Google ADS

Rreth 70 profesorë të pensionuar punojnë ende në Universitetin e Prishtinës

17:28 | 16 Janar 2019
Arbresh.info

Universiteti i Prishtinës po mbushet me “pensionistë” dita-ditës. Përvoja e gjatë si ligjërues dhe mungesa e kuadrove të reja, po u mundëson profesorëve të UP’së, që ta vazhdojnë të dalin para studentëve për të ligjëruar edhe pas moshës 65 vjeçare.

Numri i tyre shkon deri në 69. Njohës të arsimit thonë se ata duhet të vazhdojnë të shfrytëzohen për shkak të përvojës, derisa në ORCA thonë se “Hasan Prishtina”, ka nevojë për ripërtëritje të stafit.
Për disa prej profesorëve të Prishtinës, duket se as mosha nuk po bën punë.

Ani pse ka kohë që janë pensionuar, ata vazhdojnë të enden sallave të UP’së, e të dalin para studentëve për të ligjëruar.

Përveç pensionit të pleqërisë, të njëjtit marrin edhe pagën prej profesori, ani pse jo të plotë.

Akademik Isa Mustafa është vetëm njëri prej tyre. Ndonëse janë bërë rreth tri vite prej që Mustafa është pensionuar, ai vazhdon të jetë në listën e profesorëve të Fakultetit Ekonomik.

Njëjtë sikur Mustafa, vepron edhe akademiku tjetër i LDK’së, Sabri Hamiti.

Për këta të dy, dhe mbi 60 profesorë të tjerë, nuk po “ia del” të gjejë zëvendësim. Edhe pse të pensionuar, UP’ja ka vendosur që të vazhdojnë të ligjërojnë e të jenë të angazhuar në fakultetet e UP’së, por jo në orar të plotë.

Në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, i kanë thënë Gazetës Express se numri i profesorëve të cilët janë në pension e që vazhdojnë të jenë të angazhuar nëpër fakultetet e UP’së shkon deri në 69.

Derisa deklarojnë se arsyet pse ata vazhdojnë të jenë të angazhuar edhe pas pensionimit, janë mungesa e kuadrove të reja dhe përvoja e tyre akademike. Shtojnë se më së shumti profesorë të tillë ka në Fakultetin e Edukimit.

“Mungesa e kuadrove, përvoja e tyre akademike dhe jo vetëm, janë faktorët kyç, si rrjedhojë e të cilëve profesorët që kanë arritur moshën e pensionit, vazhdojnë të ligjërojnë në Universitetin e Prishtinës”, thonë nga rektorati.

Në këtë institucion thonë se bazuar në rregulloret në fuqi, sipas nevojave të fakultetit përkatës, personeli i pensionuar mund të angazhohet në proces mësimor deri në moshën 70 vjeçare.

Deklarojnë se me punësimin e stafit të ri, do të reduktohet nevoja për angazhim të personelit të jashtëm.

“Si menaxhment, konsiderojmë që punësimi i stafit të ri në kuadër të Universitetit, gradualisht do të reduktojë nevojat për angazhim të personelit të jashtëm. Me konkurset për staf të ri në UP, kemi rekrutuar mbi 50 pjesëtarë të rinj të personelit akademik. Por, nevojat për staf vazhdojnë të jenë të pranishme në Universitetin tonë”, thuhet në përgjigjet e Rektoratit drejtuar Gazetës Express.

Por, për njohës të sistemit të arsimit, angazhimi i profesorëve pas pensionimit nuk po shihet si pengesë. Madje, thonë se ata duhet të shfrytëzohen sa më shumë shkaku i përvojës që kanë.

Drejtori i Qendrës Kosovare për Arsim, Dukagjin Pupovci i ka thënë Gazetës Express se këta profesorë duhet të shfrytëzohen derisa janë në gjendje dhe dëshirojnë të kontribuojnë në jetën akademike.

Por, thotë se kjo nuk duhet të jetë pengesë për pranimin e kuadrove të rinj e të kualifikuar.

“Kuptohet, angazhimi i një profesori të pensionuar nuk duhet të jetë pengesë për pranimin e kuadrit të ri dhe të kualifikuar nëse ka të tillë”, ka thënë Pupovci.

Derisa ka shtuar se për shumë disiplina nuk ka numër të mjaftueshëm të kuadrove të kualifikuara që t’i zëvendësonin profesorët në pension.

“Por, duhet edhe ta kemi parasysh se për shumë disiplina nuk ka numër të mjaftueshëm të kuadrove të kualifikuara që do të mund t’i zëvendësonin ata që janë pensionuar. Kjo është vërejtur tek disa programe të fakulteteve teknike që janë mbyllur pasi janë pensionuar disa profesorë”, ka thënë Pupovci për Express.

E në Organizatën për Rritjen e Cilësisë në Arsim(ORCA), thonë se angazhimi i stafit akademik edhe pas pensionimit është kthyer në traditë në disa fakultete të caktuara.
Deklarojnë se mbajtja e personave të caktuar si staf akademik, i kushton cilësisë së mësimdhënies dhe studimeve në UP.

“Në përgjithësi në UP ekziston një traditë në fakultete të caktuara, që stafin akademik që del në pension ta angazhojnë me automatizëm edhe 5 vjet pas pensionimit. Për ta bërë këtë përdoret një klauzole e cila lejon ketë lloj angazhimi në fushat e studimit kur ka mungesë të kuadrove”, thonë në këtë organizatë.

Edhe në ORCA thonë se UP’ja ka nevojë për ripërtëritje të stafit.

“UP ka mungesë te theksuar të stafit akademik dhe se ka nevoje për një strategji të ripërtëritjes së stafit, e jo mbajtjes së personave të caktuar si staf akademik duke u shndërruar në skemë sociale, e cila i kushton cilësisë së mësimdhënies dhe studimeve në UP”, thuhet në përgjigjet e ORCA’së.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme