Sefaj: Ligji për pagat u bë pa transparencë, për dikë u tregua nënë e për dikë njerkë

00:13 | 29 Janar 2019
Trina Galanxhi

Ali Sefaj, përfaqësues i sindikatës së shërbyesve civilë, në Interaktiv të KTV-së, ka thënë se ligji për pagat është bërë pa transparencë dhe se për dikë është hapur shumë kuleta e shtetit e për dikë tjetër fare.

Duke folur një ditë para grevës “paralajmëruese”, Sefaj ka thënë se si shërbyes civilë kanë dy kërkesa bazë dhe nëse ato plotësohen nga qeveria, greva do të ndërpritet menjëherë.

Të martën, më shumë se 20 mijë shërbyes civilë prej orës 10:00 deri në 11:00 do të mbajnë grevën, për të cilën Sefaj thotë se nëse nuk plotësohen kërkesat mund të zgjatet me orë, por edhe më shumë.

“Grevën e kemi organizuar si rezultat i tretmanit të pamjaftueshëm në ligjin për pagat. Është dashtë ta thërrasim këtë masë paralajmëruese. Mbi 20 mijë njerëz do të ngrenë zërin që të pranohen në koeficientët që meritojnë. Për koeficientë po flasim, jo për shifra monetare. Sipas presionit të tanishëm, s’besoj që do të ketë qeveri që për 7-8 vjet do ta hapë temën e ligjit për paga, po kaloi ky ligj. Koeficientat e shërbyesve civilë dhe kushtet e punës janë më të diskriminuarit. Kemi zyrtarë në nivele qendrore me fakultet, edhe magjistër që paguhen me 250 euro, ose 280 euro. Ne kemi pas kërkesa më të larta, por vendin e kanë kapluar greva, protesta të ndryshme. Kemi pas ofertë për një koeficient jo të përafërt me atë që kemi kërkuar,por s’e kemi marrë në formë të shkruar”, ka thënë ai. “Ne kemi pas kërkesën për 0.4 koeficientin. Oferta është 0.2, siç e ka edhe arsimi. Sa ta kemi ofertën e shkruar, do ta diskutojmë”.

Pos kërkesës për rritje koeficienti, Sefaj ka thënë se shërbyesit civilë kërkojnë që t’u njihet edhe stazhi i punës gjatë viteve të 90-a.

Pos këtyre kërkesave bazë, ai ka thënë se kërkojnë që të përfshihet një aneks në të cilin punëtorët e Prishtinës do të kishin trajtim edhe më të mirë, “për shkak të kompetencave tjera të kryeqytetit”.

Sipas Sefajt, ligji i propozuar është favorizues për ata që kanë fuqi politike. Këtë sipas tij, shërbyesit civilë nuk e kanë pasur, por thotë se e kanë pasur sektorë të tjerë.

Ai ka thënë se sindikalistët janë të gatshëm të pranojnë ofertën e qeverisë për pagat nëse vërehet reflektim dhe pranohen kërkesat tjera.

“Qeveria ka premtuar 50 euro rritje, por as kjo s’është e mjaftueshme. Nëse reflektojnë jemi të gatshëm të diskutojmë. S’jemi të gatshëm të vështirësojmë jetën e qytetarëve, por nëse deputetët mund të ndikojnë për të tjerët, pse jo edhe për ne. Kemi grevën paralajmëruese e nëse s’merren masa do të shtojmë masën në orë e më tutje. Ne s’jemi të kënaqur me gatishmërinë e qeverisë, por është reflektim. Nëse reflektojnë pozitivisht për dy kërkesat dhe aneks-kërkesën për Prishtinën, s’i bëhemi më shumë barrë vendit”, ka thënë ai.

Duke kritikuar punën për këtë ligj, Sefaj ka thënë se është bërë punë pa transparencë.

“Kanë punuar pa transparencën e mjaftueshme. Për kategori të caktuara kanë hapur shumë kuletën, e për disa kanë mbyllur. Për dikë janë treguar nënë e për dikë njerkë. Ne kemi bë përpjekje të ushtrojmë ndikimin dhe zërin tonë, por ishte e pamjaftueshme. Kryesisht janë thirrur që mjekët po na ikin dhe janë marrë me tema sipërfaqësore. Ky është ligj për paga dhe nivelizon pagat, nuk i rrit pagat. Ky ligj ka ndryshuar në tërësi nga propozimet dhe atëherë kemi filluar reagimet”, ka shtuar ai.

Sefaj i ka kërkuar Rrahman Jasharajt të SBASHK-ut lidhur me një postim në Facebook në të cilin e kishte përqeshur për pamjen e tij. “Nuk jam tall me SBASHK-un, por ka qenë batutë e kahershme kur kemi qenë studente. Ndjej keqardhje për këtë. I kërkoj falje. Ka qenë veprim i pamatur”.

Ai po ashtu ka folur edhe për raportimet që e lidhnin me presidentin Hashim Thaçi dhe PDK-në. Ka thënë se nuk është ndikuar politikisht për këtë grevë.

“Me Hashim Thaçin nuk më lidh asgjë. Dikur më ka lidhur konceptualisht me luftën. Me të më ndajnë negociatat, demarkacioni, arrestimi i hoxhallarëve, korrigjimi i kufijve. Deri më 2011 isha pjesë e PDK-së, por Haradinajn e kam pasur komandant zone e koleg në studime. Greva s’ka konotacion politik, nëse nesër dakordohemi greva ndërpritet. Ata që më njohin e dinë sa jam i ndikueshëm. Ardhja ime në bashkëkryesim të këshillit grevist ka qenë propozim i rastit. As që e kam menduar. Kanë vendos edhe pse insistoja të mos isha. Në asnjë rrethanë s’jam argat i dikujt, pos i shërbyesve civilë. Nëse nesër merremi vesh, menjëherë përfundon greva”, ka deklaruar më tej Sefaj.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme