Kryeministri Ramush Haradinaj nuk mund të përdor më justifikimet e tij për mosshkarkimin e ministrave me aktakuza. Për tre ministrat e tij: Besim Beqajn e aferës “Pronto”, Pal Lekajn me keqpërdorime të detyrës dhe Valdrin Llukën që paralel me punën e ministrit po merrej me një proces gjyqësor, Haradinaj kishte arsyetime. Tash ka një ministër tjetër, Rrustem Berishën e FSK’së, që është zyrtarisht i akuzuar për mashtrimet në listat e veteranëve.
Ministri i FSK’së, Rrustem Berisha, është në listën e një nga 12 të akuzuarve për mashtrimet në listat e veteranëve të UÇK’së, shkruan Gazeta Express.
Berisha, si pjesë e komisionit qeveritar që bënte njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve, do të gjykohet në Gjykatën Themelore të Prishtinës për fryrjen e listave të veteranëve.
Megjithatë, sipas deklaratave që ka dhënë Kryeministri Haradinaj më parë për ministrat me aktakuza, Berisha mund të vazhdojë punën e tij.
Shefi i Qeverisë pati vendosur që të mos shqetësojë ministrat e tij që kanë probleme me drejtësinë, derisa të del një vendim i gjykatës.
Tash, me Rrustem Berishën, janë bërë katër ministra që përgjatë një viti të Qeverisë Haradinaj, kanë qenë të akuzuar për keqpërdorime të detyrave të mëparshme dhe për korrupsion.
Kur ministrit të Inovacionit, Besim Beqajt, iu ngrit aktakuzë për aferën “Pronto”, kryeministri Ramush Haradinaj e cilësonte këtë vetëm si njoftim në media dhe se nuk e merr vendim për ministri, pa parë zyrtarisht aktakuzën nga Prokuroria Speciale.
Edhe ndaj Ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj, është ngritur aktakuzë në muajin prill të këtij viti për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe përvetësim në detyrë.
Lekaj ka vazhduar punën e tij në Ministri, duke u marrë me milionat e autostradave, ndërsa shefi i tij Haradinaj nuk po e shqetësonte ministrin, shkruan Gazeta Express.
Kur Haradinaj është pyetur se pse nuk po i shkarkon ministrat e akuzuar, në rastin e Lekajt, Kryeministri ka thënë se atij i është ngritur aktakuza për një detyrë që e ka mbajtur më herët, pra si kryetar i Gjakovës.
Ministri që ka keqpërdorur detyrën e mëparshme të tij, mund të vazhdojë i qetë punën si Ministër i Infrastrukturës.
Ndërsa për ministrat e akuzuar në tërësi, i pari i Qeverisë ka thënë se ata do të mbajnë detyrat e tyre, derisa Gjykata të merr vendim për ta. Kësisoj ata mund të vazhdojnë pa problem punën e tyre me akuza mbi supe.
“Sa i përket vendimeve që ka me marrë qeveria ndaj ministrave me aktakuzë, duhet pritur vendimet nga gjykata dhe njëherë nuk mund të marrim vendim. Qeveria do të marrë vendime sipas ligjit për këtë”, ka thënë kryeministri Haradinaj më 13 prill të 2018’ës, menjëherë pasi ishin publikuar njoftimet për ministrat e akuzuar.
Ndërsa ndërkombëtarët kishin kërkuar që institucionet shtetërore në asnjë mënyrë të mos kenë njerëz që kanë probleme me drejtësi.
Në dhjetor të vitit 2017, dy muaj pasi Haradinaj kishte formuar Qeverinë, përfaqësuesja e Bashkimit Evropian, misioni i EULEX, shefat e misioneve të BE’së patën lëshuar një deklaratë të përbashkët për Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit.
Në këtë deklaratë thuhej se zyrtarët shtetërorë që u ngrihet aktakuzë duhet të suspendohen ndërsa të dënuarit të shkarkohen nga detyra.
“Vullneti politik për të luftuar korrupsionin duhet të jetë real. Duhet të ndërmerren hapa për të zhvilluar auditime të pavarura të partive politike, që të minimizohet korrupsioni në prokurimin publik, të rishqyrtohen ligjet për konfliktin e interesit dhe ndaj zyrtarëve publik ndaj të cilëve janë ngritur aktakuza ose janë dënuar për raste të veprave të rënda që lidhen me korrupsion. Institucionet e Kosovës duhet të pajisen me instrumente bashkëkohore për konfiskimin e pronës së zyrtarëve të korruptuar. Ata ndaj të cilëve ngriten aktakuza duhet të suspendohen, ndërsa të dënuarit duhet të shkarkohen nga detyra…”, thuhej në deklaratën e tyre të përbashkët. /Express/
Moti i keq me reshje shiu në Shqipëri, apel shoferëve për ku...
Tërmet në Gjirokastër
Putin paralajmëron se Rusia do të vazhdojë të testojë raketë...
Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut shënojnë Ditën e Alfabetit
Aksident me fatalitet në Krushë të Madhe, vdes një këmbësor
Reagon për herë të parë Diana pas largimit nga Big Brother V...