Sali Salihu: Taksa ndaj Serbisë vendim i duhur dhe pozitiv

19:04 | 8 Nëntor 2018
Arbresh.info

Salih Salihu, deputet i Partisë Socialdemokrate, e ka cilësuar pozitiv vendimin për sanksionet prej 10% ndaj të gjitha produkteve që vijnë nga Serbia.

“Vendim i duhur, por jo i mjaftueshëm. Unë jam për një reciprocitet të plotë me Serbinë. Megjithatë taksa prej 10% për të gjitha produktet që vijnë nga Serbia dhe Bosnja natyrisht që do ta ndihmojë ekonominë e vendin tone. Gjithashtu kjo tregon se ti je shtet dhe se ke politika”.

Deputeti nga PSD-ja ka theksuar se në momentin që ka një taksë produktet vendore janë më të konkurueshme në treg, përderisa taksa i bën produktet nga Serbia më pak të konkurueshme për tregun kosovar.

Ai gjithashtu deklaroi se këto sanksione në periudhë afatgjate janë shumë pozitive.

“Në fazën e mëvonshme kjo është shumë pozitive. Për fillim duket negative sepse mund të ketë rritje të çmimeve dhe duket se barra bie mbi konsumatorin. Mirëpo kur rritet prodhimi vendor, paratë që kanë rrjedhë jashtë do të qëndrojnë në Kosovë, do të rritet buxheti e me këtë krijohen edhe vende të reja të punës”.

Salihu në Info Magazine vuri në pah edhe rrezikun që mund të vijë nga linjat e veçanta të prodhimit në Serbi.

“Plazma keksat janë produkt shumë i mirë dhe cilësor që shitet në shumicën vendeve të Evropës. Mirëpo linja për prodhimin e plazma keksëve për Kosovë është e veçantë. Serbia ka linja të veçanta për një shtet. Kush e di a mund t’i kontrollojmë ato produkte siç duhet”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme