Pensionistët e parakohshëm të ish-TMK-së nga Mitrovica dhe nga komunat e rajonit, Vushtrri e Skenderaj dhe të Drenasit i kanë kërkuar kryeministrit Haradinaj që të mos i anashkalojë dhe t’ua rrisë pensionet sikurse kategorive të tjera.
Rreth 320 pensionistë të parakohshëm të ish-Trupave të Mbrojtjes së Kosovës, të cilët janë larguar nga puna në TMK dhe si kundërshpërblim u janë dhënë pensione të parakohshme, i kanë kërkuar kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinajt që të ketë konsideratë për kontributin e tyre në TMK dhe që t’ua rrisë pensionet sikurse edhe kategorive të tjera. Ata nëpërmes një letre të hapur kanë kërkuar nga Haradinaj që të mos i anashkalojë dhe t’u mundësojë të ndihen të barabartë me të gjithë pensionistët e tjerë të Kosovës, të cilëve pensionet u janë rritur prej 15 deri në 20 për qind, shkruan gazeta “Zëri”.
“Z. kryeministër, ju keni premtuar rritje të pensioneve të të gjitha kategorive, si atyre kontributdhënës, edhe kategorive të tjera. Edhe ne kemi dhënë kontributin që nuk mund të mohohet në asnjë rrethanë. Frikohemi se rritja e pensioneve në mënyrë të selektuar, për dikë po e për dikë jo, është sikurse ajo fjala ‘për dikë nënë e për dikë njerkë’. Ne nuk dëshirojmë të mendojmë se ju z. kryeministër keni pasur ndonjë qëllim, sepse juve ju njohim si njeri të drejtë dhe që nuk bën dallime, por anashkalimi që na është bërë me rritjen e pensioneve, duke na lënë neve jashtë, tregon se nuk është diçka në rregull. Edhe pse tashmë është bërë bajat kërcënimi me protesta, ne megjithatë duhet të bëjmë diçka, na duhet të reagojmë, qoftë edhe përmes kësaj forme, ndonëse nuk do të dëshironin. Ne besojmë se ju z. kryeministër do ta merrni seriozisht këtë letër tonën, mund edhe të takohemi e të flasim, qoftë me ju, qoftë me ministrin që ka në kompetencë pensionistët dhe që përkujdeset për gjendjen e tyre. Ne shpresojmë në mirëkuptimin tuaj dhe të Qeverisë që ju e drejtoni”, thuhet mes të tjerash në letrën e hapur të rreth 320 pensionistëve të parakohshëm të Mitrovicës, Skenderajt, Vushtrrisë dhe Drenasit.
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...