Transformimi dhe ngritja e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, pritet t’i kushtojë buxhetit të Kosovës nga 55 milionë euro në vit, sa është tani, në afër 100 milionë euro në vit, diku pas 5 apo 6 vjetësh.
Nga 1.8 miliard euro të buxhetit të Kosovës për vitin 2018, për FSK-në, këtë vit janë ndarë 55 milionë euro. Por, për transformimin e FSK-së, është planifikuar që buxheti për çdo vit të rritet me nga 5 deri në 6 milionë euro.
Sidoqoftë, kostoja e gjithë procesit të transformimit të FSK nuk është bërë ende e ditur nga autoritetet përgjegjëse, pasi që siç thuhet, ende nuk ka ndonjë përllogaritje të saktë.
Pavarësisht kostos, përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës thonë se ka bazë financiare për të ecur tutje me transformimin e FSK-së. Sipas tyre, brenda 10 vjetësh, sa është paraparë të merr kohë ky proces, nga buxheti i Kosovës do të arrihet të sigurohen mjetet financiare.
Transformimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës në një Forcë të Armatosur, që nënkupton kalimin nga një forcë të angazhimeve e veprimeve për emergjenca në një forcë me karakter të plotë ushtarak, është paraparë pas një vlerësimi të sektorit të sigurisë në vend dhe rekomandimeve që NATO ka dhënë për përmbushjen e kapaciteteve operacionale.
Këshilltari për ekonomi në Qeverinë e Kosovës, Haki Shatri, thotë për Radion Evropa e Lirë se buxhetet e ardhshme të cilat do të aprovohen pas miratimit të pakos ligjoreqë rregullojnë rolin, funksionin dhe shërbimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës do të përcillen me mjete financiare.
“Çdo obligim për formimin e Ushtrisë konsiderohet nga buxheti pas miratimit të ligjit në këtë rast për ushtrinë e Kosovës. Ne jemi të vetëdijshëm që ajo ka kosto, ndërrimi i emrit nuk nënkupton asgjë nëse nuk përcillet me mjete materiale që e mundësojnë më pas misionin që ka ushtria. Jemi të sigurt që e kemi bazën dhe do të mbështesim ashtu siç është kërkesa dhe nevoja”, thotë Shatri.
Ai thotë se janë bërë disa vlerësime për koston, por që nuk janë shifra konkrete dhe se nuk janë për opinion.
“Sipas planeve transformimi duhet të ndodhë në një periudhë 10-vjeçare dhe kjo mundëson edhe përshtatjen e nevojave buxhetore”, thotë Shatri.
Në Kuvendin e Kosovës është në shqyrtim pakoja e projektligjeve që rregullojnë rolin, funksionin dhe shërbimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Kjo pako përfshin projektligjin për Forcën e Sigurisë së Kosovës, projektligjin për shërbimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe projektligjin për Ministrinë e Mbrojtjes.
Të tri projektligjet kanë edhe implikime buxhetore.
Ibrahim Shala, drejtor i Departamentit për Marrëdhënie me Publikun, në Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se është paparë që të ketë ngritje graduale të buxhetit të FSK-së.
“Ne jemi duke folur për një tranzicion që është në vazhdim, flitet për ndërrim të misionit e për të ndërruar misionin nuk do të thotë që të ketë mjete financiare të shumta sesa kemi aktualisht, sepse pastaj pas ndërrimit të misionit çdo ushtri edhe FSK do të zhvillohet në përputhje me fuqinë dhe buxhetin e shtetit që kemi”, thotë Shala.
Ibrahim Shala thekson se sa i përket bazës buxhetore për transformim të FSK-së, është planifikuar që buxheti i ndarë nga qeveria për FSK-në, për çdo vit të shtohet me nga 5 deri në 6 milionë euro.
Ndërkohë, Haxhi Shala kryetari i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të Forcës së Sigurisë së Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se pas përfundimit të procedurave ligjore do të jetë edhe kostoja.
“Ne duhet ta përfundojnë pjesën ligjore dhe pastaj FSK-ja duhet të bëjë një plan 10-vjeçar, për shtimin e kompetencave të disa njësive të FSK-së. Në këtë plan në mënyrë të detajuar do të jenë të specifikuara cilëve njësi ju jepet prioritet dhe kostoja e tyre. Për të gjitha këto fondet do të gjinden, vetëm duhet të kemi bazën ligjore”, thotë Shala.
Procesi i themelimit të Forcave të Armatosura apo Ushtrisë së Kosovës deri tash ka mbetur i bllokuar për shkak të mungesës së përkrahjes nga deputetët serbë në Kuvendin e Kosovës.
Formimi i Forcave të Armatosura të Kosovës pritet të prezantohet në Kuvend nga Qeveria, nëpërmjet projektligjit që përcakton ndryshimet e nevojshme ligjore.
Forcat e Armatosura të Kosovës, si pasardhëse të Forcave të Sigurisë, janë paralajmëruar të krijohen prej më shumë se tre vjetësh, pas hapjes së dritës së gjelbër nga Aleanca e NATO-s me përmbushjen e kapaciteteve operative.
Krasniqi: Arrestimi i veteranëve të UÇK-së në Maqedoninë e V...
“Ai është një i papenduar” – për kë po diskutojnë Rovena dhe...
Xheneta – Lelës: Anisa u ka treguar Edit dhe Drilonit për rr...
Kurti pret në takim kryetarin e Kuvendit të RMV-së
Shtyrje dhe rrahje mes deputetëve në Parlamentin serb
Peci dorëzohet para presionit publik: Anulon grantet për kës...