Rexhep Selimi në Interaktiv të KTV-së ka thënë se sa më parë që të ndalet Hashim Thaçi aq më shumë do të shpëtojë Kosova, derisa për kryeministrin Haradinaj ka thënë se dorëheqja nuk e zhburrnon atë por e shpëton atë e Kosovën.
Ai nuk ka dashur të komentojë takimin e dy zyrtarëve të lartë amerikan me presidentin Thaçi e kryeministrin Ramush Haradinaj, derisa ka pranuar se Vetëvendosje ende s’ka marrë ndonjë ftesë për t’u takuar me këta zyrtarë.
“Jemi në një pozicion të tillë derisa ata nuk janë deklaruar për media, as ne s’mund të deklarohemi derisa s’kemi qenë në ato takime. Të gjitha vizitat janë të rëndësishme, por më e rëndësishme është koha e tema për të cilën ata janë këtu. Nuk mund të komentoj asgjë rreth kësaj. Nuk kemi pasur ndonjë kërkesë ose ftesë për takim me ne”, u shpreh ai.
Më tutje Selimi ka shtuar se ajo çfarë VV-ja në raport me LDK-në është një bashkëveprim opozitar në Kuvend dhe për shumë çështje kanë diskutuar bashkë si subjekte opozitare dhe bashkëpunimi vazhdon të jetë i kënaqshëm.
“Është fat i mirë që për shumë tema kemi pasur qëndrime të përbashkëta e kështu presim të jetë edhe në të ardhmen. S’mund të flas përtej asaj çka prezanton Vetëvendosja. Kosova si shtet duhet ta konsolidojë Pavarësinë, e gjithsesi integritetin territorial”, ka thënë ai.
Ai thotë se bashkimi kombëtar nuk mund të arrihet duke i dhënë territore Serbisë.
“Thaçi është i kujdesshëm në aspektin negativ në kamuflimin e temave, e ka përmendur edhe bashkimin e Luginës. Nuk mund të arrihet bashkimi kombëtar duke i dhënë territore Serbisë, por t’i merren asaj. Thaçi nuk e përmend se në plan e ka dhënien e territorit. Ai nuk ka respektuar as rezolutën. Në aspektin konkret ai po vepron dhe e ka sjellë Kosovën në një pozitë shumë të palakmueshme para aktit të kryer, që po vazhdon të mbetet sekret, pasi sikur të ishte i mirë atëherë do të ishte lajmëtari i parë i kësaj”, ka thënë Selimi.
Ai ka shtuar se nuk dinë për këtë plan, ndoshta në Serbi dinë më shumë. Krejt këto që po ndodhin i ngjajnë planeve të Thaçit e Vuçiqit, sipas tij.
“Mund të ketë lëvizje konkrete nga ana e Thaçit nëse ai nuk ndalet nga Kuvendi. Mendoj se shumëçka është në dorë të Qeverisë që e ka mazhorancën. Nuk është kaq humane Serbia që t’ia kthejë Kosovës territorin që e mban brenda saj. Sa më shpejtë që të ndalet Thaçi aq më shumë do të shpëtojë Kosova”, u shpreh Selimi.
Ai thotë se Qeverinë e mbështetën për ushtrinë e taksën, prandaj duhet të bëhen hapa konkret për ta mbrojtur Kosovën nga zhbërja e republikës. E kjo duhet të shihet si rrezik edhe për Qeverinë, të cilën do ta mbështesnin.
E krijimin e ekipit negociator e ka quajtur hap të gabuar.
“Më mirë të mos vepronte fare qeveria se sa të vepronte keq. Ekipi negociator ishte plan i keq, dhe ka shkuar në favor të këtij plani që po flasim. Formimi i një ekipi negociator vetëm sa i ka dhënë legjitimitet Thaçit, diçka që i ka munguar. Thaçi po e shfrytëzon këtë ekip negociator duke thënë se ka përkrahjen e Kuvendit, e po thirret që edhe një pjesë të opozitës aty. Në vend që ta ndalonin këta e kanë ndihmuar Thaçin”, ka thënë Selimi.
Më tutje ai ka shprehur bindjen se ka pasur takime sekrete ndërmjet Thaçit e Vuçiqit edhe para se të formohej ky ekip negociator.
“Ka ndodhur një takim i drejtpërdrejtë ndërmjet tyre, e Thaçi është takuar edhe me Putinin që ka qenë një mesazh shumë i keq për perëndimin. Nëse marrëveshja është e pranueshme për Rusinë, mund ta paramendojmë se për çfarë marrëveshje po flasim, që është shumë e dëmshme për ne e për aleatët tanë. Këto do të duhej të na hapnin sytë se çfarë po ndodh me ne e përreth nesh”, ka thënë ai.
Sipas Selimit duhet të ketë reciprocitet të plotë ndaj Serbisë, e jo të hiqet taksa.
“E nxjerr Serbinë jashtë planit të saj nëse do të kishim një reciprocitet të plotë kundër saj. Ne s’kemi as kushte e as kërkesa në raport me Serbinë, derisa ajo ka. Kjo taksë nuk duhet të hiqet tani, pasi ajo do të na sillte në një pikë edhe prapa se që kemi qenë. Pezullimi e heqja mendoj se është e njëjtë. Nuk guxojmë të hedhim hap prapa, pasi është fatal edhe për ekonominë por edhe për aspektin strategjik të Kosovës. Nuk i besoj PDK-së, pasi e mbron qysh në start diçka të cilën po e kërkon Serbia. Kjo Qeveri ndoshta nuk mund të ketë jetë edhe 120 ditë, duke e parë se si po rrjedhin gjërat”, ka thënë Selimi.
Sipas tij raporti me SHBA-në duhet të ruhet e të kontribuohet e konsolidohet pasi nuk është thjesht miqësor.
“Miqtë kanë të drejtë njëri-tjetrin ta kundërshtojnë. Nuk pres që SHBA-ja të nxjerrë sanksione ndaj Kosovës për shkak të taksës. Mosdhënia e vizave për kryeministrin nuk është lajm i mirë, por pres që të jetë e një natyre tjetër e jo si sanksion ndaj Kosovës. Ne Qeverinë e Kosovës nuk e rrëzojmë pse donë Serbia e Lista serbe e nuk bëjmë hapa rreth kësaj. Por, kjo nuk nënkupton se nuk duam zgjedhje dhe rënien e Qeverisë. Haradinaj po i sfidon të tjerët duke thënë se hajde të shkojmë në zgjedhje për taksën. Ai duhet të rrëzohet për shkak të keqqeverisjes e sidomos që nuk kemi një Qeveri të shumicës. Nuk e kam komoditetin me thënë se Haradinaj s’do të tërhiqet për taksën, por ne e inkurajojmë që ta mbajë atë”, ka thënë Selimi.
Ai ka thënë se Haradinaj po tregon pafuqi në ekzekutiv.
“Dorëheqja e Haradinajt s’do ta zhburrnonte, por do ta shpëntonte atë dhe Kosovën”, ka thënë Selimi.
Reshje bore rekord në Seul/ Fluturime të anuluara dhe mijëra...
Sulmohet stacioni policor në Zveçan, hidhen dy granata dore
Përgjatë 24 orëve shqiptohen mbi 2 mijë gjoba trafiku
Kryeministri britanik: Armëpushimi në Liban do të jetë lehtë...
Gjesti eskalon nga xhelozia, hedh në pishinë Xhenetën e Vull...
Posedim i substancave narkotike, njërit nga të dyshuarit i s...