Rusia mbështet Serbinë kundër anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL

13:04 | 19 Qershor 2019
V. S.

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, tha të mërkurën në Rusi, se aplikimi i sërishëm i Kosovës për anëtarësim në INTERPOL, është në kundërshtim me rregullat themelore të Organizatës Ndërkombëtare të Policisë.

Sekretari i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, Nikollai Patrushev, me të cilin u takua Stefanoviq, konfirmoi se vendi i tij do t’i ofrojë mbështetje Serbisë në takimin e ardhshëm të Asamblesë së Përgjithshme të INTEPOL-it, për të parandaluar pranimin e Kosovës.

Siç bëhet e ditur në një komunikatë të ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, të cilën e transmetojnë mediet serbe, Stefanoviq tha se “sulmi i fundit i Forcave të Sigurisë së Kosovës, në veri të Kosovës është edhe një provë se nga Prishtina nuk mund të pritet që të respektojë të drejtën ndërkombëtare, e as rregullat e funksionimit të INTERPOL-it”.

Stefanoviq, duket se i është referuar aksionit të Policisë së Kosovës në veri më 28 maj.

Ai po ashtu e ka falënderuar Patrushevin, për siç tha, mbështetjen parimore të Rusisë për Serbinë, në lidhje me “statusin e Kosovës”, transmeton REL.

Në shkurt të këtij viti, autoritetet e Kosovës kanë njoftuar se kanë aplikuar sërish për t’u anëtarësuar në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë.

Përndryshe Kosova ka synuar anëtarësimin në këtë Organizatë nga viti 2010, dhe as në nëntor të vitit të kaluar nuk mori shumicën e nevojshme të votave, në Asamblenë e Përgjithshme të kësaj organizate, që u mbajt në Dubai./REL/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme