Të hënën do të thirret seancë e jashtëzakonshme për të diskutuar për kërkesat e përfaqësuesve të Luginës së Preshevës dhe për nxjerrjen e një rezolute për të ndihmuar banorët e kësaj ane.
Kështu është vendosur në Komisionin për Arsim, në takimin që kanë mbajtur me anëtarët e Komisionit për Administratë Publikë, pas vizitës që i kanë bërë Luginës së Preshevës.
Deputetët thanë se nga ajo vizitë kanë pranuar kërkesa të shumta nga përfaqësuesit shqiptarë atje, ku ndër to është edhe bashkimi i Luginës me Kosovën, në negociata me Serbinë të shtrohet çështja e tyre dhe që Kosova të ndihmojë me projekte banorët që jetojnë atje.
Kryetari i komisionit për Administratë Publike, Nait Hasani, tha se për të ka qenë e papranueshme që gjatë shkuarjes në Preshevë në kufi është dashur të bëhet ndërrimi i tabelave të veturës zyrtare, ku ai bëri të ditur se kanë udhëtuar pa tabela.
Ai tregoi se në takim kanë pasur kërkesë që të punohet që Lugina të bashkohet me Kosovën.
“Ne Bujanoc kemi takuar Këshillin Kombëtar, me kërkesat që na kanë bombarduar me kërkesa deri tek bashkimi me Kosovën. Ne kishim shkuar për vizitë me e pa gjendjen e tyre ata që politika e Kosovës i ka shti në grackë, i ka detyruar të marrin jo këtë anë jo atë anë, e cila në një formë është presion politik për migrim, për shpërngulje nga ato treva. Për shkak se disa kanë thënë do ta ndajmë kufirin, do ta ndajmë atë pjesë, disa kanë thënë që do të bashkohet komplet, disa ashtu disa kështu, kështu që është bërë një presion shumë i madh dhe ata janë në huti”, deklaroi ai.
Një nga kërkesat ai tha se ka qenë edhe dhënia e shtetësisë banorëve të cilët janë shpërngulur në Kosovë nga Lugina e Preshevës.
Ai tregoi se një problem me të cilët po përballen shqiptarët atje është largimi që po u bëhet nga regjistrat e shtetit të Serbisë.
“Neve në administratë asamblistët që ishin aty, nënkryetarja, na thanë që kemi pengesa në administratë për shkak të fshirjes së emrave nga regjistrat, nga ato regjistra që Serbia shkon i lyp nëpër shtëpia ku nuk janë i bënë pasive. Kjo do të thotë që ai numër i vogël që kanë mbetur diku rreth 600, 700 persona atje edhe ai është në rrezikim për zhdukje. Ky është një presion politik në vazhdimësi i Serbisë ndaj shqiptarëve në heshtje për shpërngulje. Kërkesa ka qenë që institucionet e Kosovës me bë më shumë edhe tek pika kufitare me pas lëvizje më të lehta edhe tek administrata dhe tek punësimet”, tha ai.
Ndërkaq, kryetari i Komisionit për Arsim Ismail Kurteshi, ka thënë se gjendja e nxënësve të Luginës së Preshevës është shumë e rëndë, ku ai tha se vazhdojnë të përballen me mungesë të theksuar të teksteve.
Ai tha se janë njoftuar se shqiptarët vazhdojnë të diskriminohen sa i përket punësimit.
“Shqiptarët e luginës së Preshevës janë komuniteti më i diskriminuar në Evropë në kohën kur Serbia po bënë hapa gjigant drejt integrimeve në Evropë, e një gjë e tillë po ndodh edhe për shkak të heshtjes së institucioneve të Kosovës edhe kur ata janë në Bruksel, edhe në takime me ndërkombëtarët, po ashtu edhe heshtjes së institucioneve të Shqipërisë. Kërkesat janë që në Bruksel çështja e shqiptarëve të ngritët dhe atje të kërkohet reciprocitet në krahasim me pozitën që e kanë serbët në Kosovë, ta kenë edhe ata atje. Përkrahjen materiale të Këshillit Kombëtar, investime në projekte të ndryshme të disa ministrive, madje mundësisht të të gjitha ministrive që në vit ta realizojnë nga një projekt që mendoj që nuk është shumë barrë e madhe për Republikën e Kosovës”, tha ai.
Kurteshi tha se përveç që do të thërrasin seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar lidhur me vizitën, do të kërkojnë nga ministritë që të përkrahin Luginën me disa projekte. Po ashtu, ai kërkoi që secili deputet të ngrit çështjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës në cdo forum ndërkombëtar që marrin pjesë.
Deputetja e AAK-së Teuta Haxhiu, ka kritikuar institucionet e Kosovës që nuk po i pajisin me dokumente banorët që janë shpërngulur në Kosovë.
“Shqiptarët të cilët shpërngulen nga Lugina e Preshevës dhe vijnë në komunat tona në Fushë Kosovë sidomos, i kemi numrin më të madh pothuajse po edhe në komuna të tjera. Ata në një formë atje janë të hequr nga regjistrat, kurse këtu janë ilegal. Derisa nuk kanë dokumente të Republikës së Kosovës ky është një problem për mua shqetësues”, tha ajo.
Kurse, deputeti i LVV Liburn Aliu, tha se çështja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës duhet të ngritët në negociatat me Serbinë dhe se duhet të kërkohet reciprocitet i plotë me të drejtat e serbëve në Kosovë.
“Në negociata që janë mbajtur deri tash asnjëherë ajo nuk ka qenë temë diskutimi i çështjeve të të drejtave të shqiptarëve të Preshevës, Medvegjes, Bujanocit. Unë mendoj që nuk do të duhej që të ketë asnjë lloj negocimi në të ardhmen nëse nuk futet çështja e të drejtave të shqiptarëve në temë diskutimi. Jo vetëm kaq, por të jetë patjetër edhe një përfaqësues nga ana e qytetarëve të asaj ane në delegacionin e Kosovës. Të mos harrojmë që prej 2006 e deri sot të gjitha negociatat që janë zhvilluar cdo herë para negociatave iu është premtuar që ata do të bëhen temë e diskutimit dhe nuk janë bërë asnjëherë. Prandaj, unë mendoj që është fundi. Nuk do të duhet të ketë asnjë lloj negocimi në të ardhmen nëse nuk do të jetë çështja e të drejtave të shqiptarëve në tavolinë. Pra, duhet të udhëhiqemi nga parimi i reciprocitetit, reciprociteti i plotë me të drejtat e serbëve në Kosovë”, tha ai.
Anëtarët e të dyja komisioneve kanë deklaruar se do të thërrasin në raportim të gjithë ministrat për të kërkuar nga ta që të realizojnë projekte në Luginë të Preshevës, ndërsa me theks të veçantë kanë përmendur Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për një projekt të nënshkruar para katër vitesh por që nuk është implementuar./indeksonline/
Ana i dërgon një dhuratë Kevinit, reagimi i tij do ju befaso...
Lituania do të financojë prodhimin e dronëve ukrainas me rre...
Plagosja me thikë e 32-vjeçarit në Durrës, shkak dyshohet ko...
Parandalohet një rast i kundërvajtjes doganore
Anisa ia kap flokët Xhenetës – përplasje e ashpër mes tyre
Kanada, Kryeministri Trudeau dënon protestat e dhunshme në M...