me kryeministrin janë të rregullta dhe në takimin e sotëm është diskutuar çështja e platformës, e sigurisht edhe taksa e temat e tjera aktuale.
“Qëndrimi i AAK-së vazhdon të jetë i njëjtë, pra taksa mbetet në fuqi. Qeverinë amerikane – SHBA e kemi aleatë, mik e partnerë dhe i kuptojmë si kërkesa të miqve tanë, por ne po mundohemi të japim argumentet tona se taksa do të sjellë njohjen e Kosovës. Nuk mendoj se do të ketë sanksione të tjera, megjithatë është një situatë jo e këndshme, por ne vazhdojmë të jemi të bindur se taksa duhet të mbetet por nuk vjen në shprehje të dëmtohet miqësia me SHBA-në”, ka thënë ai.
Selmanaj ka deklaruar se taksa shkon në favor të dialogut.
“Kemi dallime në këtë temë, por jemi të bindur se taksa është në favor të dialogut. Mendoj se me vendosje të taksës Serbisë po i ngutet, e kjo është mirë. Por në këtë rast nuk duhet të ketë kushte nga ana e tyre. Taksa është një vendim legjitim dhe shkon në favor të dialogut, përkatësisht Kosovës në bisedimet me Serbinë”, është shprehur ai.
Më tutje ai ka shtuar se, “nuk mendoj se po dëmtohen raportet me SHBA-në, jemi në një momentum ku kemi dallime, por raportet do të vazhdojnë të jenë mirë siç kanë qenë edhe më parë”.
Ai ka thënë se në dialog Kosova nuk hyn me kushte, siç ka bërë Serbia me taksën, derisa ka theksuar se jo gjithherë miqtë e Kosovës kanë pasur të drejtë.
“Nuk pranojmë me hy në dialog me kushte, në këtë rast Serbia e ka nxjerrë taksën si kusht. Jo gjithmonë miqtë tanë kanë të drejtë në kërkesat e tyre, siç është mirë me i bindë. Marrim shembull krijimin e Speciales, që është një vendim i gabuar që ke m i djegë vetëm shqiptarët për krimet e supozuara”, ka thënë Selmanaj.
Ai e ka quajtur të gabuar dallimet rreth taksës nga partitë e koalicionit, pasi thotë se ajo është vendosur bashkërisht.
“Mendoj se është gabim të kemi dallime rreth taksës, pasi ky ishte një vendim i përbashkët kur e kemi vendosur. Ne duhet të kemi unitet në këtë çështje. Koha ka me e vërtetuar se kush ka pas të drejtë në këtë vendim. Nuk ndihemi të tradhtuar, por do të duhej të kishim një qëndrim të përbashkët me partitë e koalicionit, por e marrim si normale këto mendime ndryshe. Taksa ka qenë një kundërpërgjigje ndaj politikave agresive të Serbisë ndaj Kosovës”, ka thënë Selmanaj.
Ai ka shtuar se partitë opozitare vetëm kanë folur për zgjedhjet e nuk kanë ndërmarrë asnjë hap rreth kësaj.
“Përse nuk e nxjerrin mocionin për rrëzimin e qeverisë, por nuk i kanë numrat dhe deri tash vetëm kanë folur dhe nuk kanë pasur guximin të nisin një iniciativë të tillë”, ka thënë ai.
Më tutje ai ka thënë se nuk ka përkeqësim të raporteve ndërmjet Haradinajt e Veselit, ndërsa ka theksuar se derisa Haradinaj të jetë kryeministër taksa s’do të hiqet.
“S’ka përkeqësim të raporteve ndërmjet Haradinajt dhe Veselit, kryeparlamentari ka qenë korrekt dhe deri tash thjesht janë dallime ndërmjet tyre. Kushdo qoftë mund ta provojë ta çojë vendin e zgjedhje. Me kryeministër Haradinajn taksa nuk hiqet, e në dialog ne nuk hymë me kushte. Dialogu nuk duhet të lidhet me taksën, dhe mendoj se presioni është dashur të jetë edhe ndaj Serbisë. Ne jemi për dialog, por taksa do të mbetet deri në njohje”, u shpreh Selmanaj.
Elon Musk e quan kancelarin Scholz të Gjermanisë ‘budalla’
Gresa Hoti pozon pa pikë grimi
Ndodh mes dy banoreve, puthen në buzë Gresa dhe Drenusha
Aksioni i antidrogës në Prizren – arrestohen 5 persona...
Gjesti: Jam i çmendur kur dashurohem, jam në gjendje të bëj ...
Keni një televizion Android – ndryshime të mëdha po vijnë