Selmanaj: Formuam Ushtrinë dhe ndaluam shkëmbimin e territoreve

20:13 | 27 Korrik 2019
A. B.

Formimi i Ushtrisë së Kosovës, taksa 100 për qind ndaj produkteve serbe dhe ndalja e ndarjes së vendit vlerësohen si sukseset kryesore të qeverisë “Haradinaj”, përderisa zhvatja e buxhetit të shtetit, izolimi i vendit, dështimi diplomatik, numri i madh i ministrave, i zëvendësministrave dhe i koordinatorëve nacionalë konsiderohen si dështime të këtij ekzekutivi.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Rasim Selmanaj, ka përmendur disa vendime të qeverisë “Haradinaj”, të cilat i ka vlerësuar si arritje. Ndër to ai ka thënë se Qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj ka arritur ta ndalë ndarjen e Kosovës.

“Unë mendoj që disa prej vendimeve ose të arriturave të Qeverisë janë: formimi i Ushtrisë, veprim të cilin kanë provuar ta kryejnë të gjitha qeveritë, por vetëm qeveria ‘Haradinaj’ arriti ta realizojë. Pastaj Ligji për Paga, Ligji për Prishtinën, Ligji për ‘Trepçën’ e shumë e shumë të arritura tjera të kësaj qeverie. Por ajo që vlen të vlerësohet më së shumti është ndalja e idesë për shkëmbim të territoreve ose për ndryshim të kufijve”, ka thënë Selmanaj për “Zërin”.

Ai nuk ka ngurruar ta përmendë edhe heqjen e taksës si vendim pozitiv të Haradinajt, e cila ndikoi në rritjen e prodhimit vendor.

“Vendimi për taksën ka qenë një vendim i guximshëm dhe po ashtu qëndrueshmëria e Haradinajt për të mos e hequr atë edhe pavarësisht presionit. Rrjedhimisht taksa e ka rritur prodhimin vendor dhe numrin e të punësuarve”, ka pohuar ai.

Më tutje Selmanaj shtoi se edhe liberalizimi i vizave do të jetë meritë e qeverisë “Haradinaj”, sepse ai thotë se përmbushja e kritereve ka ndodhur gjatë kësaj qeverisjeje.

“Përmbushja e kritereve për liberalizim të vizave ka ndodhur me qeverinë ‘Haradinaj’, është çështje tjetër që ky proces është ngadalësuar për shkak të zhvillimeve dhe zgjedhjeve në BE. Por ekziston një vlerësim se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim të vizave. Normalisht që ka vend për kritika, por kjo qeveri do të mbahet mend për shumë të arritura”, ka vlerësuar Selmanaj.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme